RCCOLA

Koha e Agnesës

/ 25 minuta lexim
KKVITI

Një bukuri me tone mesdhetare, e brishtë dhe sensuale, njëkohësisht…10 vjet më parë me freskinë e moshës, Agnesa Vuthaj mori pjesë në konkursin e parë të bukurisë dhe aty jeta e saj u nda në dysh: para dhe pas miss-it. Pas 10 vjetësh, Agnesa, sikur e bën jetën në dy binarë. Ajo ka prekur ëndrrat duke shkuar dhe duke kaluar përtej imagjinatës. Dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Ndien se i ka energjitë për t’i bërë të gjitha…

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Agnesa Vuthaj ruan një sharm në të folur, një bukuri të lindur, një sinqeritet të kultivuar dhe një pamje për t’u krenuar! Është një vajzë ambicioze që ka ditur më së miri çfarë dëshiron në jetë dhe është në rrugën e duhur për ta realizuar katërçipërisht. Ka trashëguar një karakter të fortë, që e shfaq sa herë gjendet para sfidave. Ka një zgjuarsi të lindur dhe kjo kuptohet nga mënyra se si imazhin e saj e ka vënë në funksion të suksesit, gjithmonë me ekselencë.

Ne folëm me një Agnesë që i ka provuar të gjitha, të jetë një miss, modele e suksesshme, aktore, prezantuese, kërcimtare, dhe të jetë pjesë e shtëpive të modës më me emër në botë. Por, ajo nuk mjaftohet me kaq dhe shkon më larg… e bukur po, por edhe me mendje biznesi. Gjithmonë në industrinë e modës, një pikë që e zotëron shumë mirë. Fundja, kush më mirë se ajo mund t’u bëjë bujë krijimeve të veta?

Në këtë intervistë, Agnesa Vuthaj u rikthehet kujtimeve të saj, momenteve domethënëse që në jetë e kanë bërë atë që është sot.Agnesa, edhe pas 10 vjetësh të shpalljes suaj zyrtarisht Miss i Kosovës, ju vazhdoni të dukeni sikur të ishit shpallur sot. Si e keni ruajtur freskinë, bukurinë, buzëqeshjen karakteristike, madhështinë dhe krenarinë?

Besoj që bukuria e vërtetë është aura që reflektojmë. Unë kam dashur gjithmonë të reflektoj mirësi dhe kjo, mund të pranoj, është bukuria e vërtetë që do mbetet gjithmonë e freskët, edhe me kalimin e viteve. Ndërsa, buzëqeshja është një element që e kam që kur kam qenë vogël. Gjithmonë kam qeshur me shpirt, derisa krenarinë, them, që e kam trashëguar nga babai im dhe nga vendlindja e të parëve tanë. Kam përshtypjen që tek malësorët shfaqet më shumë ndjenja e krenarisë, e të gjitha këto elemente, jo vetëm tek unë, por te secili paraqesin një madhështi që u reziston viteve, por edhe dekadave.

Mbani një emër shumë melodik, të bukur dhe fisnik. Agnesa, cila është domethënia e saj dhe kush jua ka vënë, madje në një kohë, emrat nuk tingëllonin gjithaq modernë.
Emrin ma ka vënë motra ime e madhe, Arbëresha. Është një emër sa modern, aq edhe i vjetër. E gjejmë të përdorur nëpër kombe të ndryshme dhe me disa kuptime në enciklopedi, ka të bëjë me urtësinë dhe qetësinë. Po ashtu, edhe Nëna Terezë quhej Agnesë me emrin e parë (Agnesë Gonxhe Bojaxhiu). Por më ka pëlqyer ta personifikoj domethënien e emrit tim dhe t’i gjej një kuptim në shqip dhe e definoj si “agu i së nesërmes”.

Ju duket se keni qenë me fat që e mbartni këtë emër, i cili në njëfarë mënyre jua ka trasuar fatin në një rrugë të suksesshëm, të pandërprerë?
Jo gjithmonë emri është i rëndësishëm në rrjedhën e fatit. Por, është fakt që emri luan një rol të rëndësishëm, fillimisht personal nëse e pëlqen ose jo emrin, e pastaj edhe në karrierë, një emër që tingëllon mirë dhe shqiptohet lehtë, të ndihmon shumë.
Mua më pëlqen si tingëllon emri im, sidomos bashkë me mbiemër.Ishit futur në botën e modës qysh në moshën 17 vjeçe, madje edhe atëherë më një siguri dhe vetëbesim të paparë – ky që tevona shpërtheu si një vullkan plot zjarr. Sa ishte i vështirë depërtimi juaj në një mjedis pa traditë në këtë fushë.

