Komuna e Kamenicës ndan bursa për 50 studentë

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Këshilltarët e Asamblesë së Kamenicës, vendosën sot unanimisht për ndarjen e 25 mijë eurove nga buxheti i Komunës për mbështetjen financiare të 50 studentëve në formë bursash. Xhevat Ramadani, zyrtar në drejtorinë e Arsimit, ka konfirmuar se deri në orën 9 të mëngjesit kanë aplikuar 170 studentë dhe sipas tij, ky numër mund të rritet deri në mbylljen e konkursit.

“Kërkoj nga kryetari i komunës dhe kryesuesi i Kuvendit, që mbështetja financiare për studentët të rritet edhe më shumë marrë për bazë gjendjen e rëndë ekonomike të familjeve tona. Kërkesa e drejtorisë së Arsimit është që studentëve që kanë qenë përfitues të bursave në dy vitet e fundit, të cilët kanë treguar suksese në fakultete t’iu vazhdohen bursat”, tha Ramadani njofton radiopremiera.

Fundamenti

Edhe kryetari i Komunës, Shaip Surdulli, premtoi mbështetje të vazhdueshme për studentët në varësi nga mundësitë buxhetore. Ndërsa, Sadushe Agaj (PDK), ka kritikuar drejtorinë e Arsimit për mungesë transparence gjatë procesit të ndarjes së bursave.“Edhe këtë vit, po vazhdon praktika e mungesës së transparencës rreth bursave. Pse nuk i nxirrni në letër kriteret e kërkuara. Si delegatë, kemi të drejtë të dimë apo ndihmohen mësuesit, apo ekonomistët, apo juristët e ardhshëm. Pse nuk i bëni publik emrat e atyre që iu vazhdohet bursa”, ishin pyetjet e zonjës Agaj.

Përfituesit e bursave do të mbështeten gjatë një viti akademik me nga 50 euro në muaj, ndërsa konkursi i publikuar është karakterizuar me kriteret e zakonshme, nivelin e notës mesatare, lëminë e studimeve, derisa prioritet i është dhënë studentëve që vijnë nga familjet e të rënëve gjatë luftës./rajonipress/