Uji Dea

Koalicioni VV-LDK, “ndryshimi” që do t`i sjell Kosovës gati një vit qeverisje

/ 4 minuta lexim

Nga Ardian Azemi – Nuk ka datë për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), dhe kjo për mendimin tim nuk përbën ndonjë risi, është vazhdimësi e përpjekjeve të qëllimshme nga liderë të shteteve të BE-së për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor. Imagjinoni ku është Kosova në këtë proces, dhe çka na pret..?! Ti kthehemi vetvetes. Kaluan shumë ditë nga zgjedhjet e parakohshme nacionale në Kosovë.

Një proces zgjedhor shembull edhe për vendet me demokraci të avancuar, mos të flasim për këto të rajonit. Fushatë e qetë, korrekte, pa fyerje, etiketime, shantazhe, për tu kurorëzuar me një të diele zgjedhore të paparë deri më tani. Deri këtu, gjithçka në rregull. Nuk e di nëse do të kemi mundësi ta gjejmë një formë më të mirën e mundshme që të jemi në rregull edhe pas ditës së zgjedhjeve. Sinqerisht, komisionerët janë ata që po e prishin procesin, madje më befason edhe guximi i tyre ta bëjnë këtë duke e diturë se me çfarë pasoja mund të përballen. Dy herë po ua marrim të drejtën qytetarëve për ta shpreh vullnetin e tyre.

E para; gjithmonë i rekomandojmë se për kënd duhet votuar, dmth i merret e drejta për shprehje të lirë të bindjes së tij, dhe e dyta; ia tjetërsojmë vullnetin gjatë numërimit. E gërditshme! Kosova po pret certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve fillimisht, e më pastaj të ndodhin koalicionet për formimin e institucioneve të reja të Republikës. Shumë normale kjo, meqë diferenca nuk është e madhe ndërmjet dy partive të para. Formimi i institucioneve është puna më e lehtë e mundshme.

Çështja është se sa do të jenë të gatshme institucionet e reja të Kosovës me u përballë me temat që e presin..?. Këtu është problemi kryesor! Ne nuk e dimë cili është programi i dy partive të para e që pretendojnë të qeverisin me vendin, për zhvillim ekonomik, arsim cilësor, për shëndetësinë, bujqësinë, punësimin, etj. Sinqerisht nuk e dimë, sepse nuk është votuar për programe, është votuar për lider, madje as për kandidatë për deputetë jo, kryekëput për lider.

KKVITI

Hajdeni ta provojmë edhe këtë, ta shohim çka po bën. Deri dje kanë akuzuar se Çakorri e Kulla iu kanë dhënë Malit të Zi dhe se nuk ka shanse të rikthehen më. Ndërsa sot, deklarojnë se do t’ia kthejnë që të dyjat Kosovës. Më duket jo parimore kjo. Po deklarojnë se koalicioni VV-LDK, janë alternativa e vetme, janë ndryshimi. Nuk po arrijë ta kuptoj çfarë ndryshimi mund të sjellë një koalicion me LDK-në..?! Ndoshta jam i vetmi që nuk po e kuptojë e më hiç ta besojë.

Dikur e kanë akuzuar LDK-në për korrupsion në komunën e Prishtinës, madje i kanë përmendë dhjetëra dosje nëpër gjykata. Sot, e shohin si partner të koalicionit i cili po e sjellka ndryshimin në Kosovë. Atëherë, nëse VV tërëhiqet nga deklaratat e dikurshme kundër krerëve të LDK-së, le ta thonë këtë, marre nuk është, nëse VV qëndron edhe më tutje pro atyre deklaratave, atëherë është rrenë që thonë se jemi ndryshimi. Qeveria e re e Kosovës ka mandat vetëm për ti nënshkruar marrëveshjet me Sërbinë. Kushdo që flet për zhvillim ekonomik, ç’kapje të shtetit, luftë kundër korrupsionit e nepotizmit, arsim cilësor e vende të reja pune, veç rrenë. Këto janë muhabete koti.

Qeveria e re do të ballafaqohet me kompromise, me dokumente të dakorduara qysh moti. Mund të mos e besojnë tani, por shpejtë do të përballen me to. Pak rëndësi ka a do të jetë kryeministër Albin Kurti, apo eventualisht Vjosa Osmani. E keqja është se deputetët e rinjë nuk do të arrijnë tu njihet mandati i deputetit. Qofsha i gabuar!