Uji Dea

Kërkojnë dr. Vampirin

/ 4 minuta lexim

Mbrojtësit e të pandehurve në Rastin Medicus kërkojnë që të dëgjohet si dëshmitar edhe Jusuf Sonmezi, njeriu kryesor që dyshohet se ka kryer transplante veshkash. Prokurori kanadez ka kërcënuar se nëse Sonmez shkel në Prishtinë, ai do të arrestohet.

Jusuf Sonmez do të mund të dëshmojë në rastin Medicus, por vetëm nëpërmes videolidhjes nga Stambolli, e jo nga gjykatorja. Nëse Sonmez vjen në Prishtinë, ai menjëherë do të arrestohet. Kërkesën për të dëshmuar mjeku, i njohur edhe si “Doktor Vampiri”, e ka bërë avokati i Driton Jiltës, njërit nga të pandehurit të këtij rasti.

Kërkesën e avokatit Ismet Shufta e ka pranuar paneli i gjyqtarëve në rastin Medicus, ku po akuzohen Lutfi Dervishi, urolog, dajli i tij Arbani, Ilir Rrecaj, ish-sekretar në Ministrinë e Shëndetësisë, Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla dhe Islam Bytyqi. Në lidhje me këtë rast akuzohet edhe mjeku turk, Yusuf Sonmez dhe Moshe Harel, shtetas nga Izraeli.

Aktakuza i ngarkon ata me veprën penale krim i organizuar, transplantim ilegal i organeve dhe shpërdorim i detyrës zyrtare. Somnez është po ashtu i akuzuar si njeriu kryesor në transplantimet e kryera në Klinikën Medicus në dalje të Prishtinës. Somnez ka një urdhër arresti nga gjykata dhe një kërkesë për arrestim nga Interpoli. Sipas informatave të avokatit të tij, Somnezi gjendet në Stamboll dhe është duke e ushtruar funksionin e tij si mjek në ordinancën e tij private.

Avokati Shufta propozoi që si dëshmitar të dëgjohet edhe Kenan Demirkoll, asistent kryesor i Somnezit në kryerjen e transplantimeve. Propozimet nuk u kundërshtuan nga prokurori, e as nga mbrojtja. Prokurori Jonathan Rathel tha se Somnezi do të mund të dëgjohej përmes videolidhjes.

Uji Dea

“Nëse ai vjen në aeroport, unë do ta arrestoj atë”, ka shtuar ai. Në seancën e së martës, si dëshmitare u dëgjua Manan Koqava, mjeke në seksionin e mjekësisë në OSBE, misioni në Kosovë. Dëshmitarja kishte qenë mbikëqyrëse e të pandehurit Driton Jilta. Dëshmitarja fillimisht u pyet nga prokurori, e më pas nga mbrojtja. Ajo tregoi se cilat kanë qenë detyrat e saj dhe të pandehurit në OSBE, po ashtu tregoi edhe për kontaktin që ata kishin me institucione private të shëndetësisë.

“Pjesë e punës sonë ka qenë vizita nëpër institucione shëndetësore, ne si grup kemi qenë në shumë vende…në mesin e të cilave janë ‘Rezonanca’, ‘EuroMed’, ‘Lindja’, ‘Bahçeci’, klinika kardiokirurgjike, gjinekologjike, dentare etj”, tha dëshmitarja Koqava. Ajo shtoi se nuk ka qenë asnjëherë në Klinikën “Medicus”, por e dinte që Jilta kishte vizituar disa klinika të tjera, vizita të cilat i kishte raportuar te ajo.

Dëshmitarja tha se kur e kishte marrë vesh ngjarjen nuk ishte ndjerë mirë. Kur kishte takuar të pandehurin Jilta, ai e kishte njoftuar se po e akuzonin për trafikim me njerëz dhe për transplantim organesh. Derisa po i tregonte për akuzat, Jilta ishte i përlotur. “M’u duk i shokuar dhe i shkatërruar”.

Dëshmitarja kujtoi se pasi që kishte marrë Jilta suspendimin, ajo kishte shkuar në shtëpinë e tij për ta vizituar pasi që ishte frikësuar se mos po i ndodh diçka e keqe, për shkak të gjendjes së tij. Dëshmitarja Manana Koqava tha se i pandehuri Jilta më pas i kishte treguar asaj se ai kishte marrë pjesë në një operim, vetëm për 15 minuta, të transplantimit të veshkave në Klinikën “Medicus”, dhe këtë e kishte bërë nga kureshtja profesionale. Seanca e radhës në çështjen Medicus do të vazhdojë të enjten.(express)