KFOR-i arreston dy serbë në Zupç

Dy serb të pjesës veriore të Mitrovicës janë arrestuar, pasi kanë penguar lirinë e lëvizjes për KFOR-in dhe EULEX-in.
Zëdhënësi i KFOR-it, Uwe Nowitzki ka thënë se janë në zhvillim e sipër negociatat për zhbllokimin e rrugëve në fshatin Zupç, ku serbët sot kishin vënë barrikada.
Po ashtu, Nowitzki e ka konfirmuar se rreth orës 14 janë arrestuar dy persona, raporton agjencia e lajmeve Beta.
Serbët në pjesën veriore të Kosovës sot e kishin bllokuar kalimin e automjeteve të EULEX-it, me shpjegimin se ky mision nuk po e mban neutralitetin ndaj statusit. Nowitzki tha se KFOR-i ka reaguar menjëherë dhe e ka vendosur një pikë kontrolli në afërsi të Zupçes.
Sipas raportuesit të agjencisë serbe Tanjug, ushtarët italianë të KFOR-it, të cilët e kanë marrë kontrollin mbi barrikadën në Zupç, gjenden me pajisje për shkatërrimin e demonstratave, kurse në rrugë mund të shihen edhe transportierë të blinduar të forcave ndërkombëtare në Kosovë, si dhe topa uji për shkatërrimin e demonstratave.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, deklaroi se KFOR-i dhe EULEX-i në Zupç kanë ndërmarrë operacionin me qëllim që të sigurohet kalimi për policët e EULEX-it në drejim të Zubin Potokut. Ai sqaroi se një grup i vogël kriminal e ka penguar lirinë e lëvizjes në këtë fshat.
“EULEX-i është i vendosur që të sigurojë sundimin e ligjit për të gjitha komunitetet në Kosovë…EULEX-i do të vazhdojë që të bashkëpunojë ngushtë me KFOR-in në kthimin e lirisë së lëvizjes”, shtoi Hawton, transmeton Koha.