Kompromisi optimal
Nga Shkëlzen Maliqi – Kryeministri serb Daçiq disa ditë më parë e cilësoi si gënjeshtër pohimin se “Kosova është Serbi”. Nëse kjo është e vërtetë, le ta pranojë pra Beogradi kompromisin optimal që e ofron Plani i Ahtisarit.
Java para nesh mund të jetë shumë e rëndësishme për përfundimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës në aspektin e gjetjes së zgjidhjes për veriun. Praktikisht, ekziston pajtimi parimor që në veri të shpërbëhen strukturat paralele, dhe po kështu të dy palët pajtohen që të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Por, dallimet janë ende të mëdha dhe gati të papajtueshme sa i përket çështjes së karakterit të këtij asociacioni, a do të jetë ai një lloj trupi koordinues ose diçka si OJQ, në çfarë insiston Kosova, apo do të ketë kompetenca të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, si nivel i tretë i pushteti pos atij qendror dhe komunal, çfarë kërkon pala serbe.
Qëndrimi i prerë i zyrtarëve të Beogradit se kompetencat e pushtetit për asociacionin janë të domosdoshme, si një vijë e kuqe ku ata nuk mund të shkojnë përfund saj, sikundër edhe qëndrimi i prerë i palës kosovare se asociacioni i komunave pa kompetenca të pushtetit është oferta e fundit dhe që nuk mund të negociohet përtej kësaj, kërcënojnë me një bllokadë të përgjithshëm të procesit të dialogut. Kjo do të sjellë jo vetëm vendnumërim dhe vonesë në përfundimin e dialogut, por edhe kthimin e tij në pikën zero që do të mund të kontestonin edhe marrëveshjet e arritura më parë.
Për Brukselin ky do të ishte një përfundim dëshpërues. Do të shënonte dështimin e ndërmjetësimit gati dy vjeçar dhe jo vetëm me humbje kohe që do ta linte pezull dhe në pritje më afatgjate integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE, por edhe përfundimin e konstruktit të sigurisë dhe të stabilitetit të tërë rajonit të Evropës Jug-Lindore.
Katrin Eshton si përfaqësuese e lartë për punët e jashtme të BE-së sot do të ketë takimin me kreun Serbisë në Bruksel, kurse me 14 mars vjen Kosovë, duke u përpjekur që të gjejë pajtimin në momentin e fundit. Por kjo, thjesht, nuk është e mundshme pa lëshuar pe o njëra, o pala tjetër.
Vizita e baroneshës Eshton në Prishtinë mund të ketë për qëllim që të “zbutet” Hashim Thaçi, duke lejuar autonominë me kompetenca ekzekutive të asociacionit të komunave serbe.
Ajo çka dua të argumentoj në këtë shkrim është se argumenti serb për disproporcionin e lëshimeve nuk qëndron. është e vërtetë se në këtë fazë të dialogut duket, tek ata që Kosovën e shohin nga distanca, se Serbia po premton heqjen e strukturave paralele në Veri, dhe pala kosovare nuk ofron asgjë përtej Pakos së Ahtisarit. Andaj Brukseli mbase ka vesh për Daçiqin kur ai thotë: “Ne po lëshojmë pe, le bëjë edhe Prishtina një koncesion, garantimin e autonomisë për serbët”. Baronesha mund të bindet që ta bëjë një pazar të tillë me Thaçin.
Por çështja është se sa i përket palës kosovare ky pazar dhe koncesioni tashmë është bërë dhe është pjesë e tavolinës së bisedimeve. Për Prishtinën nuk mund të thuhet se është pa ofertë, sepse që prej kohësh e ka platformën ndaj të cilës Beogradi nuk është përgjigjur, ose e ka refuzuar, dhe ky është Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës.
Dhe kjo ofertë nuk është diçka abstrakte, vetëm në letër, ajo tashmë po aplikohet në një numër komunash me shumicë serbe, ku disa prej të cilave, nëse jo edhe të gjithat, janë krijuar mjaft artificialisht. Për tipin, shtrirjen dhe numrin e përgjithshëm të pjesëtarëve të komunitetit serb oferta e Prishtinës, duke përfshirë edhe veriun, është gjeneroze dhe aprovimi edhe asociacionit të komunave është koncesion dhe kompromis maksimal që duhet të vlerësohet si i tillë?
Mos Serbia i ka dhënë pakicave të veta kompetencat e njëjta që po i kërkon për veriun? Jo, ajo ka lejuar vetëm krijimin e këshillave kombëtar të komuniteteve pakicë, pa kompetenca ekzekutive, por që mund ta ankohen për shkeljen e të drejtave të tyre, dhe të apelojnë ligjet dhe praktikat diskriminuese.
Beogradi thotë se nuk e pranon ofertën e Prishtinës për vetëqeverisje komunale të serbëve për shkak të mosbesimit. Por, mosbesimi është i dyanshëm, pse Prishtina Kosova do të duhet t’i besonte serbeve? Dhe pse të merrte parasysh disponimi artificialisht i krijuar në veri të Kosovës, me ato elemente paranoje dhe raciste se nuk duan dhe nuk mund të jetojnë në një shtet ku shumica janë shqiptarë.
Në komunat tjera ku aplikohet Plani i Ahtisarit, ndonëse ka probleme, nuk ekziston refuzimi paranojak i tillë. Në këto komuna Plani i Ahtisarit është testuar, implementimi ndoshta edhe nuk ka qenë perfekt, por ama po funksionon dhe mund të përmirësohet.
Tani mund të kthehemi të pyetja fillestare e ofertave. Modeli i mbrojtjes së pakicës serbe që e ka aprovuar Kosova, por edhe faktori ndërkombtarë si hartuese e tij, nuk është aspak inferior si ofertë. Te Serbia është problemi që më parë nuk e ka pranuar, ndërkaq sot po e pranon me kushtëzime që ai të ndryshohet, të krijohet një nivel dhe entitet i ri i pushtetit, që shtetin e vogël të Kosovës do ta bënte disfunksional, me bllokada. Kompromisi real edhe për Serbinë dhe serbët e pabindur është Ahtisari, nuk ka përtej.
Kosova i ka kufijtë e vet nga koha kur ka qenë pjesë e Jugosllavisë, si të tillë e ka njohur Rezoluta 1244 e KS, dhe me këta kufij edhe e ka shpallur pavarësinë që njihet gati nga 100 shtete. Kosova nuk ka kërkuar asnjë pëllëmbë të tokës serbe dhe as nuk përzihet në rregullimin e brendshëm të Republikës së Serbisë.
Më në fund, për Kosovën është kompromis edhe pranimi i zhvillimit të dialogut pa e kushtëzuar Serbinë që ta njohë realitetin, pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kryeministri serb Daçiq disa ditë më parë e cilësoi si gënjeshtër pohimin se “Kosova është Serbi”. Nëse kjo është e vërtetë, le ta pranojë pra Beogradi kompromisin optimal që e ofron Plani i Ahtisarit.


