RCCOLA

Kërkesa për artikulim të qartë të mendimit shkencor

/ 7 minuta lexim

Gjilan – Nga mr.Sarë Gjergji -Nuhi Ismajli, Përsiatje letrare, Era, Prishtinë, 2012, f..238

Letërsia shqipe, jo gjithherë është vlerësuar si duhet nga studiuesit e letërsisë. Vlerësimet për të vuajnë nga paragjykime nga më të ndryshmet. Ato janë të natyrës e tendencës politike, religjioze, krahinore…

Ato vuajnë edhe për mungesë serioziteti në punën shkencore. Shih për këtë, nevoja dhe domosdoshmëria e vështrimit dhe studimit të historisë së letërsisë shqipe në tërësinë e saj, e liruar nga paragjykime e tendenca të caktuara, vazhdon të jetë preokupim dhe shqetësim i studiuesve të mirëfilltë të letërsisë.

Libri, Përsiatje letrare, i studiuesit dhe pedagogut të vyer, Nuhi Ismajli, flet për vepra e autorë të ndryshëm. Ai rreket të dëshmojë me kompetencë prej studiuesi të mirëfilltë, të metat e përparësitë në veprat që trajton. Janë çështje të ndryshme që merr në shqyrtim autori. Duke filluar me sqarimin rreth përdorimit të drejtë (dhe jo të gabuar, siç ngjan nga studiues të ndryshëm) të termave letërsi shqipe dhe letërsi shqiptare, ai vazhdon më tej duke i sjellë ndërmend lexuesit fillesat e romanit shqiptar (romanin Sofia Kominiate të Santorit dhe jo Dashuria e Talatit me Fitneten, siç pretendon studiuesi Sabri Hamiti), për t’u thelluar më pas në shqyrtimin e veprave të shumta letrare.

Janë me shumë interes për lexuesin, në mënyrë të veçantë për studiuesit (përfshirë këtu nxënësit dhe studentët), mendimi dhe pikëpamjet e autorit rreth disa studimeve që kanë të bëjnë me letërsinë e traditës, pa harruar edhe disa tekste shkollore të studiuesit Prof. Sabri Hamiti.

Janë padituria, por edhe paragjykimet e ndryshme, sipas autorit, shkaqet që disa studiues mohojnë vlerat e mirëfillta letrare dhe kombëtare të letërsisë shqiptare të humanizmit dhe të letërsisë shqipe të shek. XVI-XVII dhe mbivlerësimi, nga ana tjetër, që i jepet letërsisë së bejtexhinjve.

Janë të parat ato që mbrujnë në vetvete artin letrar dhe ruajnë, formojnë e ngrisin në një shkallë më të lartë shpirtin, identitetin në tërësinë e saj dhe natyrshëm qenien tonë kombëtare dhe jo letërsia e bejtexhinjve, e cila shquhet për përdorimin e barbarizmave, aq sa për leximin e tyre kërkohen fjalorët.

Kjo vjen si rezultat i mungesës së ndërgjegjes gjuhësore të bejtexhinjve si dhe i ndikimeve politike e ideologjike të pushtuesit osman, i cili, përmes rrethanave të krijuara dhe imponimeve të tij, synonte njëjtësimin e shqiptarëve me vetveten. Një kriter ata e kanë (ridizajnuesit dhe rikomponuesit e letërsisë shqipe/shqiptare, siç i quan autori, me të drejtë, mohuesit e letërsisë së traditës) për letërsinë shqiptare të humanizmit, një tjetër kriter për letërsinë e bejtexhinjve.

Kërkesat për ridizajnimin apo rikomponimin e letërsisë shqiptare të traditës, që nga zeroja, përkojnë me qëndrimin e luftën e pushtuesit osman kundër popullit shqiptar e kulturës së tij, si dhe me pikëpamjet dhe synimet e ithtarëve të sotëm, për harresën e identitetit të dikurshëm shqiptar dhe krijimin e një identiteti të ri, përfundon autori.

