Hidromorava

Koha për politika të qarta

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Sadri Ramabaja – Po vijnë çastet që edhe Kosova të formulojë në rrafshin teorik e të dëshmojë në planin praktik politika të qarta. VV nuk mundet dhe nuk duhet të mbetet jashtë skemës ku ngjizen, formohen e ekzekutohen këto politika. Përkundrazi, ajo duhet të jetë në ballë të këtyre politikave.

Njëri nga këshilltarët kryesor të kancelares gjermane, Angela Merkel, Andreas Shokenhof (Schockenhoff), natyrisht në emër të qeverisë gjermane, i kërkon krerëve të partive politike që pritet të formojnë qeverinë e re në Republikës e zënë peng, që të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Kjo kërkesë, në shikim të parë, duket se është krejtësisht në përputhje me filozofinë politike të Gjermanisë dhe BE. Por, në esencë, edhe Gjermania e edhe BE, e kanë të qartë se dialogu ishte krejtësisht asimetrik, madje tejet denigrues për Republikën e Kosovës.

Në këtë gjendje ku ndodhet ky dialog sot, kur edhe marrëveshjet e arritura Gjykata Kushtetuese e Serbisë i shpallë nul, insistimi për të ushtruar presion ndaj qeverisë në formim, duket anakronik. Si i dalë nga përrallat e Ezopit! Ndërkaq për ata që njohin hezitimin e Berlinit për veprim në rajon, sidomos pas akuzave të Francës dhe Britanisë së Madhe kundruall diplomacisë së Hnrih Gensherit në vitet e fillimit të zhbërjes së Jugosllavisë, sikur e kanë edhe më të qartë.

Por në jetën politike të çdo vendi fillimi ka një fund. Ky fund nuk mund të jetë i dobishëm për rajonin edhe nëse pretendohet të shmanget Vetëvendosja nga vendimmarrja në qeverinë e re të republikës. Imponimi i një qeverie të re pa këtë forcë politike, garantuese e vetme e shpresës dhe prosperimit progresiv të Republikës, gjithsesi se do ta largonte fundin e dëshirueshëm edhe nga vet Gjermania.

Me këtë insistim gjasat janë që të çimentohet ndarja e Kosovës. Deklarata e zyrtarit të lartë gjerman, disi e fut në një rrugë pa kthim Kosovën, e bën atë të ndjehet e lënë në mes ët rrugës. Rrjedhimisht ky veprim krijon predispozita reale për ndarjen e Kosovës.

Insistimi i Vetëvendosjes që të pezullohet dialogu dhe të rishikohen parakushtet për një rifillim eventual të tij, nuk do të duhej shikuar si kërcenim ndaj politikave evropiane në rajon. Përkundrazi, duke marrë në konsideratë talljen që iu bë shtetit nga zyrtarët serb me ngritjen e të ashtuquajturit “Park të paqes” mbi urën e Ibrit, ky pezullim bëhet mëse i domosdoshëm. Këtë fakt do të duhej ta kishte parasysh edhe z. Shokenhof, si diplomat i shkollës së Gensherit.

Gjermania me angazhimin e saj real në zgjidhjen e konfliktit tashmë të ngrirë në veriun e Kosovës, do të mund ët bëhej pjesë e planit real për etablimin e rajonit dhe integrimin e tij në BE. E kjo bëhet, jo duke imponuar vazhdimin e dialogut të kornizuar nga z. Aeshton dhe pasuesit e Milosheviqit dhe Sheshelit.

Rebelët serb në veriun e Kosovës nuk dallojnë shumë nga rebelët rus në Ukrainën lindore. Në vend të rërës këto ditë ata mbëltuan pemë e bari mbi urë. Megjithatë parimin themelor të lëvizjes së lirë vazhdojnë ta mohojnë. Kufizimin e sovranitetit të shtetit ata edhe pas 13 prillit 2013 vazhdojnë ta aplikojnë në terren, madje me zyrtarët e Beogradit në ballë! Nesër në vend të lopatave dhe bulduzherëve do të kenë snajperë dhe tankse – fundja kjo është mjeshtëria e tyre e vjetër.

