KKVITI

Komuna e Vitisë kompleton qeverisjen komunale

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka emëruar bordin e drejtorëve. Zëvendëskryetar i komunës është emëruar Hasan Aliu, kurse bordi i drejtorëve do të përbëhet nga Qahil Sinani drejtor i Drejtorisë për Arsim e Shkencë, Basri Aliu në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale, Nexhmedin Jakupi në Shërbimet Publike, Ibrahim Ramiqi drejtor i Ekonomisë Financave dhe Zhvillimit, Veton Ademi drejtor i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dionis Ukaj në Urbanizëm dhe Kaltrina Sylejmani drejtoresh për Kulturë Rini e Sport.

Kryetari Haliti do të emëroi së shpejti edhe drejtorin e Administratës, atë të Inspekcionit dhe drejtorin e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi.

Ndryshe të hënën është mbajtur seanca e parë e Kuvendit Komunal të Vitisë, në të cilën është zgjedhur kryesuesi i Kuvendit si dhe janë propozuar emrat për Komitetin për Politikë e Financa dhe Komiteti për Komunitete. Kryetari i komunës Sokol Haliti duke uruar për punë të mbarë asamblistët, tha se nuk jam i prirë që të ndajë Kuvendin në pozitë dhe opozitë dhe asnjëherë nuk do ta bëjë këtë.

“Deklarimi i vetëm dhe sublim i imi si kryetar komune është që të punojë bashkërisht me gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të komunës së Vitisë që janë në Kuvend dhe ju ftoj që mos të ndahemi këtu në Kuvend, por të kemi vetëdije të përgjegjësisë dhe çështjet e rëndësishme që janë në interes ë qytetarëve të shikohen drejt dhe t`i shtyjmë përpara këto procese”, tha Haliti, duke i’u përgjigjur këshilltarit nga PDK Daut Xhemajli i cili kërkoi që fillimisht të definohen pozicionet pozitë dhe opozitë.

Fundamenti

Anëtari më i vjetër i Kuvendit Ali Bajrami që kryesoi këtë seancë, e hodhi në aprovim rendin e ditës për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit që nga radhët e LDK-së u propozua Naim Pira.

Meqë nuk pati kundër kandidat tjetër nga subjektet tjera, u votua nga këshilltarët në mënyrë të fshehtë dhe nga 23 këshilltarë që morën pjesë në votim, për Naim Pirën votuan 17 kurse abstenuan 6 dhe kundër nuk pati.

Në votim nuk morën pjesë 3 këshilltarë të PDK-së, kurse mungoi një nga AAK. Në pikën e dytë të rendit të ditës u aprovua vendimi për Komitetin për Politikë e Financa që do të ketë 7 anëtarë, 2 anëtar dhe kryesuesi nga LDK, 2 nga PDK, dhe nga 1 AAK dhe Vetëvendosje.

Po ashtu u vendos që në Komitetin për Komunitete 3 anëtar të jenë nga pakicat, si dhe nga 1 anëtar të jetë AAK dhe Vetëvendosje./rajonipress/