Hidromorava

Koalicion i paqëndrueshëm-apel për unitet në Bujanoc

/ 4 minuta lexim

Shkruan: Sejdulla Kadriu- Nëse përfaqësuesit e partive politike të Kosovës Lindore, gjegjësisht të Komunës së Bujanocit, për arsye të ndryshme (për shumkë edhe të njohura) nuk kanë mundur të bëjnë më shumë, atëherë kjo nuk i justifikon (arsyeton) të tjerët të mos bëjnë asgjë.

Për këtë pra, Kryesia e Shoqatës ,,Vatra” edhe kësaj here, ngrit zërin tek të gjithë ata që ia duan të mirën popullit, se kjo që po ndodhë në Bujanoc është në kundërshtim të plotë me vullnetin e votuesve. Ne nuk e fajësojmë vetëm njërën apo partinë tjetër.

Për ne të gjitha mbajnë përgjegjësi gati të barabarta. Si është e mundur që, të zgjedhurit e popullit nuk mund të ulen me një tavolinë të përbashkët, e të bisedojnë shtruar për mundësinë e një koalicioni të gjerë, por përmes ftesave nga larg, dhe duke e injoruar njëri-tjetrin në mënyrën më të keqe të mundshme?

I tërë opinioni e di se herëve tjera mezi arrinim ta bëjmë shumicën në Kuvend, por ama ishim të bashkuar, ndërsa tani kur me një angazhim të të gjithë spektrit, kemi fituar më së shumti gjeri tash, Liderët (të mëdhenjtë) nuk mund t’a ndajnë atë grimë pushtet! Ju Lider të nderuar, mos mendoni se jeni më të mirët, por e dini si u bë puna para zgjedhjeve, dhe populli doli në masë të madhe, se përndryshe nuk do të kishit pas mundësinë të krekoseni kështu siç po bëni tani.

Të kuptohemi,ne nuk jemi kundër koalicionit me partitë Serbe , por jo më pak këshilltarë se niveli i limituar i shumicës, për arsye që besojmë se i di çdokush. Edhe diçka të skjarojmë; të punosh për çështjen Kombëtare nuk do të thotë të veprosh një kohë dhe të thuash u bë mjaft.

Për këtë dikush ka filluar në start, dikush është kyçur më vonë, ndërsa të tjerët kah mesi. Jo, veprimtaria Kombëtare do të duhej të jetë maratonike, dhe kush nuk mund të qëndroj gjatë, është mirë të mos futet fare në garë, sepse mund t’i pengon të tjerët që kanë kondicion më shumë.

KKGJILAN

Pa e lënduar askënd, mendojmë se, edhe kjo që po ndodhë me Bujanocin është një mospërfillje, një jopatriotizëm i llojit të vet.

Mund ta kuptojmë inatin mes vedi për fitore politike, sepse në politikë tani ka interes, mirëpo nuk e kuptojmë që inati të jetë më i madh mes liderëve partiak shqiptarë, se sa mes atyre serbë. Ndryshe si mund të arsyetohen takimet me kryetarët e partive serbe, e kurrsesi mes veti ato shqiptare.

Njeriu mund t’ia ketë inat vëllait, por jo edhe ta urren më shumë se të huajin! Për të arritur një përafrim është folur dhe përfolur shumë kuluareve të ndryshme, sepse edhe ne (shoqërinë civile), popullin dhe shumë aktivist na brengos një përçarje e tillë, por nuk ia kemi arritur të ulemi dhe të bisedojmë shtruar me Ju, ndaj shfrytëzojmë rastin që tash, sa nuk është bërë vonë, t’ju lusim për një dialog pa paragjykime, ku askush nuk do ta ndiej veten të humbur.

Ne dhe shumë veprimtarë të tjerë, që kanë investuar shumë për çështjen kombëtare jemi të gatshëm të kontribuojmë në këtë drejtim. Për të arritur një qëllim madhor, duhet lëvizur shumë e shumë gurë e jo vetëm një sa për sy e faqe.

Presim fjalën Tuaj, liderë të nderuar! Ka ende kohë, apo? Me sinqeritetin më të madh po e themi se qëllimi ynë me këtë shkrim ka qenë i mirë, por mundë edhe të keqkuptohet nga dikush, ndaj u kërkojmë falje atyre që nuk na kuptojnë drejt!/rajonipress/(autori është kryetar i shoqatës “Vatra” në Gjilan.