UBT

KMDLNJ: KEK-u po abuzon me qytetarët

/ 3 minuta lexim

Revolta e qytetarëve të Prishtinës e shprehur përmes protestave dyditore para zyrës qendrore të KEK-ut për fryrjen e faturave të muajit janar është vetëm një pikë në gotën e mbushur plotë abuzime dhe korrupsion në këtë kompani publike. Kështu vlerëson KMDLNj pwrmes një komunikate për media, duke shprehur shqetësimin lidhur me fryrjen e faturave në muajt e fundit nga ana e KEK-ut.

“KMDLNJ disa herë ka reaguar më parë për shkak të diskriminimeve që u ka bërë kjo korporatë konsumatorëve të saj sikur që ishin: shkyçjet kolektive nga rrjeti i furnizimit e pastaj kushtëzimi i pagesës së një përqindjeje të caktuar si kusht për rikyçje, lirimi i pagesës në baza etnike duke u krijuar favore konsumatorëve të nacionalitetit serb që për vite të tëra nuk i kanë shlyer borxhet, shkyçja nga rrjeti i kategorive sociale, simulimi i prishjes së trafove për ‘rregullimin’ e së cilave gjithashtu është kushtëzuar pagesa e një përqindjeje të caktuar të borxheve” , thuhet në komunikatë.

Për KMDLNJ-në, korrupsioni i inkasantëve që i kanë “ri programuar” njehsorët e shpenzuesve të mëdhenj në këmbim të një sasie parash, çmimet shumë të ulëta dhe detyrimi i furnizimit me rrymë për Ferronikelin, shitja e aseteve të KEK-ut nën vlerën reale, shitja e pajisjeve të reja si hekur i vjetër dhe jashtë përdorimit dhe shumë parregullsi të tjera që është reflektuar në dëm të konsumatorit duke bërë përpjekje që të mbulohen këto manipulime dhe shpërdorime, janë të papranueshme.

KKGJILAN

KMDLNj kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin veprimet e menjëhershme duke hetuar rastet e fryrjes së faturave, çmimit të importimit të energjisë elektrike, trajtimit diskriminues të konsumatorëve në baza etnike, dëmtimit të qëllimshëm të pronës publike dhe kontratat e dëmshme me Ferronikelin dhe distributorët tjerë.

“KEK-u nuk ka të drejtë morale e as materiale të ndërpresë furnizimin me energji elektrike deri sa nuk shqyrtohen ankesat e konsumatorëve për faturat e kontestuar. KMDLNj konstaton se KEK me këto veprime seriozisht po e rrezikon gjendjen ekonomike të qytetarëve të Kosovës edhe ashtu të rrënuar. KMDLNj përkrah protestat e qytetarëve ndaj KEK-ut duke kërkuar përgjegjësi si dhe e kundërshton rritjen e paralajmëruar të energjisë elektrike”, përfundon komunikata e KMDLNJ-së. /Telegrafi/