RCCOLA

Komuna e Gjilanit dhe “Hidromorava”, po bëjnë shumë përpjekje për t’i zbutur problemet e furnizimit me ujë!

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Gani Sadiku – Ndryshimet e mëdha klimatike, nuk e kanë kursyer as vendin tonë, që është goditur nga një thatësi që nuk mbahet mend. Anamorava është vendi që ka më së paku resurse ujore në Kosovën edhe ashtu të varfër me ujë, por goditjen më të madhe për dekada të tëra, po ia jep thatësia, e cila ka kapluar krejt Europën e sidomos Ballkanin dhe Kosovën në veçanti.

Aktualisht të zitë e ullirit po e vuan Gjilani me rrethinë, sepse kapacitetet ekzistuese akumuluese nuk i plotësojnë as për së afërmi nevojat e qytetarëve të këtij qyteti, për dy arsye:
Arsyeja e parë është goditja nga thatësia, (faktorë natyrorë) dhe arsyeja e dytë është rritja enorme e ndërtimeve të larta dhe të ulëta në këtë qytet, i cili po zgjerohet me ndërtime të reja, në të gjitha anët e tij.

Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, më njoftoi me përpjekjet e tij të pandërprera që po i bënë së bashku me “Hidromoravën” për t’i rritur kapacitetet e furnizimit me ujë, sepse siç na njoftoi edhe Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrje Muhamed Suliqi, niveli i ujit në liqenin e Përlepnicës ka rënë nën kuotën 8m, dhe nëse nuk ka reshje por edhe më tej vazhdon kjo thatësi, ekziston rreziku që ky liqen të shteret tërësisht.

Sipas Muhamed Suliqi, kryeshef Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidromorava SH.A. në Gjilan, nga sasia prej 140 L/s, që në kushte normale përdoren nga ky liqen, tani mundë të përdoren vetëm 18l/s, një sasi thuaja se e pa përfillshme për qytetin e Gjilanit.

Sipas Kryeshefit Ekzekutiv të kësaj kompanie, të gjitha institucionet janë duke punuar për ta stabilizuar gjendjen edhe përkundër thatësisë, sepse ata janë duke punuar intensivisht së bashku me kryetarin Haziri i cili është shumë aktiv në këtë çështje.

Janë hapur dy puse tek FSK-ja, nga të cilët arrijnë të marrin 16l/s, dhe tani më është hapur edhe pusi i tretë jashtë rrethojave të FSK-së, të cilin janë duke e aftësuar teknikisht, dhe në momentin që plotëson kriteret kimike dhe biologjike të pastërtisë së ujit, do të lëshohet në rrjetin e ujësjellësit, ku pritet që të rritë dukshëm sasinë e ujit.

Uji Dea

Por puna e komunës së Gjilanit nuk ka përfunduar këtu, sepse duke e pasur parasysh rëndësinë e ujit për banorë, ata së bashku me Hidromoravën kanë hapur edhe dy puse tjera tek vendi i quajtur “Fidanishtja”, që cilët kanë përfunduar tërësisht dhe aktualisht janë duke u pastruar, e për një kohë të shkurtë do të jenë në gjendje t’i shtojnë ujësjellësit edhe 20l ujë për sekond.

Sipas Kryeshefit Ekzekutiv të Hidromoravës, probleme më të mëdha të furnizimit me ujë kanë; ndërtesat e larta, dhe lagjet, siç janë Dheu i Bardhë, Dardania etj.

Reduktimet të cilat aplikohen nga penda e Përlepnicës, janë nga ora 21-06h.
Një burim mjaft i rëndësishëm i furnizimit me ujë janë edhe 7 puset e Velekincës prej të cilëve marrim 64l/s të cilët në mënyrë të dukshme e zbusin gjendjen e furnizimit me ujë.

Mandej edhe tek “Baja”, ka rënë dukshëm niveli i ujit, aktualisht nga ky burim marrim vetëm 9 L/S dhe reduktimet janë nga ora 24-06h.

Sipas deklarimeve të Suliqit, në dispozicion kemi edhe dy rezervuarë lëvizës të cilët janë 24 orë në dispozicion të qytetarëve, por ky ujë nuk është i preferuar për pije, ndërkaq mundë të përdoret për nevoja tjera shtëpiake!/rajonipress/