Komuna e Vitisë ndan bursa për të gjithë studentët aplikues për vitin akademik 2024-2025

Viti – Komuna e Vitisë ka ndarë bursat për studentët për vitin akademik 2024-2025, duke ndërmarrë këtë vit një vendim të veçantë në mbështetje të rinisë dhe arsimit. Për dallim nga vitet e kaluara, ku numri i përfituesve ishte i kufizuar, këtë vit të gjithë studentët që kanë aplikuar për bursa do të jenë përfitues.
Ky vendim është marrë nga Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, i cili theksoi se qëllimi kryesor ka qenë mbështetja e plotë e të gjithë studentëve, si një investim në të ardhmen e komunës.
“Duke parë sfidat ekonomike me të cilat përballen shumë prej familjeve dhe duke vlerësuar rëndësinë e madhe që ka arsimi, kam vendosur që këtë vit të rrisim numrin e bursave dhe t’u japim mundësi të gjithëve që kanë aplikuar, pa përjashtim.
Kjo është një mbështetje konkrete për të rinjtë tanë, që të ndjekin studimet me më pak barrë financiare”, u shpreh Haliti./rajonipress/