RCCOLA

Këta të vetëvrasin!

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Adriatik Kelmendi: Pjekuria intelektuale e një shoqërie lyp të dëshmohet në situata jo të këndshme, delikate, me shumë të panjohura e paqartësi, me rreziqe të parashikueshme e të paparashikueshme, si kjo që e ka pllakosur Kosovën me (vetë)vrasjen në rrethin e parë të pushtetit.

Spekulimet janë në stratosferë e dinjitarët – heshtin. Dëmi që po i shkaktohet shoqërisë me heshtjen sigurisht se do të ketë efekte afatgjata.

“KËTA TË VETËVRASIN!” Kjo është fjalia groteske e përhapur kohëve të fundit që përshkuan rrëqethshëm një situatë të frikës, dyshimit, kalkulimit e mosbesimit të thellë të ngjizur me nge për vite brenda shoqërisë kosovare.

Fatkeqësisht, kjo u përkufizua kaq tmerrësisht marrë si shkas fundin tragjik të Dino Asanajt, sigurisht një ndër 10 njerëzve më të fuqishëm në Kosovë, si për nga funksioni (shef i procesit të privatizimit) ashtu edhe për nga qarku i ndikimit (një ndër njerëzit më të besueshëm të njeriut më të fuqishëm në vend, Hashim Thaçit).

E rrëqethshmja, pra, qëndron në dy nocionet e theksuara. Me “këta” përshkruhet një strukturë, gjithsesi e plotfuqishme, por e pacaktuar, që mund të jetë kushdo në këtë shoqëri pa përjashtim, teksa me “të vetëvrasin” shprehet bindja e pafuqisë kundrejt “strukturës së caktuar”, që mund të të vrasë dhe të të detyrojë të vetëvritesh njëkohësisht, sado paradoksale të duket kjo.

QË TA QARTËSOJMË, para se dikush të më akuzojë për pandjeshmëri rreth subjektit aq delikat të (vetë)vrasjes së Asanajt, se jam fare koshient për kompleksitetin e kësaj teme. Po ashtu, nuk e kam fare të lehtë të reflektoj mbi këtë, duke pasur parasysh se të ndjerin Asanaj e kam njohur edhe personalisht dhe duke e bashkëndjerë natyrshëm dhimbjen e familjes dhe të dashamirëve.

Mirëpo, përtej kësaj tragjedie, njësoj më tmerron fakti i mungesës së reflektimit intelektual të kësaj shoqërie për një situatë krejt të jashtëzakonshme, ndër më të diskutuarat e më spekulativet në këto vitet e fundit.

Pjekuria intelektuale e një shoqërie gjithsesi lyp të dëshmohet në situata jo të këndshme, delikate, me shumë të panjohura e paqartësi, me rreziqe të parashikueshme dhe të paparashikueshme, si kjo që e ka pllakosur Kosovën me (vetë)vrasjen në rrethin e parë të pushtetit.

Është e pafalshme se si, me fare pak përjashtime – dhe aty-këtu me ndonjë shkrim shumë të kalkuluar, ose në formë nekrologjie, ose mjegullimi të (pa)qëllimshëm – personalitete publike, politikanë, zyrtarë të lartë institucionesh, dinjitarë mediash e shoqërie civile, përfaqësues fetarë etj. etj., që shpesh janë të gatshëm të argumentojnë kurdo dhe për çfarëdo zgjodhën thjesht: të heshtin!

E provova edhe vetë një javë me herët teksa kontaktova një numër të konsiderueshëm “personash kompetentë” për të reflektuar në një debat më tepër socio-psikologjik për shoqërinë dhe fatin tragjik të njeriut të rëndësishëm, por secili pa përjashtim kishte një arsye madhore përse pikërisht ai nuk mund të merrte pjesë në diskutim.

Arsyetimet ishin thjesht kalkulime: “Mos po më keqkuptojnë!”

Njëri mos po e keqkuptojnë se e ka pasur mik shumë të ngushtë dhe çka do që thotë mund të keqinterpretohet, tjetri sërish për keqinterpretimin por për arsyen se ka pasur ndonjë fërkim me të ndjerin në të kaluarën, i treti se “institucioni ka marrë vendim që të mos flitet ende” për të evituar keqkuptimin, kurse i katërti se “institucioni” ka vendosur që t’i lërë “institucionet e tjera ta bëjnë punën e tyre pa u ndikuar”, i pesti se “shkencërisht” mund të keqkuptohet, e i dhjeti se ka pasur mjaft keqkuptime me ato që ka thënë deri tash dhe do që t’i shmanget një keqkuptimi tjetër (sic!).