Fillova shumë e re, them e re, sepse nuk kisha fare njohuri për botën e së bukurës në Kosovë. Në atë kohë ishte shumë më e vështirë të depërtoje, por edhe kishte shumë më pak mundësi sesa sot. Jam më fat që jam lindur në një familje tolerante, prindër që më kanë dhënë krah dhe me kanë lënë të lirë të zgjedh drejtimin, por edhe rrënjë të një fisnikërie të trashëguar ndër breza. Shumë vajza të rritura në fshat sikur unë, nuk e kishin fatin tim të kenë lirinë time, por unë e kisha dhe e ndoqa këtë rrugëtim, me shumë përkushtim dhe me shumë dashuri, me besim por edhe me mëdyshje. Tashmë e kam kuptuar që çdo sfidë në jetë është e tillë.

Një rol të rëndësishëm në këtë sukses timin kam pasur disa zonja që më kanë motivuar të jem pjesë e spektakleve të bukurisë, por edhe të korr suksese.
Është Nëna ime ajo që më tha Po-në e parë, një Po, pa të cilën sot nuk do isha këtu ku jam. Pastaj Qefsere Ibrahimaj mbante statusin e zyrtares kulturore për Komunën e Istogut dhe ambiciet e saj i përcolli tek unë duke më motivuar të merrja pjesë në Miss Peja.

Pas fitores së kurorës Miss Peja, pjesëmarrja në Miss Kosova ishte hapi tjetër i rëndësishëm për mua. Nuk e dija çfarë të prisja e as çfarë do të vlerësonte juria, por shfaqesha origjinale në çdo paraqitje apo intervistë. Tani e shoh që origjinaliteti im ishte dhe vazhdon të jetë një element që vlerësohet.

Në natën finale të Miss Kosova 2003 u shpërbleva me tre tituj: Miss Press, Miss Publiku dhe Miss Kosova. Ishte Odesa Nuiqi ajo që më menaxhoi një kohë si Miss Kosova, duke më ofruar një kontratë pune si modele, por edhe pjesëmarrje e prezantime si Miss në Evropë. Ajo ishte një vajzë e re, por më aftësi të larta menaxhimi, madje kishte hapur e para rrugën e përfaqësimit të Kosovës në konkurse ndërkombëtare, të cilat nuk e kishin pranuar pjesëmarrjen e Kosovës si shtet më herët.

Rrugëtimi im i bukurisë vazhdoi me Miss Albania, një spektakël i bukurisë mbarëshqiptare, një organizim i mundësive të mëdha për mua, një hap i ri për të përfaqësuar bukurinë e të gjitha trojeve shqiptare në botë. Ishte Vera Grabocka ajo që më dha këshillat më të rëndësishme për karrierën time, vazhdoj t’i aplikoj akoma, çdo ditë. Një grua e fuqishme, që zbuloi tek unë jo vetëm bukurinë, por edhe një karakter dinjitoz, të përkushtuar në punë dhe në sukses, më besoi shumë projekte të rëndësishme në vitet e ardhshme dhe i jam mirënjohëse gjithmonë.

Jeni zgjedhur “Miss Kosova 2003” dhe “Miss Albania 2004”. Shpallja dy herë miss ju ka dhënë kurajë dhe fuqi për të realizuar me sukses e besnikëri çdo gjë që e keni synuar dhe ëndërruar.

Patjetër që po. Në fillimet e mia unë nuk besoja në bukurinë time dhe, në fakt, nuk kisha një koncept të saktë për bukurinë dhe nuk e dija se çka kërkonte juria, çfarë bukurie pëlqehej në spektaklet e bukurisë në Kosovë.

Kurorëzimi Miss Peja e pastaj Miss Kosova ishin si një ëndërr e bukur për mua. Pas kurorëzimit Miss Albania, fillova të ndihem vërtet e bukur, të kem më shumë besim dhe kurajë që të prezantoj bukurinë time dhe të të gjitha vajzave shqiptare në vend dhe në botë.

