Kërkohet që dialogu të udhëhiqet nga Qeveria pas 6 tetorit

Më 9 nëntor të vitit të kaluar dy palët e përfshira në dialog janë ulur në tavolinë për herë të fundit. Pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër në kuadër të fazës finale. Ndonëse janë duke qëndruar në Nju-Jork, as presidenti i Kosovës e as ai i Serbisë nuk kanë dhënë kurrfarë sinjali se kur mund të ketë rinisje të negociatave, shkruan gazeta “Zëri”.

Po bëhet gati një vit prejse pala kosovare dhe ajo serbe nuk janë takuar për të diskutuar në kuadër të procesit të dialogut Kosovë – Serbi. Pavarësisht kësaj, thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për vazhdimin e këtij procesi nuk janë ndalur përgjatë kësaj periudhe kohore. Për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dyja vendeve ditëve të fundit u fol edhe në Nju-Jork, ku po mbahen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Para fillimit të Asamblesë liderët e Ballkanit Perëndimor kanë darkuar me ndërmjetësuesen e dialogut Federica Mogherini. Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Mogherinit pas takimit u tha se të gjithë pjesëmarrësit mbështetën vazhdimin e dialogut dhe arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare mes dy vendeve.

Megjithëkëtë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk u deklarua fare për dialogun këtë herë, siç bënte zakonisht kur ishte në vizita të tilla. Por homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ndërkombëtarët kanë kërkuar të gjendet një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht të punohet drejt arritjes së marrëveshjes.

Ndonëse ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për rinisjen e dialogut, zyrtarët e partive që kanë qenë në opozitë në legjislaturën e fundit konsiderojnë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë deri pas përfundimit të zgjedhjeve të tetorit. “Dialogu nuk mund të ndodhë ose nuk mund të ketë asnjë progres në dialog para zgjedhjeve të 6 tetorit dhe pa pasur një qeveri me legjitimitet të plotë. Nuk ka ndonjë mundësi që të shtyhet diçka përpara në kohën kur nuk ka qeveri me përbërje të plotë”, ka deklaruar kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila.

Sipas Kusari-Lilës, pas zgjedhjeve të reja dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria, jo nga presidenti, shkruan gazeta “Zëri”.

Kurse Faton Bislimi, kandidat për deputet nga LDK-ja, ka thënë se duhet të ketë legjitimitet për vazhdimin e dialogut. “Ne kemi theksuar edhe më herët që nuk e kemi problem të jemi pjesë e dialogut, por kërkojmë legjitimitet. Pra ne kemi kërkuar zgjedhje pikë së pari, pastaj le të vendosë populli se kush është për ta udhëhequr qeverinë, pastaj ne në bazë të legjitimitetit që na jep populli i Kosovës do ta bëjmë edhe dialogun”, ka deklaruar Bislimi./ZERI

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS