UBT

Komuna bëhet pronar i monumenteve dhe lapidarëve

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Qemajl Mustafa ka nënshkruar një marrëveshje me shoqatën e veteranëve të luftës dhe drejtorinë e kulturës për të marrë nën përkujdesje të gjitha monumentet,lapidarët,sheshet dhe qendrën memoriale të dëshmorëve.

Dëshmorët e kombit,lapidarët,sheshet,qendra memoriale dhe të gjitha përmendoret që lidhen me kohërat e luftës tash e tutje do të jenë nën përkujdesjen e organeve komunale. Ky akt është nënshkruar të enjten në mes të kryetarit Qemajl Mustafa dhe Shoqatës së veteranëve dhe të dëshmorëve të luftës dhe drejtorisë së kulturës.

Qemajl Mustafa këtë hap e ka quajtur vlerë të madhe për institucionet komunale.”Të kujdesesh për pjesën më të lavdishme të historisë është nder e privilegj. Tani këto monumente do të kenë përkujdesjen shtetërore sepse deri tani nuk kanë pasur adresë të saktë të përkujdesjes” tha Mustafa.

Mustafa tha se si organe komunale disa herë është intervenuar dhe janë pastruar e rinovuar kohë pas kohe monumentet, por tani përkujdesja do të jetë e përhershme.

UBT

“Tani dihet kush është pronari i këtyre monumenteve dhe kush është adresa e tyre” tha kreu komunal. Sipas Mustafës në momentin e parë monumentet do të pastrohen,rinovohen,meqë kishim rastin e freskët kur u vodhën dy buste të dëshmorëve.”Kjo besoj që nuk do të ndodhë më dhe realisht ky rast ka ndikuar dhe na ka nxitur që ta bëjmë këtë memorandum mirëkuptimi me veteranët e luftës” tha Mustafa.

Edhe Ahmet Daku nga organizata e veteranëve të Luftës të UCK-së tha se deri tani janë identifikuar 17 lokacione të dëshmorëve dhe ky hap i jep një peshë të madhe dhe e ngritë vlerën dhe përkushtimin e organeve komunale ndaj njerëzve që dhanë edhe jetën për lirin e Kosovës.”Jam i lumtur që kjo po realizohet sot dhe jam i sigurt se përkujdesi shtetëror tash e tutje nuk do të mungojë” tha Daku.

Veton Nevzadi drejtor për kulturë e sport tha se kjo drejtori tani e tutje do të përkujdeset për përmendoret e lapidarët. “Ne do të marrim informacionet e mjaftueshme për lokacionet,gjendjen dhe numrin e përmendoreve ku janë të vendosura dhe do të fillojmë të regjistrojmë gjendjen momentale të tyre për të intervenuar aty ku duhet” tha Nevzadi./rajonipress/