Në përfaqësimin e Shqipërisë në Miss Bota 2004 dhe në Miss Universe 2005, unë dhashë maksimumin tim të përfaqësoja bukurinë dhe vlerat e femrës shqiptare, në të kaluarën dhe të tashmen. Dëshiroja që secila vajzë shqiptare të shihte tek unë një pjesë të vetes dhe ta ndiente edhe ajo sado pak rrugëtimin tim të bukurisë në botë.Të bukurat, zakonisht janë edhe humaniste të mëdha. Ju më 2001 keni punuar për Kryqin e Kuq të Kosovës duke ndihmuar familjet e varfra, fëmijët jetimë dhe të tjerë.

A mendoni që këtë mision ta vazhdoni, ndoshta duke themeluar vetë ndonjë shoqatë bamirësie?

Kam pëlqyer gjithmonë aktivitetet humanitare dhe ato të fushave të ndryshme sociale, kam dashur gjithmonë te ndihmoj ndryshimin për të mirë në rrethin ku kam jetuar. Si nxënëse aq mundësi kisha, të isha vullnetare në organizatat e udhëhequra nga të tjerët.

Më vonë kisha fatin të kem mundësitë të nis e të zhvilloj vetë aktivitet humanitare, nëpërmjet pjesëmarrjeve të mia si Miss, pastaj nëpërmjet organizimit të spektaklit Miss Kosova, nëpër udhëtime bashkë në organizime ndërkombëtare si dhe në shumë raste të tjera, mbase jo publike, por që individë apo familje vazhdojnë të më falënderohen gjithmonë.

Një shoqatë humanitare, për ngritje të fondeve në ndihmë atyre që kane nevojë, është një dëshirë e vjetër imja dhe jam e bindur që do e realizoj në të ardhmen, shpresoj sa më shpejt. Do të më lumturojë mua fillimisht nëse do të kem mundësi të ndihmoj në vazhdimësi shoqërinë në nevojë, e pastaj të gjithë ata që do të përfitojnë direkt nga kjo shoqatë.

Nga shpallja Miss Kosova 2003, kishit marrë përsipër barrën e organizatores së konkursit Miss Kosova 2006. A mund të na tregoni se a është më e vështirë të jesh miss, apo organizatore e misit?
Fillimisht, të dyja ishin eksperienca të para për mua, sa të vështira aq edhe të bukura. Tani duke pasur përvojë shumëvjeçare si Miss dhe si Drejtoreshë e Miss Kosovës, them që organizimi është më i vështirë për mua, sepse më duhet të merrem jo vetëm me spektaklin, por edhe me imazhin e paraqitjen sa më të mirë të secilës pjesëmarrëse, e pastaj të përkujdesem për përfaqësimin sa me dinjitoz të Miss Kosovës dhe Kosovës në konkurset e rëndësishme të bukurisë ndërkombëtare.
Imazhi im është i ndërlidhur më atë të misseve çdo vit, prandaj është një angazhim i dyfishtë, që të dalim mirë të dyja palët, ato dhe unë, e patjetër edhe vendi ynë, për të cilin punojmë fort që ta promovojmë në botë.

E keni provuar veten edhe në politikë, bile keni edhe diplomuar në këtë fushë. Por duket se shpejt jeni ngopur me të, sepse, mbase e keni kuptuar se politika nuk qenka art i së mundshmes…

Sot e pyes veten shpesh pse kam studiuar shkencat politike. Ndonëse ishte një fakultet që e studiova me shumë dëshirë, përkushtim dhe u diplomova me një notë shumë të lartë mesatare, e kuptova herët që politika nuk do të jetë profesioni im, të paktën në ketë dekadë. Sidoqoftë, krahas studimeve, mbaj mend shumë këshilla të rëndësishme nga profesorët, edhe vetë Universiteti Fama ishte në fillimet e tij dhe sot e kujtoj si një shembull suksesi, nga një Universitet i vogël me pak studentë, është zgjeruar në gjithë Kosovën dhe ka nxjerrë shumë studentë që sot janë udhëheqës shumë të suksesshëm.

Jeni e diplomuar edhe në degën e komunikimit masiv. A do të thotë se do të provoni të ‘pushtoni’ edhe mediat për t’ua shtuar sharmin e një bukurosheje komplete.
Studimet në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe të Gazetarisë pranë Universitetit AAB, më kanë ndihmuar shumë në karrierën time publike.

