Komuna mban dëgjim buxhetor në Bresalc, qytetarët paraqesin prioritetet për buxhetin 2027–2029
Gjilan – Komuna e Gjilanit ka vazhduar procesin e dëgjimeve buxhetore me qytetarët, duke zhvilluar një takim në Bresalc me pjesëmarrjen e banorëve nga Bresalci, Gllama, Poneshi, Verbica e Zhegocit, Kishnapola, Gadishi dhe Sllakovci.
Në këtë dëgjim buxhetor morën pjesë kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, si dhe drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati.
Gjatë takimit, qytetarët paraqitën kërkesat, shqetësimet dhe prioritetet e tyre lidhur me planifikimin e buxhetit komunal për vitin 2027 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2027–2029.
Sipas Komunës së Gjilanit, të gjitha propozimet e paraqitura do të evidentohen dhe do të shqyrtohen gjatë hartimit të projektbuxhetit, në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe mundësitë financiare të komunës.
Përfaqësuesit komunalë falënderuan qytetarët për pjesëmarrjen aktive dhe kontributin e tyre konstruktiv në procesin e planifikimit të buxhetit./rajonipress/


