RCCOLA

Komiteti për Komunitete, i kënaqur me punën e ZKK

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Komiteti për Komunitete ka miratuar të mërkurën, në takimin e radhës, të cilin e ka kryesuar Kemal Shahin, Raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK). Ruzhdi Rashiti, zyrtar për kthim të qëndrueshëm dhe komunitete, ka thënë se gjatë vitit 2013, në ZKK kanë bërë kërkesë për asistencë 95 familje të riatdhesuar.

Sipas tij, me rregulloren e re, nuk parashihet më ndërtimi i shtëpive për personat e riatdhesuar, por për dallim prej rregullores së mëparshme, tani të riatdhesuarit kanë të drejtë ankese.

Sa u përket kërkesave të personave të riatdhesuar, Rashiti ka thënë se ato shqyrtohen me kohë nga komisioni, duke nënvizuar se në krahasim me vitin e kaluar, numri i atyre që i drejtohen ZKK-së për asistencë, është në rënie.

Komiteti për Komunitete e ka mirëpritur raportin e ZKK dhe i ka dhënë përkrahje kësaj Zyre, duke nënvizuar faktin se më herët ky bashkëpunim kishte munguar.

Kemal Shahin, kryesues i Komitetit, ka thënë se bashkëpunimi me ZKK-në nuk ka funksionuar në të kaluarën, për fajin e ish-shefit të Zyrës, i cili nuk ka pranuar t`i sjellë raport pune Komitetit, edhe pse për këtë është i obliguar. Shahin u shpreh i kënaqur që bashkëpunimi është rivënë.

Eco Higjiena

Bardhyl Kadriu (LDK) shprehu dyshime se në të kaluarën, ish-shefi i ZKK dhe ish-nënkryetari i Komunës për Komunitete, kanë fshehur diçka nga Komiteti për Komunitete, prandaj nuk kanë pranuar të sjellin raport të punës.

Shefik Surdulli (PDK) tha se Komiteti për Komunitete dhe ZKK duhet të jenë në funksion të së mirës për të gjitha komunitetet dhe ka inkurajuar bashkëpunimin e mëtejmë.

Përndryshe, Komiteti është njoftuar edhe për gjendjen e sigurisë në komunë. Sadete Sadiku nga Stacioni Policor i Gjilanit, ka thënë se gjendja e sigurisë në komunën e Gjilanit vazhdon të jetë e mirë dhe i ka prezantuar rastet e fundit që janë raportuar nga komunitet, ku dominojnë vjedhjet e zakonshme.

Sa i përket një mosmarrëveshje që ka ndodhur në lagjen “Abdulla Presheva” ndërmjet një shqiptareje dhe një romeje, ajo ka thënë se e dyshuara është marrë në pyetje, e ka pranuar fajësinë dhe ndaj saj do të bëhet kallëzim penal për kanosje. Sadiku i ka inkurajuar përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në Komitet, për bashkëpunim me policinë.

Sa i përket bashkëpunimit me komunitetin rom, Kemal Shahin ka thënë se përfaqësues i këtij komuniteti në Komitetin për Komunitete është Fadil Demiroviq dhe ka kërkuar prej të tij që t`i adresojë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me këtë komunitet./rajonipress/