Unë kam qenë herë pas herë pjesë e mediave televizive, gjithashtu i pëlqej shumë edhe mediat e shkruara. Besoj që në të ardhmen do të vij me një projekt timin televiziv, për të cilin ka kohë që jam duke punuar në heshtje.Ju pamë edhe në spektaklin televiziv ‘Dancing With the Stars Albania”, ku kishit treguar shkathtësi prej një kërcimtareje lozonjare. A po gjeni hapësirë për t’i dëshmuar sërish shkathtësitë e tua prej një vallëzuese vezulluese?

E kam shijuar pafundësisht vallëzimin dhe të qenët pjesë e formatit Dancing with the Stars, por besoj që vallëzimi është diçka që filloi dhe mbaroi në skenën e DWS për mua. E vlerësoj atë eksperiencë për miqtë që fitova gjatë pjesëmarrjes sime, për mësimet për vallëzimin. Ishte një projekt që ndikoi shumë në ngritjen time individuale dhe në projektet që vijuan si shkas i të qenit personazhi më i preferuar i publikut në DWS 2011.

Çka ishte determinuese që bindi regjisorët që t’ju angazhojnë edhe në film, krahas aktoreve të tjera të dëshmuara dhe me nam?
Në film është e rëndësishme bukuria, por edhe origjinaliteti. Për mua ishte nder të luaja krahas aktorëve të njohur e sidomos pranë Znj. Margarita Xhepa. Unë u përkushtova shumë në skenarin e filmit, por edhe mora këshillat e nevojshme nga regjisori dhe aktorët profesionistë me të cilët isha në rolet kryesore dhe u gëzova shumë që filmi u pëlqye dhe fitoi disa çmime në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare.

Si jeni ndier nga ky angazhim dhe a do të thotë se keni fituar vetëbesim edhe për aktrim?

U ndjeva mirë, pasi që filmi u pëlqye, sepse isha pak në dilemë nëse duhej ta pranoja ofertën apo jo. Mendoja që do ta kisha të vështirë të luaja krahas aktorëve më të njohur shqiptarë. Unë, provova aktrimin për herë të parë, por talenti dhe përvoja e tyre më ndihmuam të ndihem rehat dhe të luaj pjesën time më së miri. Fitova vetëbesim, e pashë që aktrimi në film është pak a shumë i njëjtë me aktrimin në xhirime reklamash, por vetëm ndryshon situata. Edhe profesioni i modeles kërkon shkathtësi aktrimi.

Mobi Casa

T’i kthehemi edhe një herë bukurisë. Edhe pse kanë kaluar dhjetë vite nga ngritja juaj në fronin e bukurisë, ende jeni sinonim i bukurisë dhe i modestisë.
Jam e lumtur që edhe me kalimin e viteve, unë vazhdoj të pëlqehem, si nga gjenerata ime, po ashtu edhe nga gjeneratat e reja që kanë qenë fëmijë kur unë jam kurorëzuar Miss Kosova. Sidomos gëzohem kur vlerësohem nga më të vjetrit. Është fakt që modestia ime ka qenë një element i rëndësishëm që publiku e vlerëson gjithmonë.

Gjithmonë jeni munduar që të bini në sy me bukuri natyrale dhe jo nëpërmjet zhveshjeve gati banale. A e mbani ende këtë qëndrim dhe a keni gjykim për ato që zhveshjen e konsiderojnë si kapitalin e vetëm më të çmuar për të depërtuar?

Veshja paraqet një anë të karakterit, dëshirën për t’u dukur bukur apo për të tërhequr vëmendje. Unë e kam dashur gjithmonë stilin më klasik të veshjes dhe kam adhuruar thjeshtësinë dhe pastërtinë në veshje. Nuk kam preferuar asnjëherë që veshja të jetë ajo që bie më së shumti në sy, e preferoj një harmoni mes veshjes, grimit të lehtë dhe stilimit elegant të flokëve.Emri juaj lidhet me shumë evente, si konkurset e bukurisë, pasarelat, prezantimin, aktrimin, stilizimin, madje edhe politikën. Por, sikur nuk mjaftoheshit me kaq, prandaj këtyre ditëve ju shohim edhe me një biznes privat…

Edhe biznesi im i ri lidhet shumë më të bukurën. Më 29 nëntor kam hapur dyert e butikut ‘Agnesa Vuthaj Fashion’ në Prishtinë, ku ofrojmë veshje të bukura, për përditshmëri, për punë, për takime zyrtare, por edhe për festa. Eleganca dhe klasi i karakterizojnë veshjet tona unike ‘Made in Italy’. Gjithashtu kemi fustane festive dhe skenike, unike dhe punë dore, me gur dhe rruaza të çmuara, të dizajnuar dhe të punuar në dorë për më shumë se 52 ditë, enkas për ‘Agnesa Vuthaj Fashion’.

