RCCOLA

Komuna e Gjilanit bëhet me plan për personat me aftësi të kufizuar

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Përfaqësues të Kooperacionit italian, së bashku me ata të Zyrës për qeverisje të mirë pranë kryeministrit të Kosovës si dhe zyrës së kryetarit të Komunës, kanë marrë pjesë në prezantimin e planit komunal për personat me aftësi të kufizuar në Gjilan.

Komuna e Gjilanit është përfshirë në projektin “Mbështetja e planit kombëtar të veprimit për aftësinë e kufizuar në Kosovë”, që është realizuar në bashkëpunim me Kooperacionin italian për zhvillim, me qëllim të promovimit të përfshirjes dhe mirëqenies së personave me aftësi të kufizuar, veçanërisht të fëmijëve.

Për të konsoliduar këtë përvojë dhe të përmirësuar cilësinë e jetës së personave me aftësi të kufizuar, komuna e Gjilanit, me mbështetje të projektit nacional, ka punuar nëpërmjet drejtorive të saj si dhe organizatave të personave me aftësi të kufizuar, në hartimin e një plan komunal të veprimit për periudhën 2013-2016, i cili është prezantuar të enjten.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, pavarësisht se projekti italian po merr fund. ”Unë do të jem gjithmonë i gatshëm për t`iu dhënë “shpirt” të gjitha projekteve që vijnë nga personat me aftësi të kufizuar”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se komuna e Gjilanit ka punuar shumë në këto tri vite, për të përmirësuar pozitën e kësaj kategorie, përkatësisht për të krijuar kushte për qasjen e tyre më të lehtë në shërbime, që nga ato publike, arsimore, kulturore e sportive.

Fidanishtja

Doleres Mattossovich, koordinatore italiane e projektit, ka thënë se plani për personat me aftësi të kufizuar ka pasur një përkrahje të gjerë në Gjilan. “Qasja e përbashkët është qëllimi i projektit tonë”, ka thënë ajo, ndërkohë që u shpreh optimiste se përkrahja për personat me aftësi të kufizuar në Gjilan, do të vazhdojë edhe në të ardhmen nga partnerët italianë, pavarësisht se projekti i qeverisë italian po përfundon.

Bujar Kadriu, kryetar i organizatave të personave me aftësi të kufizuar në nivel të Kosovës, ka thënë se çdo shoqëri demokratike është e obliguar t`i respektojë të drejtat e këtyre personave, derisa planin komunal të veprimit në nivel lokal e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm që komuna e Gjilanit po e bën për këtë kategori.

Ndërsa, Remzi Kçiku nga shoqata Hendikos ka thënë se personat me aftësi të kufizuar kanë pasur nevojë për një plan veprimi, sepse kështu institucionalizohet përkrahja për ta.

Përfaqësues të grupeve punuese kanë prezantuar në vazhdim të këtij takimi planin komunal sipas sektorëve, duke përfshirë shëndetin, arsimin dhe mirëqenien sociale për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar, që ka për qëllim lehtësimin e qasjes si dhe ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjithë.

Dr. Hajriz Ibrahim ka thënë se në Kosovë, problemi i personave me aftësi të kufizuar, është shumë i theksuar. Komuna e Gjilanit ka bërë hapa konkret në ndryshimin e kësaj gjendjeje dhe do të angazhohet edhe në të ardhmen për të përmirësuar pozitën e kësaj kategorie. /rajonipress/