RCCOLA

Kërkojnë sqarime

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Këshilltarët e suspenduar Enver Oruqaj e Rafet Rama, po kërkojnë sqarime shtesë nga Ministri Bajram Rexhepi. Njërit për këtë vendim iu dha lajmi natën e ndërrimit të motmoteve, derisa tjetri thotë se shkarkimin e kuptoi nëpërmjet medieve.

Enver Oruqaj nuk e priti Vitin e Ri si shumica e zyrtarëve që janë pjesë e Qeverisë së Kosovës. Pikërisht në natën kur ishte në pritje të ndërrimit të motmoteve, ai mori një lajm jo fort të mirë për veten. Oruqajt nëpërmjet telefonit iu kumtua lajmi se me ardhjen e një viti të ri, as ai më nuk do të jetë në pozitën që mbante deri tash.

Deri para pak ditësh këshilltar i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës Bajram Rexhepi, Oruqajt iu dha lajmi se nuk do të ushtroj më këtë funksion. Ministri kishte marrë vendim që ta shkarkonte nga kjo detyrë.

Thotë se një vendim i tillë, kaq i rëndësishëm për të, nuk ishte i njëjtë edhe për ministrin të cilin ai deri vonë e këshillonte. Kjo pasi shkarkimin nga detyra e këshilltarit, Oruqi thotë se e kuptoi fillimisht nëpërmjet telefonit. “Natën e Vitit të Ri, më mori në telefon asistentja e ministrit. Atë e kishte ngarkuar për të më dhënë këtë lajm”, ka deklaruar Oruqaj të enjten për Express.

Pohon se si arsyetim i shkarkimit iu dha ri-formatimi i por asgjë më shumë. Sipas Oruqit ministri është dashur që ti japë një arsyetim konkret për çka saktësisht e ka shkarkuar. “Unë po pres një sqarim nga ministri ai duhet të japë më shumë detaje rreth këtij vendimi. Po pres deri të hënën….atëherë do të dalë e flas unë më shumë rreth shkarkimit tim. Tash për tash kam vendosur të hesht”, ka thënë Oruqaj.

Megjithatë ku ish-këshilltar nuk pajtohet vetëm me një gjë. Thotë se ministri është dashur që vendimin të cilin e ka marr ta zbatojë para ose pas festës. “E jo pikërisht natën e vitit të ri siç ka bërë”, tha ai.

Hidromorava

E nuk i vetmi Enver Oruqaj ai që e pësoi menjëherë pas fundvitit. Bashkë me të ministri Rexhepi e shkarkoi nga po i njëjti post, këshilltarin tjetër Rafet Ramën. Edhe për të dha arsyen e njëjtë, por la diçka mangët. Rama i ka thënë Express se ai e ka kuptuar se nuk do të jetë më pjesë e kabinetit të Rexhepit nëpërmjet medieve. “Unë nuk kam qenë i informuar për shkarkimin tim. Nuk kam ditë asgjë. Lajmin e mora të enjten”, tha Rama për Express.

Sipas Ramës vendimi i ministrit Rexhepi vjen në kohën kur ia është në pushim. “Deri me datën 10 nuk jam në punë, prandaj nuk mund të flas për shkarkimin tim. Kur te vijë koha do të jap më shumë detaje”, vlerëson Rama. “Sepse nuk e di saktë pse jam shkarkuar…vetëm e di se ministri e ka përmendur ri-formatimin”.

Megjithatë të dy këta ish-këshilltar të ministrit Bajram Rexhepi janë të bindur për dicka. Që të dy thonë se shkarkimi i tyre nuk ka të bëjë fare me skandalin e pasaportave pas të cilit u arrestua Natali Velijaj. “Nuk ka të bëjë fare me pasaportat. Unë nuk kam pas gisht në atë skandal. Të gjithë e dinë se si kam punuar unë deri më tash”, kanë thënë Rama e Oruqaj.

Ndryshe ministri Rexhepi ka thënë se shkarkimi i këshilltarëve Rafet Rama dhe Enver Oruçaj është bërë në kuadër të ri-formatimit të kabinetit. “Ka të bëjë me profilin e tyre, sepse më duhen këshilltarë të profilizuar për liberalizim të vizave dhe integrim. Kjo nuk ka të bëjë me çështjen e pasaportave”, ka thënë Rexhepi.

Sidoqoftë, këto nuk janë suspendimet e vetme që Rexhepi ka bërë kohëve të fundit. Me shkarkimin e Oruqajt e Ramës, numri i këshilltarëve të shkarkuar në MBP shkon në tre. Kjo pasi në nëntor të vitit që lamë pas ministri ka shkarkuar edhe këshilltarin e tij politik, Sedat Gashi. E pos tij ka pezulluar me pagesë kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj dhe drejtorin e Departamentit për Prodhim të Dokumenteve, Besnik Berisha. Vendimet erdhën vetëm disa ditë pas arrestimit të shtetases gjermane, Natali Velija, nën dyshimin se i ka marrë 1.4 milion euro nga MPB-ja dhe nuk i ka transferuar në kompaninë austriake, që prodhon pasaportat biometrike. Pavarësisht se MPB-ja, nuk ka sqaruar nëse shkarkimi dhe pezullimet lidhen drejtpërdrejt me këtë skandal. “Shkarkimi i këshilltarit Gashi, është bërë për shkak të mospërmbushjes së detyrave dhe përgjegjësive si këshilltar Politik, ndërsa pezullimi për zyrtarët, Camaj dhe Berisha, për shkak të keqmenaxhimit dhe marrëdhënieve të këqija ndërnjerëzore me stafin”, thuhej në komunikatën e MPB-së.

Derisa para pak kohësh ministri Bajram Rexhepi kishte gjithsej katër këshilltar, por kabinetin e tij viti 2013 e gjeti vetëm me një të tillë. Shkarkimeve të Rexhepit deri më tash i ka shpëtuar vetëm Fisnik Rexhepi, i cili aktualisht është i angazhuar në krye të ekipit për zbatimit të marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufijve (IBM), MES Kosovës e Serbisë. Enver Oruqaj e Rafet Rama deri para se të shkarkohen ishin këshilltar për siguri të ministrit të MPB’së, Bajram Rexhepi.(express)