Komisionarët hajdutë
Nga Enis Veliu – Zgjedhjet e fundit lokale në vend janë konsideruar si sfidë për ata që kanë hyrë në garë, pasi që për herë të parë në Kosovë një votues ka pasur të drejtë të votojë vetëm një kandidat për asamble komunale, e jo siç ka qenë deri më tash të përzgjedhë pesë prej tyre.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, është i vetmi zyrtar i lartë publik që deri më tash ka deklaruar publikisht se gjatë zgjedhjeve lokale të tre nëntorit ka pasur vjedhje industriale të votave.
Madje, vetëm një ditë pas votimeve, për këtë çështje ai është grushtuar edhe me zyrtarë të lartë të partisë së tij në Gjilan.
Mirëpo, fjalë të tilla ditëve të fundit po dëgjohen gjithkund në qytet, ndonëse jo zyrtarisht.
Të gjithë po ankohen se kanë dalë të vjedhur nga procesi zgjedhor në vend. Disa nga ta po ofrojnë edhe fakte. Mirëpo, si zakonisht, si ndodh në vendin tonë, pjesa dërrmuese e tyre po ofrojnë vetëm fjalë, e që në disa raste ato i kanë vetëm e vetëm si justifikim për ta ngushëlluar veten nga humbjet që kanë pësuar.
Zgjedhjet e fundit lokale në vend janë konsideruar si sfidë për ata që kanë hyrë në garë, pasi që për herë të parë në Kosovë një votues ka pasur të drejtë të votojë vetëm një kandidat për asamble komunale, e jo siç ka qenë deri më tash të përzgjedhë pesë prej tyre.
Të dhënat e fundit preliminare të Komisionit Qendrore të Zgjedhjeve (KQZ) janë tejet alarmante, pasi që rreth 100 mijë vota në vend po konsiderohen si të pavlefshme.
Për këtë skandal dikush brenda partive politike po e akuzon KQZ-në për mungesë të informimit të qytetareve se si duhet të votohet në zgjedhje.
Mirëpo, ka të atillë që për këtë çështje po akuzojnë komisionarët e paguar politikisht se ua prishën votat.
Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së për nga numri i votueseve, Gjakova prin për numër të madh të votave të pavlefshme, e sidomos për asamble komunale, e ku për këtë partitë nuk po e fajësojnë njëra- tjetrën, por po fajësojnë komisionarët e partive të tyre.
Madje si për habi, në këtë qytet kanë humbur edhe votat e vetë kandidatëve për asamble komunale. Kandidati e ka votuar veten. Mirëpo, në fund pas përfundimit të numërimit të votave, në atë qendër të votimit nuk ka pasur asnjë votë për të.
jithnjë duke iu referuar të dhënave të KQZ-së, në Gjakovë kanë qenë 36 mijë vota të vlefshme. Ndërkaq të pavlefshme kanë dalë të jenë hiç më pak se 5 mijë e 359 vota.
E nëse e bëjmë një krahasim po del së Lidhja Demokratike e Kosovës ka numër më të vogël të votave se sa numri i atyre që po konsiderohen si të pavlefshme.
E ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka rreth 500 vota më shumë se sa numri i votave të pavlefshme në këtë komunë.
Deri sa në zgjedhjet tjera si nacionale, ashtu edhe lokale partitë, apo edhe kandidatët patën akuzuar komisionarët e partive tjera për vjedhje të votave. Në zgjedhjet e fundit në vend është promovuar një fenomen i ri.
Vjedhja e votave të kandidatëve brenda partive. Por, më gjasë për këto vjedhje nuk do të akuzohet askush, pasi që kandidatët e pakënaqur po hezitojnë të bëjnë ankesa kundër komisionarëve të partive të tyre, të cilët po i cilësojnë si hajdutë të paguar politikisht.
E nëse kandidatët do të bënin ankesa, ata pa dyshim që do të krijonin përçarje të reja brenda partisë, e që në masë të madhe do t’iu kushtonin sidomos partive në pushtet duke pasur parasysh se raundi i dytë i zgjedhjeve për balotazh mbahet më 1 dhjetor të këtij viti.


