Komandantë, vonë ju ka dalë gjumi
Nga Enis Veliu – Kërkesës së Sokol Bashotës për përjashtim nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) të nënkryetarit Fatmir Limaj, ditëve të fundit iu bashkëngjitën edhe dy ish-bashkëluftëtarë të tij. I pari është Isni Kilaj, ish-kryetar i komunës së Malishevës. E i dyti Shukri Buja, ish-kryetar i komunës së Lipjanit.
E për dallim nga këta dy të fundit, ky i pari edhe për një mandat do të jetë kryetar i komunës së Klinës, pasi që i fitoi zgjedhjet bindshëm karshi kundërkandidatit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me një diferencë prej 4563 votash.
Kilaj humbi zgjedhjet që në raundin e parë karshi një kandidati të pavarur Ragip Begaj, e i cili kishte mbështetje publike nga Fatmir Limaj, e ku dallimi nuk ishte edhe aq i vogël. Bëhej fjalë për hiç më pak se 4077 vota diferencë.
Po ashtu, garën karshi kryetarit në largim e fitoi me 26 vota epërsi edhe kandidati i LDK-së për këtë komunë, Sali Morina. Ndërkaq, Kilaj me votat e elektoratit doli i treti në zgjedhjet e fundit të cilat u mbajtën më 1 dhjetor të këtij viti.
Ashtu siç është bërë zakon menjëherë pas zgjedhjeve filluan kritikat dhe akuzat për vjedhje votash. Por, diferenca e madhe e bëri të pamundur përmbysjen e rezultateve edhe pas numërimit të disa pikave të votimit.
I zhgënjyer dhe humbës me një rezultat jo edhe shumë të thellë është edhe Shukri Buja, i cili doli humbës karshi Imri Ahmetit nga Lidha Demokratike e Kosovës, e ku ky i fundit kishte një diferencë prej 2260 votash kundrejt ish-kryetarit të kësaj komune.
Kërkesa e të parit është krejtësisht e paarsyeshme, sado që me të komandant Bashota mundohet të paraqitet në opinion si njeri parimor.
Ndërkaq, kërkesat e komandat Kilajt e Bujës janë krejtësisht të pamoralshme dhe jonjerëzore, pasi që të dytë dalin kundër një mikut të tyre që dikur e kishin edhe idhull.
Kilaj, por edhe Buja gjatë gjithë fushatës parazgjedhore janë munduar që ta injorojnë fuqinë politike në terren të Fatmir Limajt, e ku që të dy kanë pasur besim se do t’i fitojnë bindshëm zgjedhjet.
Por, ashtu si është pritur i pari ra qysh në raundin e parë. E i dyti me strategji të njëjtë vazhdoi edhe në raundin e dytë ku rreth vetës i mblodhi pjesën dërmuese të partive të vogla. Por, edhe këta s’i bënë punë, pasi që sërish doli humbës.
Sikur komandat Bashota më këta dy shokët e tij të kishin bërë kritika, akuza, apo të kishin kërkuar përjashtimin nga partia të Fatmir Limajt gjatë fushatës, në një farë mënyre kërkesat e tyre ishin justifikuar. Mirëpo, pas humbjes ato janë të kota dhe të ulëta.
Rezultatet finale në Malishevë dhe Lipjan në një anë e kanë treguar fuqinë politike të Fatmir Limajt, e në anën tjetër kanë treguar ligështinë e Bujës e Kilajt.
Mirëpo, edhe më dhimbshëm është fakti se kërkesat e tre komandantëve në fjalë janë injoruar tërësisht nga shefi i partisë Hashim Thaçi.
Ky i fundit përmes bashkëpunëtorëve të tij, përjashto nënkryetarin Kadri Veseli, po e bën të pamundurën që Limaj e Jakup Krasniqi të rikthehen në parti. Shumë thjesht më mirë këta e njohin dhe ia dinë vlerën dhe dobësitë njeri-tjetrit, se sa elektorati i atyre.
Tek e fundit edhe humbja është për politikanë, pavarësisht se te ne një gjë e tillë është e vështirë të pranohet. Në Kosovë pushteti të ofron shumë beneficione.
Tashmë po dihet publikisht se paga është gjëja më e vogël që përfiton një zyrtar gjatë ushtrimit të një pozite të lartë publike, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.