Ndonëse ju jeni e bukur me ‘letra’, prapëseprapë hetohet syri magjik i mjeshtrit të fotografisë, i cili i përcolli me besnikëri veshjen tuaj me shumë shije në këtë set fotografish.

Ishte një set fotografish i realizuar në orët e vona të mbrëmjes, pasi që secili nga ne, unë, fotografi, stilisti i flokëve e grimerja kishim mbaruar angazhimet tona ditore.

Ishte hera e parë që bashkëpunova me Dini Begollin për një set fotosh dhe mund të them që jam e mahnitur nga talenti dhe puna e tij. Ndihem me fat që seti im i parë fotografik për markën ‘Agnesa Vuthaj Fashion’ u realizua nga një fotograf i zellshëm e gjithsesi për median më të vizituar – Telegrafin.

Meqë jeni futur në botën e modës, sa po arrini të përcillni trendët dhe cilat janë ato?
I përcjell gjithmonë trendët, por e pëlqej klasiken, veshjet që u rezistojnë trendëve të vazhdueshme. Prandaj, edhe në butikun tim jam e koncentruar më shumë tek veshjet që i karakterizojnë klasi dhe eleganca, më shumë sesa trendi aktual.

E zgjidhni gardërobën varësisht disponimit që e keni në momentin e blerjes?
Gardërobën për vete e zgjedh varësisht për rastet në të cilat do ta vesh. Por, tani konsideroj që kam një detyrë më të madhe, të përzgjedh gardërobë për të gjitha zonjat të cilat e vlerësojnë pamjen e tyre, duan të duken bukur dhe të vishen me materiale të rehatshme dhe veshje unike të një kualiteti të lartë.

Butiku juaj është i furnizuar vetëm për femra. A parashihni që të sillni edhe për meshkuj dhe, nëse po, si do të dukej një mashkull i veshur tek ju?
Gjithmonë kam marrë shumë komplimente për veshjen time në këto 10 vite përplot me paraqitje skenike. Andaj, kam dashur të filloj me veshje për femra, sepse dua që edhe klientet e mia të kenë mundësinë të vishen bukur edhe pa udhëtuar jashtë vendit për të blerë gardërobë.
E për meshkuj, kam një këshillë të vetme, të vishen me më shumë ngjyra, t’i shtojmë jetë vendit tonë, të paktën me veshje shumëngjyrëshe.

Mbani primatin e një femre me stil. A është e mundur të ndërtohet stili me pak para?
Po, unë stilin tim e kam krijuar me shpenzime minimale. Është e rëndësishme shija.

Jeni në fazën më të mirë krijuese. Çka presim në një të ardhme të afërt?
Viti 2013 ishte një vit i ngarkuar, me shumë punë, me projekte të mëdha dhe me fare pak ditë pushimi. Në të ardhmen e afërt do të vazhdoj t’i zhvilloj projektet e filluara dhe, për të krijuar diçka të re, më duhet edhe një periudhë relaksi dhe frymëzimi.Po kalojmë te sfera më e rëndësishme e jetës sikurse është dashuria. Tek ju fitohet përshtypja se arti ju ka mbërthyer të tërën, por duket se artin e dashurisë e keni harruar, sepse nuk ju shohim të angazhuar (të shoqëruar). A është kjo pyetje me vend?
E paskeni thënë shumë bukur që sfera më e rëndësishme e jetës është dashuria. Unë çdo gjë e bëj me shumë dashuri dhe arti dhe krijimtaria ime po më ndihmojnë të ndihem e plotësuar.

