Komuna e Gjilanit mban dëgjimin e tretë publik për “Fidanishte 2”

Gjilan – Drejtoria për Urbanizëm Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në përkrahje profesionale të Institutit “INSI” nga Prishtina, ka mbajtur takimin e tretë publik me qytetarë për zonën urbanistike, e cila është e përfshirë në Planin Rregullues të hollësishëm “Fidanishte 2”, me temën “konceptet e zgjidhjes urbanistike – prezantimi i skenarëve”.
Drejtori i kësaj drejtorie, Valon Shefkiu, ka thënë se shumica e pjesëmarrësve në këtë takim janë pajtuar me konceptin e zgjidhjes urbanistike të Planit Rregullues “Fidanishte 2”.
“Interesimi i pjesëmarrësve në takim ishte më tepër individual për parcelat private të tyre. Gjatë këtij takimi u ngritën shqetësimet nga pronarët e parcelave kadastrale të cilat preken nga destinimi i sipërfaqeve të gjelbërta, e sidomos përgjatë lumit “Stanishorka”. Pastaj, infrastrukturën rrugore, ku është kërkuar më tepër që të rregullohet profili i rrugëve, e sidomos akset e tyre të jenë në kufi të parcelave kadastrale”, ka thënë në informacionin e tij drejtori Shefkiu.
Shefkiu theksoi se interesim pati edhe për rregullimin e rrjetit elektrik, nga ai ajror në atë me kabllo nëntokësore.
Vlen të theksohet se në këtë dëgjim publik të tretë për këtë zonë, kanë qenë të pranishëm afro 100 qytetarë./rajonipress/