KFOR-i amerikan dhuron pajisje për Zjarrfikësit në Gjilan, synohet forcimi i kapaciteteve emergjente
Gjilan – Njësia Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Gjilan ka përfituar një donacion nga KFOR-i amerikan, në kuadër të bashkëpunimit për rritjen e kapaciteteve operacionale dhe përmirësimin e reagimit në situata emergjente.
Me rastin e dorëzimit të donacionit, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan, Enver Shabani, ka shprehur mirënjohje për përfaqësuesit e KFOR-it amerikan, nënkolonelin Michael Anderson dhe rreshter majorin komandues Miguel Hernandez, si dhe për togerin Hüseyin Arslan nga KFOR-i turk, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet lokale.
Shabani ka falënderuar gjithashtu Metush Bajramin, kryetar i Klubit të Rotarianëve në Gjilan, për kontributin dhe mbështetjen e ofruar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti.
Ky donacion vlerësohet si një kontribut i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve të Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, duke mbështetur përgatitjen dhe efikasitetin e saj në përballimin e situatave që rrezikojnë jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve.
Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve lokale, KFOR-it dhe organizatave të tjera mbështetëse dëshmon rëndësinë e partneritetit ndërinstitucional në zhvillimin e kapaciteteve emergjente dhe në krijimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët e Gjilanit./rajonipress/


