Kërkohet më shumë transparencë nga institucionet komunale

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Drejtori i zyrës rajonale të OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar, ka thënë se organizatat e shoqërisë civile duhet të angazhohen më tepër që të ndihmojnë në krijimin e mekanizmave që ndihmojnë në ngritjen e transparencës së institucioneve lokale si dhe në vendimmarrjen e qytetarëve.

Zyra rajonale e OSBE-së në Gjilan dhe zyra e OSBE-së në Viti,kanë mbajtur në Viti një takim me përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare të Komunës së Vitisë, me të cilat kanë diskutuar për nivelin e pjesëmarrjes së publikut në procesin e vendimmarrjes si dhe angazhimin e shoqërisë civile për themelimin e këshillave konsultative në bazë të udhëzimeve administrative të MAPL-së.

Drejtori i zyrës rajonale të OSBE-së në Gjilan, Ulrich Biffar, ka thënë se organizatat e shoqërisë civile duhet të angazhohen më tepër që të ndihmojnë në krijimin e mekanizmave që ndihmojnë në ngritjen e transparencës së institucioneve lokale si dhe në vendimmarrjen e qytetarëve.

Ai ka theksuar se nëse komuna arrin që të informojë qytetarët , do të ketë më shumë sukses në punën dhe këtu një rol të madh ka shoqëria civile.

Ndërsa, Afrim Nesreti, zyrtar në misionin e OSBE-së, është shprehur se një numër i madh i organizatave të shoqërisë civile janë të angazhuara në monitorimin e punës së ekzekutivit apo legjislativit në komuna ,dhe në bazë të monitorimit të bëra nga këto organizata ka shumë hapësirë për të vepruar shoqëria civile në drejtim të ngritjes së nivelit të pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje.

Fundamenti

Ai ka thënë se në këtë drejtim shoqëria civile mund të jap kontributin e saj në themelimin e këshillave konsultativ, që mund të shërbejnë si mekanizma për ngritje të nivelit të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Ndërsa, Emrush Azemi nga OJQ Elita, ka thënë se në komunën e Vitisë, shoqëria civile ka arritur që të siguroj vendet në komitetet jo obligative , dhe në të ardhmen duhet të angazhohet që të punoi edhe në formimin e këshillave konsultativ.

Kurse Jahi Hasani nga organizata OPFAKOS, është shprehur se përmes këtyre këshillave mund të adresohen shumë çështje që janë në interes për qytetarë.

Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, kanë shprehur gatishmërinë që të japin kontributin e tyre në themelimin e këshillave konsultative, të cilat janë në interes të ngritjes së nivelit të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile në Viti, janë pajtuar që të iniciojnë themelimin e këshillave konsultative për prioritete në investime kapitale, zhvillim rural, politika rinore dhe mbrojtje të ambientit./rajonipress/