Komuna e Gjilanit vazhdon dëgjimet buxhetore, qytetarët paraqesin prioritetet për Buxhetin 2027–2029
Gjilan – Komuna e Gjilanit ka vazhduar procesin e dëgjimeve buxhetore me qytetarët, kësaj radhe në SHFMU “Abaz Ajeti”, ku banorët e lagjeve Arbëria dhe Zabeli, si dhe të fshatrave Velekincë, Lipovicë, Burincë dhe Muqibabë, kanë paraqitur kërkesat dhe prioritetet e tyre për hartimin e Buxhetit Komunal 2027–2029.
Takimi u drejtua nga kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi Kqiku, ndërsa morën pjesë edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, drejtoresha e Shëndetësisë, Mimoza Kadriu Qerimi, dhe drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati. Të pranishëm ishin gjithashtu këshilltarët komunalë Shefket Kqiku, Liresa Ibrahimi, Gentrit Murseli dhe Fadil Ademi.
Gjatë diskutimeve, qytetarët shprehën shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e tyre për investime në infrastrukturë, shërbime publike dhe fusha të tjera me interes lokal. Përfaqësuesit komunalë theksuan se të gjitha propozimet e paraqitura do të shqyrtohen dhe do të merren në konsideratë gjatë përgatitjes së Buxhetit të Komunës së Gjilanit për periudhën 2027–2029./rajonipress/