E keni në ide tipin mashkullit të preferuar. Si do të dukej ai nga një imagjinatë në nivel përrallor në një realitet jetësor?
Nuk kam një ide fikse për tipin e preferuar të mashkullit, është e vështirë ta përshkruash apo të flasësh për një person që nuk e ke takuar akoma… Për këtë çështje unë filloj të mendoj vetëm kur më pyesin gazetarët, e kam të vështirë të shpreh një përcaktim, por mbi të gjitha duhet t’i përkas reales, nuk pres një princ si në përralla, pasi që as jetën time s’e konsideroj përrallore.

Një hulumtim e ka shuar mitin se femrat kalojnë orë të tëra para pasqyrës për të tërhequr vëmendjen e meshkujve. E vërteta është krejt ndryshe – femrat zbukurohen për të joshur vëmendjen e femrave të tjera. A mendoni se meshkujt nuk janë aq të kriter për të vlerësuar bukurinë femërore, sikurse pretendojnë femrat?
Nëse je femra e vetme pranë një mashkullit, pa dyshim që je krijesa më e bukur nga të dy, por kur je e rrethuar me femra, atëherë shtohet dëshira për dukur bukur edhe pranë një femre tjetër të bukur. Grimi, stilimi i flokëve dhe veshja janë elemente të rëndësishme në dukjen e femrave, andaj femrat që e vlerësojnë pamjen e jashtme i japin një rëndësi të veçantë pasqyrës për t’u bindur që janë të bukura.
Unë për vete mendoj që femra është krijesa më e bukur dhe e tillë duket në çdo moment të ditës, por dhe të natës.

Për shkak të obligimeve të shumta afariste, a pëson jeta juaj emocionale?
Unë e kam jetën të përmbushur me emocione dhe dashuri dhe ndihem e plotësuar edhe pa dashurinë e një mashkulli. Jam mësuar me vetminë dhe e pëlqej, mbase nuk e di siç është ndryshe.

Cili është argëtimi juaj i preferuar i orëve të pasdites apo i orëve të para të mbrëmjes?
Orët e pasdites apo edhe mbrëmjet më pëlqen t’i kaloj me shoqet e mia, duke biseduar tema të ndryshme, por edhe duke ndërmarrë aktivitete të ndryshme argëtuese.

Çka do të dëshiroje të kishe në këto çaste, diçka që të mungon?
Do doja ta kisha pranë babanë tim, që ka ndërruar jetë, më mungon shumë dhe mundohem ta kthej gjithmonë përmes kujtimeve. Besoj që kujtimet të ndihmojnë të kthesh në jetë momente të rëndësishme që nuk mund t’i rijetosh.

Cila është ajo që më së vështiri e ke mësuar në jetë dhe për jetën?
Mbi të gjitha, jeta është e bukur, një rrugëtim plotë ngjyra, pa të zezën e bardha s’do ta kishte rëndësinë që ka, edhe ngjyrat e bukura të ylberit vijnë vetëm pas shiut. Nga jeta mësoj çdo ditë, dhe besoj që gjithçka vjen në momentin e duhur, çdo vështirësi kalohet me kohë dhe çdo e mirë vjen në kohën ideale.

Jeni adhuruese e leximit, mbase për ju leximi është një variant i kënaqësisë, i thyerjes së monotonisë, por edhe i begatisë dhe i mençurisë.
E adhuroj leximin, madje shpesh mërzitem kur nuk kam kohë të lexoj aq sa dua. Edhe kur udhëtoj ose kam pushim, gëzohem për të kaluar orë të tëra duke lexuar.

A jeni ithtare e ushqimit të shëndetshëm dhe sa kohë u kushton kujdesit për trupin dhe ushtrimeve?
Ushqehem vetëm shëndetshëm, sigurisht që bëj ndonjë përjashtim në kohë festash, apo kur jam shumë e zënë me punë dhe e kam të pamundur të kujdesem për ushqimin. Por pas një ditë të ushqyer jo shëndetshëm vijojnë shumë ditë me ushqim të duhur dhe me ushtrime shtesë.

Ka paragjykime se të bukurat nuk dinë të gatuajnë. A e demantoni ju këtë?
Gatimi ka të bëjë me dëshirën për ushqim të shijshëm dhe është një art në vete. Unë mendoj që kushdo që gatuan me pasion, ka një shpirt plot jetë dhe dashuri.

