Koalicioni PDK – AAK, i dëmshëm për Kosovën

Përderisa zyrtarë nga PDK-ja kanë mirëpritur deklaratat e Ardian Gjinit se AAK-ja do ta shqyrtojë mundësinë për bashkëqeverisje me partinë e Hashim Thaçit, duke vlerësuar se një koalicion i tillë është pozitiv dhe forcon institucionet përballë problemeve të mëdha me të cilat ballafaqohet vendi aktualisht, në anën tjetër analistë politik dhe opozita mendojnë se një koalicion i tillë i formuar nën presionin e Bashkësisë Ndërkombëtare do të jetë i dëmshëm për Kosovën, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik.
Zërat në ditët e fundit se në shtator do të ketë ndryshime në koalicionin qeverisës kanë zgjuar kureshtjen e mbarë opinionit.
Njohës të çështjeve politike koalicionin e mundshëm mes dy partive që njihen si të krahut të luftës, e shohin si presion të faktorit ndërkombëtar, pasi që të njëjtit janë të interesuar që deri në fund të vitit të përparojnë në aspektin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ardian Arifaj, analist në Instituti KIPRED, ka thënë për Kosovapress se motivet për krijimin e një koalicioni të tillë nuk janë të partive politike në Kosovë, por të Bashkësisë Ndërkombëtare.
Sipas tij, BE-ja dhe në përgjithësi faktori ndërkombëtar është i interesuar që të krijojë koalicionin mes PDK-së dhe AAK-së, për motive kompromisi dhe një koalicion i tillë i formuar nga këto motive, sipas tij, nuk do t’i sjellë asnjë të mirë Kosovës.
“Është shumë me rëndësi të kuptohet se nëse ndodh një koalicion i tillë cilat janë motivet për krijimin e këtij koalicioni. Motivet pra nuk janë vendore por janë të Bashkësisë Ndërkombëtare që do të formohet një koalicion që do ta kishte më lehtë t’ia shes opinionit publik një zgjidhje për veriu që nuk është e mirë për Kosovën. Pra, është diçka që i kalon vijat e kuqe edhe të pakos së Ahtisaarit dhe që do të nënkuptonte njëfarë autonomie speciale për veriun që nuk është zgjidhje aspak e mirë për Kosovën. Prandaj, një koalicion i tillë i formuar nga këto motive nuk është i mirë për Kosovën dhe nuk do t’i sjellë asgjë mirë Kosovës”, ka thënë ai.
Kundër një koalicioni të tillë është edhe lëvizja Vetëvendosje.
Sekretari i kësaj lëvizje, Dardan Molliqaj ka thënë për Kosovapress se Hashim Thaçi është i gatshëm të bëjë çdo gjë për të mbetur në pushtet.
“Historia e këtyre 12 vjetëve të fundit ka treguar se Hashim Thaçi është i gatshëm të bëjë çdo gjë vetëm për të mbetur në pushtet. Që nga Rambujeja që e ka çmilitarizua UÇK-në, e nga Vjena që e ka pranuar planin e Ahtisaarit, e tash që do të bëhet gati për statusin special, autonomi e zgjeruar që do të quhet për veriun e Kosovës.
Pra, është gatishmëria e tij që për të qenë në pushtet dhe protagonist i lojës është i gatshëm të bëjë çdo gjë. Ajo që mua më shqetëson është gatishmëria e disa forcave ‘opozitare’ të cilat po ia ndihmojnë jetën qeverisë Thaçi”, ka thënë ai.
Molliqaj, më tej ka shtuar se një koalicion mes PDK-së dhe AAK-së do të thoshte autonomi për veriun e vendit, duke shtuar se me këtë vendim Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ishte shpëtimi për Hashim Thaçin, e në anën tjetër do të bëhej pjesë e proceseve të dëmshme për Kosovën, vetëm e vetëm për t’i gëzuar privilegjet në këtë qeveri të korruptuar.
“Çështja e koalicionin të vjeshtës i cili është koalicion për ta filluar një proces negociator për çështjen e veriut, i cili sigurisht që do të përfundojë me një autonomi për serbët mos më shumë, është një shpëtim apo një ndarje e fajit të Hashim Thaçit me ta. Kushdo që e bënë një gjë të tillë edhe në këtë rast AAK-ja po dëshmon se është e gatshme për pushtet.
Njërën anë ta shpëtojë njeriun i cili i ka bërë dëm më së shumti Kosovës e që është Hashim Thaçi, e në anën tjetër të bëhet pjesë e proceseve të dëmshme për Kosovën vetëm e vetëm që të marr pushtet dhe privilegje në këtë qeveri të korruptuar, ku përveç veriut për qëllim është edhe shitja e distribucionit të KEK-ut, PTK-së dhe Trepçës”, ka thënë ai.
Molliqaj u ka bërë thirrje partive opozitare, si LDK-së ashtu edhe AAK-së, që mos të hyjnë në koalicion me PDK-në, pasi ai pos që do ta shpëtonte Thaçin, do ta shkatërronte Kosovën si në aspektin ekonomik po ashtu edhe në atë politik.
Ndryshe për një koalicion të tillë mes PDK-së dhe AAK-së ishte spekuluar edhe gjatë viti 2010, por edhe viti 2011, mirëpo atëbotë AAK-ja pretondonte postin e kryeministrit dhe jo të presidenit, siç ishte e gatshme PDK-ja. Kushtet e tilla të AAK-së për të udhëhequr me qeverinë e Republikës së Kosovës, nga zyrtarë të caktuar të këtij subjekti ende përmendet edhe publikisht. (Kosovapress)