Komiteti për Komunitete e refuzon përsëri raportin e ZKK
Gjilan -Komiteti për Komunitete e ka refuzuar përsëri raportin e punës së Zyrës për Komunitete dhe Kthim (ZKK), për shkak se i mungonin të dhënat kryesore mbi aktivitetin konkret të kësaj zyre, të cilat po kërkohen nga anëtarët e kësaj trupe të vendimmarrjes komunale prej disa kohësh.
Për refuzimin e raportit, i cili në të vërtetë ishte një përshkrim i rregullores së punës së ZKK, kanë votuar edhe komunitetet.
Kemal Shahin, kryesues i Komitetit për Komunitete, ka thënë se po injorohen në vazhdimësi nga shefi i ZKK, Zoran Simonoviq dhe ka përsëritur kërkesën për inicimin e procedurës për shkarkimin e tij. “Puna e ZKK, është zero”, ka thënë Shahin.
Fadil Gashi ka kërkuar që raporti i punës të procedohet më herët për anëtarët dhe jo të sillet para takimit dhe atë vetëm në gjuhën serbe, siç ndodhi kësaj here.
Kërkesa për shkarkimin e shefit të ZKK, është përkrahur edhe nga Bardhyl Kadriu, i cili ka thënë se Simonoviq nuk ka përfillë asnjë kërkesë të Komitetit për Komunitete. Duke përjashtuar çdo mundësi që të ketë diçka personale me Zoran Simonoviqin, Kadriu tha se ai e ka privatizuar Zyrën për Komunitete dhe Kthim.
Pakënaqësi me punën e shefit të ZKK ka shprehur edhe Galip Hiseni nga komuniteti rom, i cili ka thënë se projektet për komunitete nuk kalojnë nëpërmjet Komitetin për Komunitete, si më parë, por dërgohen drejtpërdrejt në Prishtinë. Ai është shprehur i pa kënaqur me injorimin që po i bëhet atij si përfaqësues legjitim i komunitetit rom, nga shefi i kësaj zyre.
Por, shefi i ZKK, Zoran Simonoviq nuk është pajtuar me vlerësimet e Komitetit për Komunitete, duke thënë se detyra e kësaj zyre është mbrojtja e interesave të komuniteteve dhe shprehu habi se çka kërkon ky komitet më tepër prej tij. Simonoviq u ka sugjeruar anëtarëve të Komitetit që të jenë të qartë në kërkesat e tyre dhe ai do t`iu jap përgjigje, duke ua mohuar të drejtën që të japin vlerësime për raportin e punës.
Përndryshe, sa i përket sigurisë së përgjithshme në komunën e Gjilanit, ajo u vlerësua stabile nga përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku, pavarësisht shtimit të numrit të qytetarëve në këtë kohë, që ka ndodhur për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në pushime, ndërkohë që apeloi te dasmorët të mos i përdorin armët, sepse do t`iu konfiskohen, ashtu edhe siç ka ndodhur në disa raste.
Sadiku ka thënë se gjatë muajit korrik, nga komuniteti serb janë paraqitur dy raste të ndezjes së grurit dhe të korrjeve, por raste të tilla nuk kanë ndodhur vetëm te ky komunitet, po edhe te shqiptarët. Dy raste tjera janë raportuar nga komuniteti rom, për ofendim me fjalë nga disa të rinj, por nuk janë proceduar më tutje për shkak se nuk ka pasur elemente të mjaftueshme për ndjekje penale.
Në shtatë raste të mëhershme të vjedhjes së pronave, prej të cilave gjashtë kanë qenë shtëpi të komunitetit serb, të cilët për momentin kanë qenë jashtë vendit, policia ka arritur t`i identifikojë 6 të dyshuar, njëri prej tyre i mitur, të cilët janë arrestuar dhe janë proceduar në gjykatë.
Komiteti, përfshirë edhe përfaqësuesit nga komuniteti serb, u shpreh i kënaqur me punën e Policisë së Kosovës, duke kërkuar që të jetë më e ashpër ndaj përdoruesve të armëve nëpër dasma.
Zvonko Tasiq ka thënë se komuniteti serb ka probleme me regjistrimin e veturave për shkak se mungojnë tabelat, prandaj ka kërkuar mirëkuptim nga policia nëse hasen në rrugë pa tabela të Kosovës, sepse nuk është faji i tyre.
Përfaqësuesja e PK-së, Sadete Sadiku ka sqaruar se regjistrimi i automjeteve është në përgjegjësi të nivelit qendror, por sa i përket policisë, ajo ka thënë se askush nuk do të dënohet për këtë arsye, nëse drejtuesi i automjetit i ka me vete dokumentet e regjistrimit të kompletuara.
Ndërkaq sa i përket një rasti tjetër, të cilin e ngriti shefi i ZKK, Zoran Simonoviq, sipas të cilit, serbëve në Ponesh po u dëmtohen arat nga kafshët, Sadiku ka thënë se diçka e tillë nuk është paraqitur në polici, madje as gjatë vizitës që ajo ka bërë në këtë fshat, por i ka sugjeruar shefit të ZKK që ta udhëzoj palën të lajmërohet në polici, nëse ka ndonjë rast të tillë. /rajonipress/