FIDANISHTJA

Kohë absurditetesh

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Nexhat Buzuku – Universiteti Publik i Gjilanit të mos shndërrohet në shkollë masive ku të përfshinë brenda tij (në studime) secilin që troket e që nuk ka suksesin e duhur. Ky universitet do të dal i dështuar nëse kuadri mësimor pranohet përmes politikës, klaneve, interesave grupore, kuadër pa dije, pa cilësi, pa vlera, siç e kemi gjendjen në nivel vendi. Nëse ky universitet nuk respekton cilësinë, të cilën e kanë dhe mund ta japin njerëzit me dije elitare, atëherë universiteti do të kthehet në një furrë që nxjerr bukën pa pjekë, sepse furrtari a furrtarët nuk e njohin zejen.

(“Lavdi marrëzisë!”, e kishte thënë dikur humanisti, letrari, filologu e filozofi holandez, që aq bukur i qëndron kohës sonë. )

Universiteti Publik i Gjilanit të mos shndërrohet në shkollë masive ku të përfshinë brenda tij (në studime) secilin që troket e që nuk ka suksesin e duhur. Ky universitet do të dal i dështuar nëse kuadri mësimor pranohet përmes politikës, klaneve, interesave grupore, kuadër pa dije, pa cilësi, pa vlera, siç e kemi gjendjen në nivel vendi. Nëse ky universitet nuk respekton cilësinë, të cilën e kanë dhe mund ta japin njerëzit me dije elitare, atëherë universiteti do të kthehet në një furrë që nxjerr bukën pa pjekë, sepse furrtari a furrtarët nuk e njohin zejen.

Misioni i njerëzve të shenjtë apo i shenjtërorëve është bamirësia, e misioni i informimit është respektimi i kodit etik në pasqyrimin e reales dhe përhapjen apo bërjen publike të saj. Mirëpo, nuk mund të pasqyrosh bardhë atë që është e zezë. U tha në nismë që pasqyrimi nga lajmësi, ai që shpërfaq dhe përçon lajmin, informacionin, ndodhitë, qoftë edhe për akëcilin problem të jetës, ka për detyrim të pasqyrojë në mënyrë të drejtë dhe të vërtet, të paanshme dhe objektive, por edhe nuk mund të hesht ndaj defekteve, sjelljeve devijante, veprimeve që bien ndesh me normat dhe rregulltat mbi të cilat ndërtohet dhe zhvillohet një shtet, një shoqëri. Letërshkruesit kryejnë një mision madhor kur pasqyrojnë drejtë dhe paanshëm, sikurse edhe atëherë kur vënë piketimin te e keqja që gërryen jetën qytetare dhe njerëzore, duke qenë në këtë mënyrë alarmues dhe korrigjues i të dëmshmes dhe i ndreqjes së saj.

Mirëpo, kjo nuk është esenca as detyra e këtij shkrimi. Antivlera ka nisur marshutën, vlerat janë prej kohësh në përmbytje.

Sot e këtu ka zënë fill dhe sikur është betonuar një diskurs nihilist, mosdurues, kundërshtues, injorues, poshtërues, thashethemnajë, përgojime e përflitje. Secili është kundër secilit, dhe asnjëri nuk bën, nuk është i mirë. Ose, mentaliteti gërryes se ai, tjetri, filani, fysteku është i keq, ai mendon ndryshe nga unë, etj. Ai, tjetri, është armiku, pra modeli i dikurshëm ideologjik. Këtë gjendje e ka pasqyruar më së miri filozofi anglez Tomas Hobsi me maksimat e njohura “Homo homini lupus est” (Njeriu për njeriun është ujk” dhe “Belum omnium contra omnes” (Të gjthë në luftë kundër të gjithëve). Tema e kësaj trajtese opinioniste është Universiteti Publik i Gjilanit. Pse? Në UPGJ nuk duhet lejuar interesat politike, klanore, farefisnore, duke i kufizuar që në nismë lirinë për të vepruar i pavarur, siç janë universitet e Evropës, e siç duhet të ishte ose së paku të niste të instalohej kjo autonomi e plotë universitare edhe te ne.