Jeni adhuruese e udhëtimeve, cili vend gjithmonë nxit kërshërinë, e cila lexohet në buzëqeshjen dhe në fytyrën?
Pëlqej shumë detin dhe diellin dhe në mesin e këtyre ditëve të ftohta e plot angazhime, do të buzëqeshja më mirë në diell e det’

Fakti që keni udhëtuar shumë, çfarë ju ka mësuar?
Kam mësuar se nëse dëshiron të njohësh më mirë një vend dhe një kulturë duhet të udhëtosh vetëm.

Thonë se njerëzit me kalimin e kohës ndryshojnë. A ka diçka te ju që po i reziston kohës?
Imazhi im u ka rezistuar viteve, ka ardhur duke u plotësuar e duke u përmbushur, një karrierë për të cilën kam punuar fort dhe kur e shoh të vlerësohet nga publiku, motivohem të punoj edhe më shumë. Kam ndryshuar me kohën, por në kuptimin pozitiv gjithmonë.

A ju tremb mosha kur një ditë nuk do të dukeni kaq e këndshme sa sot?
Ndonëse jam njohur si Miss në syrin e publikut, bukuria asnjëherë s’ka qenë elementi bazë që më ka karakterizuar. E këndshmja është një vlerë përtej së bukures. E këndshmja nuk njeh moshë. Unë çdo ditë e më shumë ndihem më mirë me veten time dhe më e realizuar.

Po a ka Agnesa dilema, pakënaqësi?
Kam dilema herë pas here, para fillimit të një projekti të ri, por kur përcaktohem për një punë, përkushtohem 100% dhe punoj pa u ndalur dhe me shumë vullnet deri në realizim.

Sigurisht që kam edhe pakënaqësi, sepse jo gjithmonë punët shkojnë mbarë. Dilemat dhe pakënaqësitë i kaloj duke i diskutuar me personat e afërt dhe duke gjetur zgjidhjen e adekuate.Thuhet se bukuria mund të gjitha sfidat, mund çdo vështirësi?
Thuhet që bukuria është dhuratë, por ndonjëherë është edhe mallkim. Historikisht femrat e bukura kalojnë një jetë mes adhurimit dhe urrejtjes, mes dëshirës për t’i pasur dhe lakmisë për të qenë në vendin e tyre.
Mua bukuria më ka ndihmuar të fitoj titujt e bukurisë, por sfidat e tjera nuk pyesin për dukjen, por për përkushtimin, disiplinën dhe vendimet e duhura në momentin e duhur.

Na tregoni, për fund, çka nuk ia falni vetes e çka të tjerëve?
Unë fal gjithmonë, veten dhe të tjerët. Dua ta kem shpirtin tim rehat dhe të qetë. Jemi njerëz dhe gabojmë, i fal gabimet, por kjo nuk do të thotë që mund të vazhdoj të besoj njësoj ose të krijoj një marrëdhënie të shëndoshë mbi gabime të mëdha.

Për çka do ta mbani në mend vitin 2013 dhe çka dëshironi të arrini më 2014-n?
Tani, në fund të 2013-s, kthehem dhe e kujtoj gjithë vitin, ishte një vit i bukur, do ta mbaj në mend për spektaklin Miss Kosova 2013, që në bashkëpunimin me Fadil Berishën organizova për herë të parë edhe Miss Kosova Universe. Pastaj për herë të parë fitova edhe të drejtën e të përzgjedh Miss Earth Albania dhe të mundësoj përfaqësimin e Shqipërisë në Miss Earth. Ndërsa, së fundi edhe biznesi i ri ‘Agnesa Vuthaj Fashion’ ishte një projekt për të cilin kam filluar të punoj qysh vitin e kaluar dhe jam e lumtur që u realizua këtë vit dhe aktualisht jam e koncentruar maksimalisht. Kam kaluar edhe shumë momente të bukura me familjen time, me shoqet e mia, udhëtime argëtuese e shumë çaste të hareshme që e kanë plotësuar më së miri këtë vit. Uroj që 2014-a të jetë një vazhdim i mbarë i angazhimeve të këtij viti dhe uroj të jetë vit i surprizave të këndshme.
Unë dua që t’u uroj të gjithë lexuesve të Telegrafit festat e fundvitit dhe një 2014 plot shëndet e dashuri! /Telegrafi/

Foto: Dini Begolli
Grimi dhe flokët: Arta & Nagipi