UBT

KK mban seancë solemne për nder të ditës së çlirimit

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Për nder të 15 qershorit, ditës së çlirimit të Gjilanit, Kuvendi Komunal ka mbajtur seancë solemne, ku kryesuesi Izmi Zeka ka thënë se 13 vjet më parë, pikërisht në këtë ditë, forcat e UÇK-së hyn në qytetin e Gjilanit, për t`i dhënë vulën përfundimtare lirisë sonë

Duke i bërë një vështrim më të gjerë rrugëtimit deri te liria, Zeka tha se çka do që themi e sado që flasim, kurrë nuk mund ta përshkruajmë të plotë sakrificën e njerëzve tanë, nëpër breza, duke mos harruar këtu të përmend edhe ndihmën e miqve ndërkombëtarë.

“Sa herë e kujtojmë lirinë tonë, krahas gjakut dhe sakrificës sonë, duhet të kujtojmë e nderojmë edhe ndihmën e miqve tanë”, ka thënë Zeka.
Jo vetëm në këtë përvjetor, por çdo ditë e kemi obligim të kujtojmë të kaluarën tonë, sakrificën e brezave, të kujtojmë e nderojmë Abdullahun, Nushin, Tefikun, Albanin, Pajazitin, por edhe të gjitha ata djem, burra e gra që e kryen obligimin e tyre ndaj atdheut dhe që sot janë mes nesh. Po na ndodhë ndonjëherë që pa dashje po i harrojmë të gjallët.

Derisa ka folur për 13 vitet e lirisë, Zeka ka thënë se secili prej nesh u gëzohet arritjeve të mëdha, por ka rikujtuar edhe objektivat e mëdha që kemi për zhvillim.
“Kemi arsye të themi se nuk jemi keq, por nuk jemi të kënaqur. Kemi objektiva edhe më të mëdha”, ka thënë Zeka.

RCCOLA

Ndërkaq, Omer Daku, nënkryetar i Komunës, ka thënë se u përfundimi njëshekullor serb mori fund 13 vjet më parë dhe kjo u arrit falë përpjekjeve të vazhdueshme të brezave, të cilat u kurorëzuan me daljen në skenë të UÇK-s-ë dhe luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës, luftë kjo që pati mbështetjen e fuqishme të NATO-s.

“Kurrë nuk duhet t`i harrojmë ata që flijuan jetën e tyre për themelet e lirisë dhe demokracisë sonë”, ka thënë Daku, i cili ka përshëndetur seancën solemne edhe në emër të kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa, që gjendet në Bruksel, si pjesë e delegacionit kosovar për marrjen e udhërrëfyesit.

Dhe 15 qershori, siç ka thënë edhe këshilltarja komunale, Sarandë Bllaca, është dhe do të mbetet një datë e madhe për Gjilanin, një datë që simbolizon lirinë e këtij qyteti.
Manifestimi për ditën e çlirimit të Gjilanit, ka filluar me homazhe te varrezat dhe lapidarët e dëshmorëve dhe ka vazhduar me pritjen tradicionale të krerëve komunalë për familjet e dëshmorëve, ndërsa është përmbyllur në mbrëmje me koncertin e madh festiv./rajonipress/