Klikime po, para jo!

Ndonëse është përfolur se VIP-at tanë po marrin shifra marramendëse prej klikimeve, si duket me këto shifra nuk janë përballur këngëtarët tanë. Sipas disave, ky fitim më shumë ka shkuar në favor të atyre që janë marrë me të drejtat e lansimit të videove që vetë artistët kanë nxjerrë në treg. Adelina Berisha, Genc Prelvukaj, Blero, Lyrical Son e Gena Lito janë disa nga fytyrat tona publike që për gazetën Tribuna kanë folur për përfitimet e tyre nga kanali muzikorë ‘Youtube’…
Adelina Berisha, s’ka marrë riskun e saj!
Ka qenë mjaft aktive dhe e përfolur për klipet që i ka publikuar. Është kjo Adelina Berisha këngëtarja e cila për Tribuna ka thënë që edhe përkundër klikimeve që kanë arritur shifra milionëshe, ajo nuk ka marrë hakun e vet. “Përfitime ka pas, por i kanë mbledh të gjitha të hollat këta të kompanisë ‘OnAir’ dhe nuk mund të them që kam pas fitim aq sa duhet. Unë klikime kam me miliona, por të holla nga ata nuk kam marrë. Shumë pak muaj më kanë paguar, shumë pak. Nuk janë lajmëruar nuk kanë qenë të përgjegjshëm thjesht i kanë vjedh të hollat”, ka thënë Adelina në fillim të bisedës. Por, edhe pse sipas saj ka hasur në jo korrektësi nga ana e kompanisë, ajo ka shtuar se nuk ka ngritur ndonjë padi kundër kësaj kompanie. “Nuk kam marrë asnjëfarë procedure kundër tyre, sepse nuk kam pas kohë të merrem me atë gjë dhe të ju them të drejtën kam prit a po del edhe dikush tjetër, sepse me aq sa di unë të gjithë këngëtarëve ia kanë bërë kështu. Këta të ‘OnAir’ me siguri kanë një krah shumë të fortë përderisa kanë mundur të veprojnë kështu”, ka shpjeguar Adelina.
Genc Prelvukaj, ndjehet i kënaqur
Ndryshe prej koleges së vet, rep artisti i njohur Genc Prelvukaj është shprehur i kënaqur nga përfitimet nga ‘Youtub’, duke theksuar se ata për këtë kanë punuar. “Mirë është. Jemi ndarë të kënaqur pasi për këtë edhe kemi punuar. Pastaj duke e ditur se si po shkojnë punët me këto përfitime nga klikimet, nuk mund të them që nuk jam ndarë i kënaqur”, ka treguar Genci, duke mos shpalosur shifrën që ai e ka fituar nga klikimet nëpër videot e tij autoriale.
Gena nuk merr të holla nga ‘Youtube’
E ndonëse Genci thekson se për përfitime kanë punuar, kolegu i tij këngëtari Gena nuk merret fare me kanalin muzikorë ‘Youtube’. Enis Fetahu menaxheri i këngëtarit ka thënë se Gena qëllim primar e ka përfitimin e publikut. “Të them të drejtën ne nuk merremi aspak me ‘Youtube’. Edhe ata ndoshta duan të fitojnë diçka. Përfitimi ynë është të na dojë publiku dhe të vazhdojë të na mbështesë si deri tani. Ndoshta pas një viti apo dy do të shohim të merremi edhe me përfitimet e ‘Youtub’-it. Deri tani nuk e kemi marrë asnjë cent, vetëm kemi punuar për t’i treguar publikut çfarë kualitetesh ka ky këngëtarë”, ka thënë Enisi.
Lyrical Son ia doli mirë
Ndërkaq Lyrical Son, njëri prej rep artistëve më të dashur të skenës sonë, edhe pse ka treguar se ka hasur në disa probleme, ai ia ka arritur që nga përfitimet e klikimeve të paguaj shpenzimet për albumin e tij i cili jo pak ka kushtuar. Ndryshe ai është shprehur i kënaqur me klikime duke theksuar se ata nuk blejnë klikime dhe gjithçka është reale. “Ne si PINT kemi pasur problem pak me ‘Youtube’ edhe pse përfitimet kanë qenë të mira. Ne nuk vjedhim klikime e as nuk blejmë klikime me kredit kartel edhe kjo neve na ka rezultuar me shumë sukses. Dhe mund të them se nga kjo në njëfarë mënyre jemi nxjerrë për të gjitha shpenzimet që i kemi bërë për album timin. Albumi im i ka 25 këngë, duke marrë parasysh që një këngë kushton shumë shtrenjtë të gjithë e dimë dhe mund të ju them që albumi ka kushtuar goxha shumë. Nëse e marrin që një incizim më ka kushtuar 500 euro, atëherë mund të dish se sa kap shifra për 25 këngë e ku janë shpenzimet për klipe, shpenzimet e producentëve, shpenzimet veshjeve e të gjitha angazhimet tjera rreth albumit”, ka shpjeguar Festimi.
Blero heshtë!
Ndryshe nga kolegët e vet, Blerim Muharremi i njohur si Blero nuk ka dashur të flasë për këtë temë. Edhe pse nëse bazohemi në klikime që Blero ka marrë nëpër këngë e projekte nuk mund të themi që nuk është ndarë i kënaqur, megjithatë ai ka thënë prerë. “Nuk preferoj të flas për këtë temë”./tribuna/