Koalicioni që i jep mësim LDK-së
Nga Milaim Shefkiu -Pavarësisht që zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare nuk po shihen në horizont, kjo nuk u ka penguar dy ish-udhëheqësve të Kosovës të vitit 2005, Ramush Haradinajt dhe Nexhat Dacit, që të lidhin një koalicion parazgjedhor.
Edhe pse në fillim ky partneritet duket si një ekuacion me disa të panjohura, megjithatë, në matematikën e thjeshtë ka nxjerrë një përfundim. Ky koalicion ka dëshmuar se lideri i AAK-së, i ka hyrë përnjëmend garës zgjedhore dhe se i ka marrë seriozisht zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por edhe ato lokale.
Nëse Ramushit i ka shkuar përpjekja huq, për të bashkëqeverisur me PDK-në e Hashim Thaçit, ai nuk do ta lëshojë nga rasti edhe një mundësi tjetër. Prandaj, Ramushi po kërkon njerëz që mund t’ia sjellin ndonjë votë dhe mund ta forcojnë subjektivitetin e partisë së tij, karshi partive të tjera.
Pra, Ramushi po del se është më strateg sesa liderët tjerë, pavarësisht se ka një elektorat pak me të vogël sesa PDK dhe LDK. Me partneritetin që ka krijuar me Nexhat Dacin, Ramushi synon “majën e ajsbergut” dhe përpjekjet në këtë drejtim i ka nisur shumë kohë më herret sesa që po mendojnë të tjerët.
Edhe Nexhat Daci nuk ka dalë humbës nga kjo marrëveshje. Edhe ai do ta zërë një vend të konsiderueshëm në listën zgjedhore të AAK-së, madje një mundësi reale për t’i bashkuar qeverisjes së ardhshme. Nëse në Kosovë janë krijuar dy parti rivale, LDK dhe PDK, atëherë AAK bashkë me LDD-në, mund të konsiderohen si çelësi i koalicionit të ardhshëm.
Tandemi Daci-Ramushi ia ka dërguar një sinjal partisë së Isa Mustafës, LDK-së, se partia duhet të çelet, ta harrojë të shkuarën dhe të mendojë për të ardhmen. Nëse LDK ka zhvilluar disa takime me LDD-në dhe nuk ka arritur të krijojë një marrëveshje, kjo parti është bërë për studim.
Nuk bën të ngulet këmbë vetëm në qëndrimet dhe idetë e saj, por të lëshohet pe, ndryshe, opozitën e kanë të sigurt. Nëse lideri i AAK-së ka arritur të lidhë marrëveshje me LDD-në për një ose 2 takime, pse nuk ka arritiur marrëveshje Isa Mustafa për disa takime. Ramushi pardje iu ka dhënë një leksion se si duhet vepruar në pluralizëm, duke dëshmuar se punët që janë me interes, kryhen shpejt. Madje është veti e politikanëve, se kur janë në pyetje interesat e partisë, nuk mbajnë zili, edhe nëse janë konfrontuar e sharë më herët.
Të gjithë e dinë se Nexhat Daci e ka akuzuar partinë e Ramush Haradianajt dhe vetë Ramushin, se nuk është treguar parimor atëherë kur Dacin e larguan nga Kuvendi nën justifikimin se është anti-amerikan. Mirëpo, ajo ka qenë e shkuar e harruar. Tani, ose duhet bashkuar, ose duhet përqafuar opozitën dhe duke qëndruar nën hije, sikurse gjenerali Nesh që e shikon nga lart shpartallimin e ushtrisë.
Derisa Isa Mustafa nuk tregohet më i hapur, me liberal dhe më vizionar, e ka shumë të vështirë të krijojë koalicion sot, ose edhe bashkëqeverisje nesër, sepse ato parti që bashkohen, duan favore… Prandaj, nëse nuk je i gatshëm ët bësh kompromiset sot, kur nuk ke obligime, nesër e ke edhe më vështirë, sepse duhet ndarë tortën para ushqimit.
Po ashtu si model për fitore, duhet të shikohet dhe koalicioni në Shqipëri ndërmjet Edi Ramës dhe Ilir Metës. Ky i fundit nuk ka lanë gjë të zezë pa thënë për Ramën, me sharje, akuza e banalitet. Mirëpo e shkuar e harrur. Para disa ditësh e lidhën koalicionin dhe sipas parashikimeve, në zgjedhjet e qershorit do ta pensionojnë Sali Berishën.
Edi Rama ka qenë i vetëdijshëm, se nëse vazhdon me kryeneçësi, e ka edhe një mandat mbetjen në opozitë, nëse bashkohet me LSI-në, mund ta arrijnë fitoren. E jep të dhimbshmen, por e fiton të kajshmen. Në rastin e Kosovës, ndarja ndërmjet LDK-së dhe LDD-së ka qenë më ndryshe, sepse janë përdorur edhe karriget në dhunën fizike. Hasmi që është burrë e fal gjakun, ndërsa ai që nuk ka burrëri të lë zvarrë gjithë kohën.


