Këto ushqime duhet t’i hani për çdo ditë

Pranvera është stinë, që na largon barrën e dimrit dhe është prioritet të eliminohen shujtat e rënda dhe ushqimet që i përbëjnë ato shujta. Ajo që i shkon për shtati organizmit janë ushqimet përplot me vlera ushqyese, minerale e antioksidues. Ja cilat janë ato.
Dredhëzat
Dredhëzat janë të shëndetshme kundër shtypjes së lartë të gjakut, artritit dhe sëmundjeve të zemrës. Në fakt, studimet tregojnë se femrat e reja, që konsumojnë dredhëza më pak, rrezikohen nga sulmi në zemër. Është e pasur me vitamina C dhe fibra, janë burim për antioksidues dhe pakësojnë gjasat për shfaqjen e sëmundjeve kronike. Luftojnë edhe qelizat kancerogjene. Studimet kanë treguar se vitaminat A, C, E, B1, B12, B2, B3, B5 dhe B6, me të cilat dredhëzat janë të pasura, luajnë rol kyç edhe në shëndetin e syve, transmeton gazeta Kosova Sot Online.
Boronicat
Vera po afron, e me vetë këtë edhe sezoni i boronicave. Vetitë shëruese të boronicave njihen që prej gjysheve tona. Ngjyrën ua kanë borxh flavonoideve, që në mjekësi njihen si antocianinë, që ndikojnë mirë në shëndetin e syve, trurit dhe traktit urinar. Pos kësaj, boronicat mund të ndihmojnë edhe në shërimin e kolesterolit të lartë, kapsllëkut dhe diarresë, si dhe te inflamacionet e sinuseve. Fibrat, antioksiduesit, me të cilat boronicat janë të pasura mundësojnë në uljen e hipertensionit, ruajnë peshën trupore, si dhe parandalojnë shfaqjen e qelizave yndyrore.
Mollët
Mollët janë burim i mirë për antioksidues dhe ndihmojnë në luftën kundër radikalëve të lirë. Nëse çdo ditë në organizëm konsumohen dy apo tri mollë, mund të ulet kolesteroli në gjak, si dhe shtypja e lartë e gjakut, e po ashtu edhe stabilizohet niveli i sheqerit në gjak. Konsumimi i mollëve sidomos u sugjerohet personave, që kanë probleme me telashet në stomak, sepse përmbajnë pektinë, përbërës ky që stabilizon jashtëqitjen dhe ndihmon në shërimin e diarresë. Njerëzit që hanë një apo më shumë mollë më pak, janë të rrezikuar nga kanceri i gojës, gjirit, vezoreve, veshkave, prostatës.
Dardhat
Me arritjen e verës arrin dhe sezoni i dardhëve, që kurrsesi nuk duhet anashkaluar dhe duhet shfrytëzuar deri në maksimum. Dardhat janë të shëndetshme për zemër, e vetëm një dardhë mund t’ju mbrojë prej sulmit në zemër dhe në tru. Dardhat, në fakt, janë të pasura me fibra që ndihmojnë zemrën të jetë më e shëndetshme, stabilizon shtypjen e gjakut dhe kolesterolin. Dardhat ndikojnë mirë edhe në tru. Dardhat janë pemë ideale edhe për parandalimin e kancerit, e pasi janë të pasura me antioksidues, mbrojnë nga radikalët e lirë dhe mbrojnë acidet, që parandalojnë shfaqjen e kancerit.
Mjedrat
Sezoni i mjedrave është gjithnjë e më pranë, kjo pemë është gjithnjë e më shëruese, por përmban edhe pak kalori, prandaj është zgjedhje e duhur për të gjithë ata që janë në dietë. Mjekësia popullore lëngun e mjedrave e sugjeron për shërimin e sëmundjeve të lukthit dhe të zorrëve, sepse në mënyrë efikase pastron sistemin e tretjes. Lëngu i mjedrave ka edhe efekt ftohës dhe mund t’ju ndihmojë kundër gripit. Me konsumimin e mjedrave trupit i siguroni energji, funksionim të duhur për sistemin nervor dhe mban të shëndetshme indet.
(Kosova Sot)