Dikush mund të pezmatohet, por realiteti dëshmon se jemi larg kësaj praktike funksionaliste të universitetit në nivel vendi.

Politikat për kuotat për studentët, për afatet, për regjistrimet janë përgjegjësi e Universitetit dhe jo e politikave lokale, qendrore apo rajonale. Universitetet nuk mund të shndërrohen në segmente të subjekteve politike, e nëse janë të tilla duhet të lirohen prej tyre.

Duam universitete që pranojnë studentë me kriter, për të prodhuar nesër kuadro të afta profesionalisht, edhe me dije universale, të kompletuar, që së paku kur të bëjnë një kërkesë, ankesë, një punim seminari (kërkim hulumtues), një temë diplome ta bëjnë vetëm dhe jo t’i lusin të tjerët.

Sa studentë do zërë ky universitet? Sa studentë do pranojë? E dinë sigurisht ata që bëjnë politikat e këtij universiteti. Universiteti duhet të respektojë kriteret e konkursit për secilin, pavarësisht nga vjen.

Në një letër dërguar mediave, Refik Hasani, këshilltar komunal, i cili jeton në Gjilan, kishte shkruar:”Në Universitetin e Gjilanit studentët nga Medvegja, Bujanoci e Presheva të jenë gati gjysma e të regjistruarve”. Nuk e kuptova edhe aq këtë titull të asaj që ai propozonte në vazhdim.

Tutje Refik Hasani ka thënë se në këtë universitet të kenë të drejtë të regjistrohen përveç studentëve nga Anamorava, edhe nga Medvegja, Bujanoci e Presheva, dhe nga pjesa e Maqedonisë – Kumanova e Likova.

Unë e respektoj interesimin e Refikut për t’i regjistruar sa më shumë ish-bashkëvendësit e tij nga Lugina në UPGJ, por të respektohen së paku kriteret e konkursit.

Disa propozime të këshilltarit Refik, dhe jo vetëm të atij, i kuptova qëllimmira, sepse ai ka vite që ka treguar aktivitet në fusha të ndryshme, sidomos në ujëra të zeza në lagjen e tij. Mirëpo, më duket paradoksale, absurde kur ai thotë se “studentët nga Medvegja, Bujanoci e Presheva të vendosen në konvikt dhe akomodohen pa pagesë, ose me një pagesë shumë simbolike”.

ARKATANA

Krejt në rregull, por çfarë të bëhet me ata që vijnë për të studiuar nga vendbanime të largëta, më larg se Bujanoci e Presheva. Ku t’i strehojmë vajzat udhëtare nga Sllakoci, Muçibaba…, ose ata që vijnë për të studiuar nga fshatra të largëta malorë të Kamenicës, ta zëmë nga Zajçec apo Tygjeci, rreth 100 kilometra rrugë kthyese. Çfarë të bëjmë me këta studentë i nderuar Refik. A nuk janë edhe këta studentë. Pastaj, Refiku ka edhe një propozim. “Po ashtu edhe për pagimin e semestrit dhe pagesave tjera kjo kategori e studentëve të lirohen nga pagesat, apo të paguajnë një pagesë shumë të vogël – simbolike”, e ka fjalën përsëri për studentë nga Lugina.

Refiku sigurisht e dinë se shumë familje në zona malore jetojnë me gjendje të vështirë ekonomike më keq se familjet në Konçul, Lluçan apo fshatra tjerë të Bujanocit e Preshevës. I nderuar, me çka ta paguajnë konviktin e semestrin a pagesat tjera ata studentë të Anamoravës me kushte të vështira, ose ku të strehohen nëse aty e mbushin me studentë nga komunat e lartpërmendura.

