UBT

Koalicione joparimore për balotazh

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Koalicionet, të cilat partitë politike në Kosovë po i bëjnë në prag të balotazheve për zgjedhjet lokale në komunat e ndryshme të vend, po bëhen për arsye praktike dhe jo parimore, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Kosovë.

Megjithatë, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me atë se a mund t’i përmbysin ose jo rezultatet aktuale të zgjedhjeve komunale në komunat ku kandidatët shkojnë në balotazh për kryetar komune.

Analisti i çështjeve politike Ardian Arifaj, vlerëson se këto koalicione, pavarësisht gjasave të vogla, sipas tij, megjithatë mund të ndikojnë në përmbytjen apo ndryshimin e pozicionit të kandidatëve në garë për kryetar komunash.

“Mundet, mu për shkakun se duket që ka më shumë mobilizim, por edhe shkaqet që kanë sjellë deri te humbja e votës së ndonjë partie, janë gjëra që mund të bëjnë ndryshim. Koalicionet nuk bëhen për parime te ne, por për shkak të interesave”.

“Ka mundësi që këto interesa të ditës, të personit, të grupit që ta ndryshojnë votën. Gjasat janë më të vogla, por nuk do të habitesha nëse do të ndodhte që diku të ndryshojë diçka, mu për shkak se këto aleancat që krijohen në nivel komunal, mund ta mobilizojnë partinë e pastaj partia ta mobilizojë votuesin”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arifaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër politik, Shpend Kursani. Sipas tij, në disa komuna të Kosovës, ku opozita ka shënuar ngritje dhe ka kaluar në avantazh, sikurse në Gjakovë dhe Gjilan, gjasat për përmbysje të këtij avantazhi janë të vogla.

Ngjashëm, siç thotë ai, pritet edhe në Prizren ku partia në pushtet është në avantazh. Ndërkaq, në komunat ku rezultatet janë të ngjashme sikurse në Pejë, gara është më e ngushtë dhe ndryshimet, sipas tij mund të ndodhin.

“Në përgjithësi, nuk mund të pres ndonjë ndryshim të madh, por kjo mund të ndodhë. Koalicionet që lidhen këtu, më shumë do të kenë efekt në legjislativin e komunës, pra, në kalimin e ndonjë vendimi apo ndonjë rregulloreje të komunës, sepse votuesit jo domosdo e dëgjojnë liderin partiak se me kë ka lidhur koalicion. Besoj që në mënyrë të pavarur, shumica e qytetarëve, do të votojnë”, shprehet Kursani.

Mobi Casa

Por, a ka ndikuar rezultati i deritashëm i zgjedhjeve lokale nëpër komuna dhe a pritet që rezultati nga balotazhet ta ndryshojnë peizazhin politik në Kosovë?

Njohësit e zhvillimeve politike në vend e pohojnë këtë si fakt. Megjithatë, ata nuk presin që ky ndryshim të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme të nivelit kombëtar.

Analisti Arifaj shpreh mendimin se qytetarët nuk do t’i kenë arsyet e ngjashme për të votuar ngjashëm si në zgjedhjet lokale ashtu edhe ato të përgjithshme.

“Harta politike ndryshon dhe deri tash po shohim se ka ndryshuar. Por, nuk do ta merrja këtë si pasqyrë që reflekton ndryshimet që mund t’i nxisë edhe në zgjedhjet e përgjithshme”, thekson Arifaj.

Edhe Kursani vlerëson se zgjedhjet lokale nuk janë pasqyrë e asaj që mund të ndodhë në zgjedhjet e përgjithshme.

“Mendoj se zgjedhjet komunale, të këtij viti, në Kosovë, në fund do ta ndërrojnë peizazhin politik në shumë komuna, pasi që duket se kemi ndryshim edhe të kandidatëve, si të pozitës edhe të opozitës. Por, edhe fitore të partive të ndryshme nëpër komuna të ndryshme”.

“Qëndrimi im është se rezultati i zgjedhjeve komunale nuk tregon shumë për rezultatin që mund të jetë në zgjedhjet qendrore, për një arsye kryesore se politikat që kanë të bëjnë me nivel qendror, janë shumë të ndryshme nga politikat në nivel lokal. Prandaj edhe votuesit, besoj se jo domosdo do të votojnë njësoj sikurse në zgjedhjet komunale”, pohon për Radion Evropa e Lirë Kursani.

Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se koalicionet e partive politike, nuk reflektojnë domosdo edhe vullnetin e elektoratit për ato koalicione dhe rrjedhimisht, sipas tyre, elektorati nuk pritet të votojë sipas preferencave të partive në favor të partnerëve të tyre në koalicione.