Pyetja logjike që do të pasonte në raste të këtilla, do të ishte, se a ka mbetur vend për shpresë se dialogu tashmë i fetishizuar do të pasonte me shtrirjen e sovranitetit të shtetit edhe në pjesën veriore të Republikës? Duket se pjesëmarrësit në këtë dialog, por edhe ata që po e mbështesin, sa më shumë që po e lakojnë emrin paqë, aq më larg saj po na e largojnë veriun e Republikës!

Fundamenti

Rivendosja e barrikadës në trajtën që e pamë tashmë, flet se qeveria e Beogradit ka qëllime të qarta në Kosovë. Ndërkaq reagimi i mefshtë, politikisht irracional i Qeverisë ës Kosovës e bën më të qatë domosdonë e ripozicionimit të qeverisë në krijim, duke e shndërruar Republikën si subjekt real dhe serioz. Përndryshe, tallja mund ët vazhdojë. A do të bëhet ajo edhe me presionin e miqve tanë apo edhe pa të, pak rëndësi ka.

Duke ndjekur me vëmendje ngjarjet në Ukrainë, kam përshtypjen se jetojmë në një kontinent tjetër. Në një realitet politik ekzotik, larg Brukselit!

Operacioni i trupave „Anti-Terror” i Kievit ka marrë përmasa të gjera. Rrethimi i rebelëve prorus nga këta trupa është tipik për operacionet ushtarake në përfundim e sipër, sidomos në Slavjansk, pas rikthimit të qytetit port të Mariupol. Udhëheqja e lartë ushtarake ukrainase ka vënë në përdorim artilerinë e rëndë dhe flotën luftarake. Ajo po kryen detyrat kushtetuese në mbrojtje të Atdheut.

Megjithatë armata ukrainase ende nuk ka arritur të sigurojë kufijtë e vendit. Për këtë po intensifikon luftimet dhe po mobilizon ushtrinë dhe gjithë aparatin e saj të sigurisë. Të ashtuquajturat “Republika popullore ruse” tutje marrin armatim nga Rusia. Fati i Ukrainës mbetet tutje në peshojë.

Në Bruksel për këtë askush nuk ngre as edhe një dyshim se Kievi është duke vepruar në përputhje me interesat shtetërore dhe me të drejtën legjitime që gëzon çdo shtet kur i cenohet sovraniteti dhe integriteti i tij.

Ekipi dialogues i Beogradit, përmes marrëveshjes së 19 prillit 2013, ka arritur të shënjojnë vijat e interesit serb brenda Republikës së Kosovës. Në fakt, tashmë duket shqeto, se Asociacioni i Komunave Serbe është një segment i “Rusisë së re” të Putinit, që po skicon gjithandej ku jetojnë pakicat ruse në republikat fqinje.

Këtë trend duhet përmbysur gjithsesi. Kjo përmbysje është e mundur vetëm nëse përkohësisht ky dialog pezullohet dhe Prishtina rifillon ridefinimin e tij para së gjithash me Brukselin.

Në këtë kuadër Gjermania do të mund të luante rol të madh. Kjo është ajo që pritet ta bëjë Gjermania dhe jo presioni ndaj qeverisë në formim për vazhdimin e kursit antishqiptar të Beogradit përmes mëkëmbjes së “Rusisë së re” në veriun e Kosovës.

Po vijnë çastet që edhe Kosova të formulojë në rrafshin teorik e të dëshmojë në planin praktik politika të qarta. VV nuk mundet dhe nuk duhet të mbetet jashtë skemës ku ngjizen, formohen e ekzekutohen këto politika. Përkundrazi, ajo duhet të jetë në ballë të këtyre politikave./rajonipress/