Por, çka i ndodh një shoqërie kur të gjithë dinjitarët e saj, njerëzit që do të duhej të udhëhiqnin bien viktima të kalkulimeve meskine?! Frikësohen se – mos keqkuptohen?! Ata vetë. Personalisht.

Po çka në qoftë se keqkuptohet e gjithë shoqëria?!

Në qoftë se “kokat” hyjnë nëpër vrima të miut, kush do ta orientojë masën në udhëkryq?!

LAJMI PËR (VETË)VRASJEN e Asanajt është përcjellë nga të gjitha mediat e rëndësishme botërore. Kjo ngjarje do të luajë rol edhe në projektimin e mozaikut ndërkombëtar për atë se çfarë shteti po bëhet Kosova.

Dhe kush do të duhej të reflektonte në këtë rast?! A s’ka vërtet Kosova mendje të pavarura që do të mund të argumentonin një qëndrim për situatën pa shikuar interesin shumë të ngushtë personal?!

Mjerisht, ky po mbetet një episod shumë i zi për këtë shoqëri.

Kur heshtin intelektualët, atëherë edhe spekulimet marrin zjarr dhe tash të gjithë jemi dëshmitarë të shumë insinuatave, interpretimeve e pikëpyetjeve për rastin, të cilave sigurisht do t’ia kishin lakmi edhe maestrot e trilerëve, si Alfred Hitchckok e Stephen King.

Janë shumë pyetje e dyshime të ndryshme që çdo ditë shtrohen nën zë, ose shkruhen si anonime nëpër portalet e Internetit, nga qytetarët e frikësuar nga ngjarja dhe të trishtuar nga heshtja, për të mos thënë, misteri që po e përcjell të tërën.

– Si është e mundur “vetëvrasje” me aq shumë prerje e goditje?

– Si është e mundur “vrasje” në një ambient aq të sigurt?

– Pse do të “vetëvritej” një njeri “që i ka të gjitha”?

RCCOLA

– Kush mund ta “vrasë” një njeri “që i ka të gjitha”?

– A i ka përdorur dikush akuzat publike ndaj tashmë të ndjerit për ta hequr qafe dhe të sigurojë alibi?

– A e kanë shantazhuar akuzuesit?

– Sa miliona euro kanë qenë në pyetje?

– A po e përdor tash Qeveria situatën për t’i luftuar përfundimisht kritikuesit?

– A e ka bërë dikush nga rrethi i tij i ngushtë “vrasjen”?

– Përse po heshtin në mënyrë kaq të pazakontë organet e hetuesisë?

– Përse nuk po prononcohen EULEX-i dhe ambasadat?

– Përse u deklarua shpejt se ishte “vetëvrasje”?

– Përse u bë varrimi aq shpejtë?

– Përse u mbajt mbledhje komemorative në Kuvend dhe u bë varrim me ceremoni ushtarake, mos po dëshiron dikush të mbulojë diçka?

– Mos u ka dërguar dikush sinjal me këtë akt krerëve të tjerë të shtetit se sa të brishtë janë?

– A mos është “vrasje” politike?

– Mos e kanë bërë shërbimet e huaja?

– Mos e kanë “vrarë” profesionistë të paguar specialistë të krijimit të insinuatave?

– Përse nuk u ftua menjëherë FBI, por u pritën disa ditë?

– Nëse edhe njerëz të atillë “vriten”, ose detyrohen të bëjnë “vetëvrasje”, çka mund të na ndodhë ne të tjerëve?

– …

E PËRSËRIS, E KAM jashtëzakonisht të rëndë edhe që t’i shkruaj këto fjali plumbi, por me të tillat po përballemi çdo ditë nga të gjitha sferat e shoqërisë, që nga ngjarja tragjike. Sigurisht, se këto dilema frikësuese i ka dëgjuar edhe analisti shqiptaro-amerikan Fron Nazi, gjë që e ka shtyrë të shkruajë këtë fjali në shkrimin e tij për sigurisht gazetën elektronike më me ndikim në rruzull “The Huffington Post”: “Kosova është bërë një vend në të cilin ‘mund të shpëtosh pa u ndëshkuar për krimet’”.

Frika, mosbesimi, pasiguria e kanë kapluar këtë shoqëri si asnjëherë tjetër.

E, fundi i fundit, mund të dalë se ka qenë vetëm një veprim i ndikuar nga një çast dobësie i një personi të fortë e plot jetë.

Mirëpo, dëmi që po i shkaktohet shoqërisë me heshtjen do të ketë efekte të gjata. Është shoqëria ajo që po bën vetëvrasje! Ajo e fillimit “këta të vetëvrasin” lehtë mund të kthehet edhe në – “ne po vetëvritemi”.

Dino Asanaj – u prehsh në paqe! Ngushëllime për familjen!