“Kllokoqin nuk besoj që e vrau SHIK-u, e kishte burim”

Kolegji i gjykatësve në rastin e njohur si Bllaca 2 dëgjoi dëshminë dëshmitarit Naim Miftari. Ish-agjenti i ShIK-ut tregoi para kolegjit për kontaktet e tij me Ibush Kllokoqin, i vrarë në vitin 1999. Miftari tha se nuk beson që ShIK-u ta ketë vrarë Kllokoqin, pasi ishte një burim i mirë.
Miftari tregoi se si agjent i Shërbimit Informativ Kombëtar (ShIK), ai kishte punuar deri në vitin 2002, kur edhe e kishte lënë këtë shërbim; e gjatë luftës ai kishte punuar në Shërbimin e Kundërzbulimit, i njohur si ZKZ, ose G2, pjesë e UÇK-së. “Deri në vitin 2002, kam qenë pjesë e ShIK-ut dhe kam qenë VIP… Shifrën e kam pasur 031”, tha Miftari.
Ai tregoi për takimin me Kadri Veselin, shefin e ShIK-ut, dhe kontaktet që kishte pasur me të. Tha se i ka raportuar vetëm atij. “Kadriun e kam konsideruar koleg, por atij i kam raportuar për gjendjen në veri”, tha Miftari, raporton Gazeta JNK.
I pyetur nga prokurorja se ku e ka pasur selinë ShIK-u, dëshmitari tha se kanë qenë dy seli. “Njëra ka qenë në zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa tjetra ka qenë në hotelin Grand”.
Sipas Miftarit, UÇK-ja e ka pasur një listë me 200 persona si agjentë të UDB-së serbe në Kosovë. “Neve na interesonte aktiviteti i UDB-së para dhe gjatë luftës”, deklaroi Miftari.
Për takimet e tij me Ibush Kllokoqin, Miftari tregoi vetëm sa herë ishte takuar, duke mos dhënë detaje të atyre takimeve dhe se për çka kishte folur Kllokoqi me ta.
“Atë e takuam për herë të parë 17 – 18 korrik të 1999-ës. Së bashku me mua ishte Ferki Aliu, atë e takuam në ora 9 të mbrëmjes… Takimet i mbanim në shtëpinë e babait tim në Veternik… Gjatë bisedës, ai na tregoi është i edukuar në Sremska Kishnicë të Serbisë dhe se ka dalë në pension në vitin 1991”, deklaroi Miftari. Ai tha se Ferkiu i kishte dhënë fjalën se nëse Kllokoqi bashkëpunonte me ta, ata dhe personat që kishin nën kontroll nuk do ta preknin.
Si qëllim për këto takime, sipas Miftarit, ishte marrja e informatave se si ishin vrarë disa komandantë para luftës. E ish-agjentët kishin kërkuar nga Kllokoqi që të takonin edhe gruan e tij, meqë ajo kishte punuar në ish-Sekretariat. Por Kllokoqi kishte refuzuar në mënyrë kategorike këtë kërkesë, duke iu thënë se gruaja e tij nuk dinte asgjë.
Miftari tha se i kishin kërkuar Kllokoqit që të kishte kujdes, sidomos gjatë natës.
Në njërin nga takimet, Kllokoqi iu kishe thënë atyre se ishte rrahur dhe maltretuar nga serbët kur po e linte Kosovën gjatë luftës, edhe pse ata të fundit e kishin njohur.
Avokati Tahir Rrecaj e pyeti dëshmitarin nëse ai kishte dyshime se Kllokoqi ishte vrarë nga ShIK-u, apo ishte vrarë nga dikush tjetër. Miftari tha se nuk beson që ShIK-u ta ketë vrarë atë; kjo pasi që për ta, Kllokoqi ishte një burim i mirë.
Më pas, avokati Rrecaj pyeti nëse do të ishte interes i UDB-së që ta vriste Kllokoqin. Miftari tha se ata mund ta kishin vrarë edhe para e gjatë luftës, por ai më shumë besonte se atë e kishin vrarë bashkëpunëtorët e UDB-së.
Dëshmitari tregoi se një herë i kishte rastisur të shihte shifrën Seiko në një raport, porse nuk e dinte nëse kjo shifër i përkiste Nazim Bllacës, meqë këtë nuk e njihte. Dëshmitari nuk i njihte as të pandehurit në këtë çështje, me përjashtim të Fahredin Gashit, të cilin tha se e kishte parë një herë, në afërsi të hotelit “Grand”.
Seanca e radhës në këtë çështje mbahet të premten.