Komuna e Vitisë shkel të drejtat e njeriut?
Nga Selman Ymeri – Komuna e Vitisë shkel të drejtat e njeriut gjatë procesit të rekrutimit të personelit arsimor, sipas konkurseve të shpallura nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA).
Fatkeqësisht, konstatimi që del në titull të këtij shkrimi, nuk është personal, por kjo gjendje konstatohet në Raportin me Rekomandime të Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), Rasti nr. 499/2016 në lidhje me mosrespektimin e procedurave ligjore gjatë procesit të rekrutimit të personelit, sipas konkurseve të shpallura nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në Republikën e Kosovës.
Si rëndom, në përfundim të çdo viti, institucione dhe organizata të ndryshme, publikojnë Raporte lidhur me zhvillimet dhe ecuritë, në fusha të caktuara.
Raporti i lartpërmendur i Institucionit të Avokatit të Popullit, është bërë për nëntë komuna të Kosovës, për të cilat ka pasur ankesa dhe indikacione, mbi shkeljet ligjore të institucionit të konkursit, shkeljet procedurale dhe për shkeljet e të drejtave të njeriut.
Komunat për të cilat flet ky Raport me Rekomandime janë: Prishtina, Gjilani, Vitia, Ferizaji, Lipjani, Klina, Rahoveci, Novobërda dhe Obiliqi.
Raporti thekson se konkurset e shpallura nga DKA-të, janë mbështetur në dispozita jo unike dhe të ndryshme ligjore, përfshi ligjet dhe aktet nënligjore, ndërsa në disa raste konkurset janë shpallur edhe në bazë të udhëzimeve administrative të shfuqizuara (Komuna e Vitisë).
Në disa raste është zbatuar Ligji i punës dhe udhëzime administrative të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa në disa raste të tjera, janë zbatuar dispozita të veçanta të ligjeve të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Të përmendim faktin se në shkencën e së drejtës, ekziston parimi se ligji special e degradon ligjin e përgjithshëm, andaj në situata të tilla, DKA-të, do të duhej zbatuar ligjet e veçanta të MASHT-it dhe aktet nënligjore që dalin nga këto ligje, me anë të të cilave rregullohet çështja e rekrutimit dhe punësimit të personelit arsimor.
Ne do të ndalemi te pjesa e Raportit, që ka të bëjë me Komunën e Vitisë, shkeljet dhe parregullsitë e theksuara.
Komuna e Vitisë, në konkursin e shpallur me 2 gusht 2016 nga DKA, është bazuar në Ligjin për Arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe në udhëzimin administrativ nr. 13/2011.
Nga ana tjetër, në konkursin e shpallur më 11 tetor 2016, DKA në Viti është bazuar në Ligjin e punës, në Udhëzimin Administrativ nr. 13/2011, dhe në Udhëzimin Administrativ nr. 06/2015 mbi përzgjedhjen dhe pranimin e kuadrit arsimor, (emërtimi jo i saktë i këtij udhëzimi, në vend të emërtimit – Normativ mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm).
Pra, Komuna e Vitisë – DKA, ka shpallur konkurs në vitin 2016, mbi bazën e një Udhëzimi Administrativ nr. 13/2011, i cili ishte shfuqizuar sipas nenit 13 të Udhëzimit Administrativ nr. 20/2013 Normativ mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm, i datës 29.05.2013.
Siç u theksua më lart, këtu Avokati i Popullit ka vënë në pah një mori shkeljesh, siç janë: larushia e përdorimit të bazës ligjore në konkurse, udhëzimi administrativ i shfuqizuar dhe emërtimi jo i saktë i Udhëzimit Administrativ nr. 06/2015.
Shkelja e radhës që ka bërë Komuna e Vitisë – DKA, sipas Raportit të Avokatit të Popullit, qëndron në përbërjen e Komisionit për përzgjedhjen e mësimdhënësve.
Udhëzimin Administrativ nr. 17/2019, parasheh që Komisioni i lartpërmendur përbëhet prej tre anëtarëve, dy anëtarë të DKA-së dhe drejtori i shkollës, ndërsa Komuna e Vitisë – DKA, në atë Komision ka emëruar katër anëtarë.
Shkelja tjetër që pasqyrohet në këtë Raport, që e ka bërë Komuna e Vitisë – DKA, ka të bëjë me kriteret për poentimin e kandidatëve, ku është vendosur një “kriter” shumë i veçantë dhe i “zbuluar” nga Komuna e Vitisë, e ky është kriteri i kandidatit vendas (kandidati që jeton ku gjendet shkolla 1 pikë).
Në lidhje me aplikimin e këtij kriteri nga Komuna e Vitisë, Avokati i Popullit konstaton si në vijim:
“Kriteri në bazë të cilit kandidatët të cilët jetojnë në lokalitetin ku gjendet shkolla, sipas të cilit kriter konkurruesit fitojnë pikë, është kriter diskriminues, ky kriter në njërën anë, shkelë të drejtën për trajtim të barabartë dhe krijon pabarazi ndërmjet konkurrentëve dhe në anën tjetër krijon favorizim për kandidatët në bazë të lokalitetit ku jetojnë, me që sipas Kushtetutës, të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe me që askush nuk mund të diskriminohet, autoritetet komunale duhet të sigurojnë që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta dhe mundësi të barabarta, prandaj, veprimet e tilla të autoriteteve publike në këto komuna cenojnë barazinë para ligjit dhe janë në kundërshtim me dispozitat ligjore“.
Të theksojmë se kriterin e kandidatit vendas, sipas Raportit, përpos Komunës së Vitisë e ka aplikuar vetëm edhe Komuna e Gjilanit.
Sa i përket rekomandimeve që ka dhënë Avokati i Popullit në këtë Raport, duhet theksuar se në katër Rekomandime, të cilat i adresohen veçmas komunave të lartpërmendura, Komuna e Vitisë, përmendet lidhur me shkeljet e bëra në tri nga katër sosh, në të cilat duhet të reflektojë.
Kjo i bie se nga nëntë komunat e përmendura Komuna e Vitisë prin për shkeljet e bëra. Pas Vitisë, sipas Raportit në fjalë, pasojnë komunat: Ferizaj – në dy rekomandime dhe Prishtina, Gjilani, Lipjani, Klina, Rahoveci, Novobërda dhe Obiliqi – me nga një rekomandim.
Në fund, të theksojmë se qasja thellësisht joprofesionale, politizimi i tejskajshëm i arsimit dhe nepotizmi, janë faktorët vendimtarë që kanë rezultuar me një Raport të tillë të Avokatit të Popullit, kur flasim për Komunën e Vitisë.
Trumbetimi dhe vetëlavdërimi për një udhëheqje të mirë po demaskohen tërësisht, sepse qytetarët po e kuptojnë çdo ditë e më shumë, se udhëheqja aktuale është e paditur, e pazonja dhe shpeshherë në veprimtarinë e saj për të arritur efektet, në radhë të parë të natyrës politike, që i ka parashtruar vetes, po shkakton veprime edhe në kundërshtim me ligjin./rajonipress


