UBT

Këto përsëritje nuk janë argumente!

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Nga Shefik Shkodra – Për shkarravinën e Sinan Sadikut, “Kur mungesa e fakteve zëvendësohet me trillime dhe epitete fyese”, të publikuar te Rajonipress, me 06. 06. 2017, lidhur me “Zjarri poetik” – antologji e poetëve të Dardanës, e publikuar nga SHB “Sogjetime” në Gjilan.

Titulli “Kur mungesa e fakteve zëvendësohet me trillime dhe epitete fyese” (edhe pse i eksploruar mjaft nga të tjerët, megjithatë, këtu je i vetëdijshëm se, shumë fyen për asgjë). Dhe vërtet nuk ka kurrfarë argumentesh që të kokorisësh aq gjatë. Kam pasur sugjerime nga disa kolegë që të mos merrem me fjalët e këtij “stilistit”, “poetit” e “teoricienit” të ri, megjithatë dua që këtë herë t’u tregoj lexuesve se lindi një Don Kishot tjetër në Anamoravë, tash, pikërisht në Dardanë.

Nuk i pëlqen emërtimi që ia bëra do ditë më parë. I ka studiuar shprehjet me fjalor shkollor: plutokrat nuk po mund të jetë, e ka problemin se nuk është i pasur; oaza e ka marrë vesh se është një vend i bleruar në mes shkretëtire. Po këto dy shprehje s’kanë të bëjë me shtetin as natyrën…Tendenca e këtij “ekspertit”, si duket, ishte për krijimin e një oaze në veprimtarinë letrare artistike në Dardanë.

Sa më butë e prajshëm të sillesh me njerëz injorantë e të ligj, ata e ngritin zërin lart e më lart dhe të keqpërdorin. Këndellën dhe e mendojnë vetën si shumë të dijshëm e të arsyeshëm. Si gjeli në pleh(sic.)

Ky “dijetari” bëhet se është mbulesa e gjithë botës. Nuk e di njeriu se çka kërkon, nuk e lexon si duhet librin si tërësi; nuk e lexon pjesën si hyrje (s’merr vesh, pos sipas mendjes së tij) ,veç orvatet diç të turbullojë; grindavec e gërzhagji; injorant e i paskrupullt; narcis e egoist; pallavraxhi e gojë shpraztë, që të gjitha këto emërtime janë për te dhe përpiqet të m’i hedh mua. Që të gjitha ky i mjerë i dëshiron dhe me to ka vendosur të jetojë. Është njëri prej atyre ekstremistëve që po përpiqet të gjejë mbështetje edhe te të tjerët. Me gjasë mund të ketë përkrahje, tash për tash të fshehtë nga “shoqëri” injorante. E ky e udhëheq vallen e shtrigave. Dhe ky me dije apo pa te, bëhet një Don Kishot, si njeri që vetëm ai kulturën e artin di ta çmojë e ta respektojë, ta drejtojë e ta sistemojë, ta vlerësojë e ta kultivojë, ta cilësojë e ta degradojë, por këto veti i përbuzë, i mungojnë dhe nuk ka predispozita për asgjë pozitive në këtë rrafsh.

Fajin e kam unë

Definitivisht kam dashur që ta kursej këtë Sinanin, duke pasur parasysh se aq di e aq ia lejon rrezja e tij e veprimit. Po fajin e kam unë që iu kam përgjigjur si koleg në mënyrë shumë modeste. Çka iu desh ta përsëris krejt artikullin e muaji të kaluar (maj), i bëri shtatë faqe me budallallëk e tash pesë të tjera word te ky portal?! Ato që i dëgjon prej meje i transformon dhe i transmeton, gjoja ai më identifikon mua më të tillë emërtime. Le që e përsërit veten, por e keqja që edhe mua më kopjon, si ai rrëfimi popullor, ‘Fantazma dhe mullisi’. Po mllefi e smira nuk e lë të qetësohet. Sepse, nuk është dashur dikush tjetër (sipas egos së tij) të bëjë antologji, sidomos për poetët e Dardanës, ngase ky pusi vetë ka menduar ta bëjë. Interesant! Po i pëlqen t’i thërrasin njerëzia – ‘Sinan Zeza’, alias “grindaveci”, alias “gërzhaqi”… se, këto epitete i shkojnë mirë karakterit të tij, jo timit. Unë nuk isha ai që ndeza grindje, as nuk jam zezue për asgjë. Po lexuesi do ta vërejë se, kush është mjeran e qyqja e natës.

Përgjegjësia është e imja me shumë vetëdije

UBT

Antologji kam bërë duke u bazuar me ata që kanë një përmbledhje e më tepër për të rritur. Do të thotë nuk e kam përzier edhe ata që shkruajnë për më të vegjlit. Për këtë kemi njerëz që do të mendojnë dhe do të veprojnë për këtë pjesë të letërsisë e letrarëve më mirë e më saktë. Sa për antologjinë “Zjarri poetik”, këtu po shtoj:

1. Po ta ribotoja disa herë këtë libër, nuk do të korrigjoja tjetër pos lëshimeve teknike. Unë nuk marr nëpër gojë askënd, si përzien ky palaço, duke u përpjekur të intrigojë edhe të tjerët në këto llafet e tija; unë nuk bëj propagandë, si i thërret ky autorët dhe lexuesit. E kam bërë librin me masën time, si është më së miri. Nuk shpjegojmë gjërat në fund të poezisë si bën ky e ndonjë tjetër i tillë. Atyre që ua kam hequr (shtuar) ndonjë fjalë të mos shqetësohen sipas propagandës së këtij “stilistit”, poezitë kanë dalë pa kurrfarë të mete. Të gjitha janë në nivel. Shkëlqyeshëm. Veç ndonjëri si ky Ftigani mund të mos e ketë të çartë dhe bën yrysh. Shikoje më mirë fjalën hyrëse. Së paku në kopertinë atë pjesë të paktë se, ti nuk mund të deshifrosh pjesë më voluminoze. Je shumë i kufizuar e i ngurtë! Shumë i papërmbajtur je e primitiv!…I pandërgjegjshëm. Lexo:
“Antologjitë janë zgjedhje individuale. Shije personale. Është vlerësim subjektiv. Masa e zgjedhësit është barazi me kulturën letrare të tij. Nuk do të thotë se e ka qëlluar, edhe pse do të ishte e dëshirueshme për autorin. Ky nuk është qëllim i pushtetit të plotfuqishëm dhe ligj i ngurtë. Lexuesi i mirë kurdoherë do të jetë i ekzaltuar, për ta lexuar një krijim poetik nga kushdo që të jetë, por vetëm atëherë, kur atij i pëlqen”. (Zjarri poetik, pjesë nga parathënia, f. 9). Tregoju për këtë edhe bashkëmendimtarëve.

2. Njëmend je ‘Sinan Zeza’! Ti ishe grindavec! të thashë mos e merr barrën që s’mund e çon. Thotë se, i përdor disa fjalë që ‘nuk i merr vesh as vetë’. Me rëndësi është që ti t’i marrësh vesh, për mua s’ka dert. Po të them, shikoje pak më mirë artikullin tim të kaluar si përgjigje : “Plutokrati i ri i një oaze në krijimtarinë letrare”. Asgjë nuk kam “masakruar” as nuk kam shtrembëruar. Po ti qenke personi më i prishtë shpirtërisht! Ani ky nga Malësia…Shiko mos po bien ndonjë shkronjë nga shkrimi im rastësisht!

3. Nuk ka nevojë të bëhesh personazh sot i teatrit mesjetar. U ka kaluar koha zhonglerëve. Komeditë janë për raste rehatie. Mos i prano sugjerimet e disa “dashamirëve”! Mos përdor biografi të huaja dhe polemika të tjerëve, duke u përpjekur që t’i vesh në funksion, sikur je shumë i përgatitur për këtë çështje. Thua se kanë shkruar disa personalitete për krijimet tua. Po mirë de, ta kanë bërë qejfin dhe nuk do të thotë se i ke rënë vulë kësaj çështje. Kjo për mua është krejt relative. Ti mund të arrish një ditë atje ku ëndërron, po me punë e me një ambicie të shëndoshë. Shkolla e jote tash kështu si e mendon nuk vlen për asgjë. Ti mua nuk mund të më mësosh, as s’ke nevojë të m’i tregosh si bëhen antologjitë. Krejt çka numëron si kritere për bërjen e një antologjie, janë të moçme punë, mua nuk më hyjnë në përdorim. Të gjitha që ke mësuar nga të tjerët, ruaj për vete! As mos i përmend Halilin, Agimin…e askënd. Leri të qetë njerëzit që s’kanë të bëjnë me ëndrrallat e tua me çorodi…

4. I përmend gjashtëdhjetë e nëntë (69) vitet e mia. Shumë mirë, nuk i mohoj fare. Është dashur të paraqitësh edhe masën e rrobave, apo numrin e këpucëve. Po nuk e di pse të duhet kjo. Unë nuk jam kandidat për mister. I them këtij Don Kishotit se jam në gjendje shëndetësore shumë të mirë. Kam besim në vete, se, edhe në gjumë jam më i kthjelltë se ai.

5. Çka ka arritur ky Panlaveri me kaq vrull që i imiton të njëjtat shprehje e fjali, nga ajo që ka shkruar më parë? Njerëzit normal nuk veprojnë kështu. Nuk kam përqesh KL, po ti nga këto klube po mendon se, çmimet e lëvdatat, kritikat (vlerësimet) për “poezitë” e tua nga disa njerëz, të kanë dhënë “hapësirën e merituar”, sipas teje, dhe ti tashmë je në zenit. Apo kolegë të klubeve (natyrisht – injorantë e shpirtkeq) të trimërojnë për t’ia humbur kohën tjetrit e ta ngashënjejnë edhe lexuesin në gjëra të kota. E di. Të tjerët nuk dalin në sipërfaqe. Ua di…prandaj ta japin dorën tinëzare në këtë drejtim. Dhe vërtet, ti je në iluzione, jo unë. Unë nuk vrapoj pas këtyre përrallave ditore e intrigave për t’u shfaqur si letrar i “njohur”, as pas përkthimeve me para. Ti vazhdo Sinan pusi! Hiç mos u ndal!…

Të vetmin mendim që e ke qëlluar, brenda atyre 5- 6 faqe vord (të fundit) kopi-past, është ajo: “…kam punë të tjera, ‘më sublime”. Me këtë po pajtohem dhe unë. Përpiqu për ndonjë punë me faqe të ndritshme. Krejt çka është dashur të them, të kam shkruar. Dhe vërtet s’kam çka të shtoj më. Edhe këto janë të tepërta. Edhe unë kam do punë “më sublime” e më të sinqerta…! S’vlen të merrem me ty…

10 VI 2017