Madje në strehim – akomodim të studentëve nga Lugina kanë mundësi të ndihmojnë edhe familjet nga Lugina që tashmë jetojnë në Gjilan dhe kanë kushte solide ekonomike. Kjo do të ishte një zgjidhje për të cilën i nderuari Refik edhe do të kishte sukses, e në konvikt aq sa mund të ketë kapacitet të lirë, sepse aty ka nxënës e studentë të vendosur vjet e parvjet dhe nuk mund të nxirren jashtë.

Sipas Refikut, duke i siguruar këto kushte, “kështu krijohen kuadro, nëse dëshirojmë të ndihmojmë në arsimimin e qytetarëve të tri komunave”. Madje, Refiku kërkon që të gjithë nxënësit nga tri komuna (Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë) në universitete publike shqiptare të kenë të drejtën të regjistrohen pa provim pranues, dhe të shtohet numri i tyre, veçmas në drejtimet deficitare – Mjekësi, Juridik, Ekonimik, Gjeodezi e Kadastër, etj. Pra studentët shqiptarë nuk kanë nevojë të detyrohen të vrapojnë nëpër kolegje dhe universitete private.

I lexova dhe analizova hollësisht propozim – tezat, që krahas pyetjeve formulojnë edhe një përgjigje të mundshme. Krejt në rregull. Lugina edhe deri tani është shkolluar në Kosovë në nivelin universitar, por ka pasur dhe ka nxënës edhe në shkolla të mesme të Gjilanit. Sikur të ekzistonin kushte pse të mos ndihmoheshin në uljen e pagesave, por kjo gjendje, siç tha njëri nga anëtarët e Këshillit nismëtar të themelimit të UPGJ-së nuk mundëson që të akomodohen gratis e të mos paguajnë për shërbime.

Pse studentët nga Lugina duhet të regjistrohen pa provim pranues? Si është e mundur që studenti pa provim pranues të regjistrohet në drejtime deficitare, madje në Fakultetin e Mjekësisë…Refik, pse këta studentë të mos i nënshtrohen provimit pranues? Me meritokraci, vajtime, improvizime dhe mbushjen e universiteteve me analfabetë me diploma nuk ecet përpara, as krijohen kuadro të formuara, të përgatitura e profesionale, që nesër të mund të bartin barrën e zhvillimit shoqëror, arsimor, ekonomik, etj. Nuk mundet që njëri të futet në fakultet me provim pranues e tjetri pa të.

Krejt në fund, qëllimi këtu është që të mbështeten studentët nga Lugina, në mënyrë që ata që kanë sukses të mos mbeten jashtë universitetit, por në asnjë mënyrë të mos shndërrohet ky universitet në shkollë masive ku të përfshijnë brenda tij (në studime) secilin që troket e që nuk ka suksesin e duhur.

Secili le të zgjedh drejtimin për të cilin ka prirje, dhe jo të bëhet studentë i Fakultetit të Mjekësisë pa provim pranues vetëm pse është nga Lugina. Ka pasur një rast kur një nxënës me sukses të mirë, por edhe me nota dysha ishte interesuar përmes politikës të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Kjo nuk i ndihmon as Luginës as studentëve të kësaj pjese, por i dëmton.

Diploma duhet të jetë ekuivalente me dijen dhe anasjelltas, dhe letër – diplomë pa dije ku nuk mund të sfidohesh askund.

Edhe kuadri mësimor universitar duhet të përzgjidhet në mënyrë shumë profesionale dhe jo me letra kolegjesh apo me bërryla.

Ky universitet do të dal i dështuar nëse kuadri mësimor pranohet përmes politikës, klaneve, interesave grupore, kuadër pa dije, pa cilësi, pa vlera.

Nëse ky universitet nuk respekton cilësinë të cilën e kanë dhe mund ta japin njerëzit me dije elitare, atëherë universiteti do të kthehet në një furrë që nxjerr bukën pa pjekë, sepse furrtari a furrtarët nuk e njohin zejen.

Sinqerisht, jemi duke jetuar një realitet paradoksal, ku secili mendon se është mbreti dhe ligji, siç thoshte dikur Luigji i XIV.