Kërkon hetim për rrethanat e vdekjes së Dino Asanajt
Me një minutë heshtje ka filluar mbledhja e Qeverisë së Kosovës, në shenjë nderimi për kryetarin e Bordit të AKP-së, Dino Asanaj, i vdekur ditë më parë.
Me këtë rast kryeministri, Hashim Thaçi ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të hetojnë shkaqet e vdekjes së Asanajt, duke shtuar se do të shqyrtohet çdo rrethanë, faktor apo shantazh për vdekjen e tij.
Në emër të Qeverisë së Kosovës dhe në emrin e tij Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes, bashkëpunëtoreve dhe gjithë miqve të Dino Asanaj. Për më tepër, ai ka shtuar se vdekja e tij ishte një lajm tronditës për të gjithë, si për familjen, bashkëpunëtorët dhe gjithë qytetarët e Kosovës.
Thaçi ka kërkuar zbardhjen e çdo rrethane apo, siç ka thënë ai, shantazhi që qoi në vdekjen e Asanajt.
“Duhet të siguroj gjitha institucionet e Kosovës se do të bëjmë çdo angazhim që rrethanat e vdekjes së Asanajt, shkaqet e vdekjes së këtij zyrtari të lartë të shtetit të sqarohen plotësisht.
Do të shqyrtojmë çdo rrethanë, faktor dhe shtytje që ndikojnë në vdekjen e dhunshme të Asanajt, qoftë të veprimeve subjektive apo objektive, të shantazheve të bëra edhe publik, nga individ apo grupe kriminale dhe mafioze të cilët nuk e pranojnë ekonominë e lirë të tregut të lirë.
Ne në Kosovë në shtetin tonë të ri nuk do të lejojmë me asnjë çmim që shantazhi, kërcënimi dhe dhuna të bllokoj ekonominë e lirë të tregut dhe konkurrencën”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Për më tepër, ai ka shtuar se Asanaj ka punuar shumë për vendin në kohën e çlirimit, në kohën e përpjekjeve për liri, e shtetbërje dhe për të do të respektohet gjithmonë nga shteti dhe qytetarët e vet të Kosovës.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës janë shqyrtuar disa pika të rendit të ditës dhe njëra nga to është edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për emërimin e Zyrtarit Kryesor Ekzekutiv në Zyrën Administrative të Mitrovicës. /Telegrafi/