Koalicion me PDK-në nëse kryeministër është Ramushi

Njëri ndër figurat kyçe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj ka deklaruar se qëndrimi i AAK-së është që të jetë pjesë e dialogut me Serbinë, pavarësisht se a do të jenë në të ardhmen pjesë e qeverisë apo jo.
Ai po ashtu ka theksuar se dialogu me Serbinë është i dhimbshëm, por duhet të jemi të gatshëm për të marr përgjegjësitë në këtë proces, ku Thaçi duhet të ketë figura të fuqishme dhe ta formojë një ekip i cili do ta paraqiste Kosovën fituese.
“Kosova ka kaluar një periudhë të vështirë ne raport me Kosovën. Takimi ne Bruksel ne mes dy kryeministrave nuk do t’i sjell të këqija Kosovës, por do të jetë një hap me tutje, sepse integrimet evropiane vështirë janë të mundshme pa ndërtim te raporteve ndërfqinjësore, por prapse prapë mendoi qe Serbia nuk do te heq dore lehte, por edhe na duhet te jemi te kujdesshëm edhe te kemi një platforme me te sofistikuar, një harmonizim te qëndrimeve politike edhe brenda Kosovës, subjekteve politike, shoqërisë civile. Sepse kjo nuk është çështje e individit, ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse”ka thënë ai.
Sipas Haradinajt Kosova nuk ka krijuar ndonjë platforme.
“Ne kemi pasur një rezolutë në kuvend që flet për të zhdukurit. Ajo decidivisht thotë që nuk do të ketë dialog me Serbinë pa u zgjedh fati i te zhdukurve. qëndrimi im në kuvend ka qenë që duhet të harmonizohen këto dy rezoluta, që të futet në agjendë fati i të zhdukurve që ka mbetur plagë e hapur në shoqërinë kosovare dhe njerëzit kanë të drejtë ta dinë fatin e familjarëve të vet. Qëndrimi i AAK-së ka qenë që neve do të jemi pjesë e dialogut pavarësisht se a do të jemi në të ardhmen pjesë e qeverisë apo jo. Dialogu me Serbinë e dimë që është i dhimbshëm, e dimë që është i kushtueshëm, por ne duhet të jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë tona në këtë proces. Faktori ndërkombëtar na ka dhënë garanci se nuk do të ketë agjendë e cila do ta dëmtonte Kushtetutën e Kosovës, territorin e Kosovës dhe gjithçka do të jetë në harmonizim të brendshëm. Rezoluta e fundit e detyron kryeministrin e Kosovës që të raportoj para Kuvendit dhe pas një debati ajo edhe të votohet”, thotë ai për RTV 21.
Haradinaj thotë se e di që është shumë e dhimbshme të shkosh e t’ia shtrish dorën sot një kryeministri i cili është quajtur pinjoll i Millosheviqit, aq më tepër prej njerëzve siç është zoti Thaçi i cili ka marrë pjesë në luftë dhe është njëri prej strukturave udhëheqëse të asaj lufte.
“E di që për ata njerëz që kanë dhënë jetën dhe familjarët e tyre nuk është hiq humane, por në fund të fundit ne duhet të jemi të vetëdijshëm që ne e kemi fituar lirinë dhe tash duhet t’i bindim aleatët tanë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë’’, ka thënë Haradinaj.
Duke folur për rastin e protestës së Vetëvendosjes dhe qëndrimit që pati Policia e Kosovës ndaj protestuesve, Haradinaj tha se format e shprehjes janë të lejueshme, janë demokratike, por përdormi i dhunës është keq për imazhin e Kosovës dhe duhet që edhe policia por edhe Vetëvendosja duhet të jenë më të kujdesshëm në këto situata dhe nuk duhet ta dëmtojmë perspektiven e këtij shteti për shkak të agjendave qofshin ato të politikave ditore apo edhe të ndonjë individi të caktuar.
Lidhur me koalicionin e mundshëm PDK-AAK, Haradinaj ka thënë se dihet qëndrimi i AAK-së qysh në 2007-ën, sepse një qeveri e udhëhequr nga Ramush Haradinaj do të ishte në favor të Kosovës, por tash janë këto konceptet edhe me cilin partner.
“Natyrisht që tash situata reale është PDK-ja, por unë them se në rast se bëjmë një ndryshim, në rast se Ramush Haradinaj vjen në qeveri dhe kryeministri aktual largohet për momentin do të ishte në favor të Kosovës”.
“Aleanca do të jetë pjesë e zgjidhjes e jo pengesë e saj. Nuk është e vërtetë që gjithçka është e përgatitur, natyrisht që ka ndodhur një përafrim në Kuvend me disa qëndrime por prapë ne jemi një parti opozitare. Nuk do të thotë që nëse ne kemi votuar për një vendim të caktuar ose një rezolutë, se ne jemi afruar me PDK-në. Ne parimisht jemi për zgjidhje të problemeve e jo për të shkaktuar probleme”, ka thënë ai.(express)