Fundamenti

Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ndërtues i jetës demokratike në Anamoravë

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Musa Sabedini kryetar i këtij klubi, ideator, themelues dhe projektues i të gjitha debateve tha me këtë rast se për këto 12 vite Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ishte arenë e të gjitha zhvillimeve pozitive në Gjilan e rajon. Gjithashtu sipas Sabedinit ky Klub ishte edhe në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin , duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale.

Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” të mërkurën në mënyrë solemne ka shënuar 12 vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor merrnin pjesë gazetarë, publicist, politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë.

Nexhat Buzuku moderator tha se Klubi i Gazetarëve është shembull i funksionimit praktikë ku me sukses ka mbrojtur etikën e gazetarisë dhe me sukses ka avancuar e përparuar jetën e rëndomtë të qytetarit gjilanas.

“Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”, është themeluar më 16 janar 2001, me iniciativën e gazetarëve rajonalë. Ky klub, që nga themelimi , ka organizuar dhe mbajtur mbi 140 debate e tryeza, me interes për shoqërinë civile dhe qytetarët e Gjilanit e të Kosovës. Synim i këtij klubi ka qenë dhe mbetet avancimi i gazetarisë rajonale, përparimi dhe avancimi i shkrimeve, informimi i shpejt, objektiv dhe i paanshëm si dhe involvimi i qytetarëve në proceset vendimmarrëse” tha në fjalën e tij kryetari i saj Musa Sabedini.

Musa Sabedini kryetar i këtij klubi, ideator, themelues dhe projektues i të gjitha debateve tha me këtë rast tha se për këto 12 vite Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ishte arenë e të gjitha zhvillimeve pozitive në Gjilan e rajon.

Duke folur për aktivitetet dhe punën e këtij klubi Sabedini ai tha se tashmë janë bërë 12 vite që ecëm e rrugëtuam bashkë. Folëm, diskutuam, trajtuam, polemizuam temat nga më të ndryshmet. “E filluam punën tonë me shumë përkushtim duke u angazhuar maksimalisht të punonim dhe të ecnim në hap me kohën. Edhe gjatë vitit 2012 rrugëtuam bashkë, diskutuam bashkë, sensibilizuam bashkë, folëm e dhamë ide së bashku. Trajtuam problemet më jetike të qytetit të Gjilanit , Anamoravës dhe, kur ishte nevoja e momenti, edhe të Kosovës” ka thënë Sabedini.

Sabedini tha se gjatë këtij viti vendosëm bashkë për të mirën e qytetit, për të mirën dhe të ardhmen tonë. “Me debatet tona treguam vlerat e demokracisë dhe avancuam vlerat e kulturës debatuese. Dhe i vetmi qëllim që na bashkoi ishte interesi i vetëm i përbashkët – mirëqenia e qytetarit dhe avancimi i të drejtave të tij. Ishim ndërtues të institucioneve tona, dhamë një kontribut të pamohueshëm, që këto institucione të jenë në shërbim të qytetarëve.”

Tutje Sabedini tha se me kënaqësinë më të madhe mund të ju them se realizuam mbi 140 debate e tryeza me karakter vendor dhe ndërkombëtar.”Kurse gjatë vitit 2012 kemi realizuar 11 debate. Edhe në këtë vit kemi folur, kritikuar dhe kemi kërkuar llogari nga pushtetarët e nivelit lokal dhe qendror. Në veçanti kemi debatuar për problemet në infrastrukturë, ekonomi, arsim, çështjet fetare e kulturore, demokracinë e brendshme brenda partive politike, problemet e rinisë” etj.

Sipas tij sovran i vetëm ishin qytetarët dhe ata që e deshën dialogun e hapur, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë.

“Jo rastësisht Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” tanimë ka dy role. Rolin e informuesit dhe të involvuesit të qytetarit në proceset vendimmarrëse. Andaj edhe në vitin 2012 kemi kërkuar llogaridhënie nga të zgjedhurit, për çështjet më kruciale. Natyrisht, që, në këtë rrugëtim tonin të përbashkët, na kanë ndihmuar e përkrahur qytetarët, ekspertet e fushave të ndryshme, njerëzit përgjegjës në institucionet kosovare, partitë opozitare në Gjilan. Realisht në debatet tona qytetari ynë pati mundësi të bashkëbisedojë, pa dorëza, dhe pa kurrfarë censure, me të zgjedhurit e vet, me ata që, për këto vite, na udhëhoqën mirë e keq”.

UBT

Gjithashtu sipas Sabedinit ky Klub ishte edhe në shërbim të informimit të drejtë, të saktë, të paanshëm dhe objektiv dhe me sukses ka arritur të realizojë misionin , duke informuar drejt, korrekt dhe në mënyrë shumë profesionale. “Gazetarët e Gjilanit me përkushtim ishin në nivel të detyrës dhe asnjëherë nuk janë gjunjëzuar para së keqes e dukurive negative. Thjesht, ishim vrojtues dhe njëkohësisht atakues të gjithçkajes që ishte interes i qytetarëve. Reaguam, kundërshtuam dhe mbrojtëm në çdo kohë gazetarët dhe punën e tyre të vështir”.

Sabedini shtoj se tryezat dhe debatet e Klubit ishin arenë konfrontimesh, idesh e sugjerimesh. “Dhe, ju sigurojë që, edhe në vitet e tjera, ky Klub do të jetë në shërbim të profesionit të tij – gazetarisë hulumtuese, dhe në shërbim të avancimit të vlerave morale e njerëzore të të gjithë atyre që duan një ambient, ku mbizotëron ligji, ku krimi goditet pamëshirshëm, ku viktima mbrohet, ku e keqja merr përgjigjen e merituar ka thënë Sabedini.

Padyshim që, të gjitha këto ballafaqime idesh e konceptesh, për ta zhvilluar jetën në Gjilan dhe Anamoravë, nuk do të mund t’i realizonim pa përkrahjen e vazhdueshme të Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, me seli në Prishtinë ka spikatur Sabedini.

Këtë përvjetor e kanë përgëzuar edhe Qemajl Mustafa , Lirije Kajtazi, Avni Rudaku e Sabit Rrustemi.

Qemajl Mustafa tha se debatet e Klubit e kanë ngritur cilësinë dhe sasinë dhe kanë ndikuar që demokracia të ngritet nga viti në vit. “Nuk ka pasur tema tabu e të paprekshme. Ky klub kontribuojë në emancipimin e institucioneve dhe shoqërisë që të thuhet ajo që mendohet. Pushteti demokratik i ndihmon vetvetes duke emancipuar publikun. Andaj puna e këtij Klubi është shumë dobiprurëse për shoqërinë dhe qytetin e Gjilanit” tha Mustafa.

Lirije Kajtazi anëtare e Komisionit të medieve në Parlamentin e Kosovës tha se të gjitha raportet thonë se në Kosovë nuk frymohet lirshëm. “Gazetarët ta korrigjojnë politikën. Klubi i Gazetarëve ka bërë një punë të mrekullueshme për këto vite” tha ajo.

Avni Rudaku publicist dhe aktivist i VV tha se pa mediet e fuqishme në nivel lokal nuk mund të ketë demokraci. “Mediet të jenë më të fuqizuara e të hapin tema më të rëndësishme”.

Sabit Rrustemi tha se debatet e Klubit vërtet i kanë dhënë fuqi qytetit e shoqërisë civile. Shaban Rexhepi qytetar tha se debatet e Klubit për 12 vite kanë qenë akademi dhe shkollë për institucionet komunale.

Përvjetorin e Klubit e ka përgëzuar me një telegram urimi edhe Lutfi Haziri kryetar i degës së LDK-së në Gjilan. “Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim personal dhe në emër të gjithë anëtarësisë dhe simpatizantëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dega në Gjilan t’ju uroj 12 vjetorin e themelimit të Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu.
Gjatë kësaj kohe me profesionalizmin tuaj që keni treguar ju i keni shërbyer qytetarëve tanë që ata të jenë afër jetës politike, kulturore, sportive,ekonomike, të njoftohen për të gjitha ngjarjet që ndodhin në komunën tonë dhe më gjerë. Me këtë rast dëshiroj t’ju falënderoj për bashkëpunimin që kemi pasur dhe do vazhdojmë të kemi bashkërisht për informimin e opinionit publik Gjilanas. Ju keni kontribuar në ngritjen e kulturës politike dhe demokracisë në Anaforave. Gazetaria jonë po vërtetohet si pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit demokratik” ka thënë Haziri. /rajonipress/