Kirby: Serbia të jetojë në fqinjësi me Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Michael Kirby, ka thënë se SHBA e inkurajon Serbinë që të mësohet të jetojë në fqinjësi me Kosovën, sepse kjo do t’i ndihmojë asaj të ecë përpara.
“Në qoftë se do të ktheheni dhe shihni Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimore në një periudhë të mëhershme, Gjermanët e Lindjes thoshin se janë të pavarur, kurse ata të Perëndimit u thoshin se nuk jeni, megjithatë ata jetonin pranë njëri tjetrit, ndoshta jo si miq më të mirë, por kanë bashkekzistuar. Ju mundeni dhe ju do të bashkekzistoni me Kosovën, të cilën e qeverisë Prishtina. Kjo do t’ju ndihmojë që të ecni përpara, të përmirësoni ekonominë, sistemin juridik, u anëtarësuat ose jo në BE”, ka thënë ambasadori amerikan Kirby, në një intervistë për “Nedeljnik”.
Kirby, duke folur për rrugën evropiane, që ka zgjedhur udhëheqja aktuale serbe, ka thënë se “në qoftë se keni një qëllim dhe në atë rrugë Kosova është një lloj pengese, ndoshta liderët tuaj kanë vendosur se ia vlen kjo dhimbje dhe kanë qenë mjaft të guximshëm të nisen në atë rrugë. Edhe populli ka qenë i gatshëm për këtë. Më nuk i dëgjoni qytetarët në Beograd tek flasin për Kosovën. Ata flasin për problemet e tyre. Ato janë probleme të vërteta”, ka thënë ambasadori amerikan, transmeton “Beta”. /Telegrafi/