Këshilltarët kërkojnë llogari për projektet e kryera
Viti – Asambleja komunale e Vitisë, ka mbajtur sot mbledhjen e 11-të të radhës, ku në rend dite është debatuar për gjashtë pika të rendit të ditës. Fillimisht këshilltarët kanë diskutuar për çështje tjera jashtë rendit të ditës, ku edhe kanë parashtruar pyetje për udhëheqësit komunal, që kishin të bënin rreth realizimit të projekteve të deritanishme, e gjithashtu edhe pika të tjera që i paraqitën si shqetësime të qytetarëve të komunës së Vitisë.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, i është përgjigjur pyetjeve të parashtruara, njiherit edhe ka njoftuar Kuvendin për punët e kryera deri më tani.
Në këtë kontest ai ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të bëhet përurimi, por edhe fillimi i ndërtimit të shkollës në Pozheran.
Ndërsa kryesuesi i Kuvendit Komunal Naim Pira, ka theksuar se është bërë konfirmimi nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ligjshmërinë e akteve dhe vendimeve të marra në Kuvend deri më tani.
Në këtë seancë, u shqyrtuan dhe u miratuan edhe propozim vendimi për shpalljen e diskutimit publik për ndryshimin e rregullores për taksa, ngarkesa dhe gjoba të komunës së Vitisë, propozim vendimi për faljen e borxheve të taksës në biznes, si dhe propozim vendimi për miratimin e rregullores për shërbimin e transportit me Merimangë për territorin e komunës së Vitisë.
Gjithashtu u dha informatë nga ana e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, lidhur me mirëmbajtjen e rrugëve lokale të komunës së Vitisë. Si pikë tjetër që hyri në rend dite, ishte propozim vendimi për shpalljen e diskutimit publik, për propozim rregulloren për kushtet, kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve, që poashtu morri aprovimin nga ana e këshilltarëve.
Ndonëse ishte paraparë për këtë mbledhje të shqyrtohet edhe propozim vendimi për pezullimin e përkohshëm të nenit 21 dhe nenit 13 pika 13.6 të rregullores komunale për taksa, ngarkesa dhe gjoba, megjithatë u vendos që kjo pikë të mbetet për seancën e radhës. /rajonipress/