RCCOLA

Duke qenë dhe vetë pedagog e duke pasur në përdorimin e përditshëm me nxënës, veprat, librat shkollorë Letërsia e vjetër shqiptare për klasën e 10-të, “Albas”,2004 Letërsia romantike shqiptare 11,”Albas”, 2004 dhe Letërsia moderne shqipe, “Albas”, 2006, të studiuesit të mirënjohur, S. Hamiti, autori i librit Përsiatje letrare, me mendimin, vlerësimin e sugjerimin që sjell, angazhohet për mënjanimin e disa të metave që hetohen në këto tekste, gjithsesi me vlera të pamohueshme shkencore, arsimore, didaktike, metodike etj..

Këto vlerësime kanë të bëjnë me shkrimet e para dhe bejtexhinjtë, me disa pohime kundërthënëse, që hetohen në vlerësimet e përgjithshme që studiuesi Hamiti jep për letërsinë e shekujve XVI-XVIII e letërsinë e bejtexhinjve, dhe të cilat kundërshtohen nga pohimet për autorët e veprat konkrete të kësaj letërsie.

Po ashtu, autori flet, me përgjegjësi prej studiuesi, duke ilustruar me shembuj e duke argumentuar me fakte edhe për pasaktësi të dhënash, paqëndrueshmëri interpretimesh e për probleme gjuhe e stili që has në tekstin Letërsia romantike shqiptare 11, të Prof. Hamitit, ndërkohë që për tekstin tjetër të këtij autori, Letërsia moderne shqipe 12, flet për disa pasaktësi, mungesë të dhënash, interpretime të paqëndrueshme e për gabime gjuhësore.

Sistemimi jo i mirë i lëndës, përsëritja e mendimeve, shprehja e mendimeve të paqëndrueshme dhe, shpesh, kundërshtimore, hetohen nga studiuesi i zellshëm, Nuhi Ismajli, edhe tek libri Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip, i autorit Abdulah Hamiti, ndërkaq që për trajtim joshkencor dhe të politizuar të veprës së Fishtës, e cilëson edhe veprën e Bajram Kosumit, Lirika e Fishtës, Toena, Tiranë, 2004.

Largimi nga objekti i studimit, politizimi dhe keqinterpretimi i poezisë së Fishtës, zhvlerësimi i studimeve për veprën e Fishtës, injorimi dhe vlerësimi joobjektiv i Fishtës, e karakterizojnë veprën në fjalë të Kosumit. Studiuesi, Nuhi Ismajli, sikundër edhe për vepra të tjera, edhe kësaj radhe, ofron shembuj, jo të pakët, me të cilët përballë mendimet e vetë autorit.

Një mendim i dhënë njëherë, kundërshtohet më pas, jo rrallë, nga vetë autori, edhe në veprën e Kosumit. Pra, Kosumi, kundërshton Kosumin, siç pamë Hamiti ta kundërshtojë Hamitin, ose siç ndodh me Kujtim M. Shalën ta kundërshtojë K.M.Shalën tek Fishta përballë Fishtës, Buzuku, Prishtinë, 2004. Autori i qaset edhe shkrimit Sfida fishtiane e “Nji lule vjeshtet” të Arben Atashit (botuar në Fjala, nr.4-5, prill-maj 2002, f.13), të cilin e cilëson si një sprovë antishkencore.

Studiuesi, N. Ismajli, do trajtojë e shqyrtojë me një akribi shkencore edhe vepra të tjera. Një vlerësim mjaft pozitiv, ky autor jep për veprat, si: Shija e librit, të studiuesit A. Gojçaj, të cilin e cilëson për formimin e lartë letrar të tij; Simboli dhe rivalët e tij, të Basri Çapriçit, të cilin e cilëson si një nga studiuesit më të shquar të letërsisë, Jusuf gërvalla-jeta dhe vepra, të Myrvete Dreshaj; Estetika moderne, të S. Çapalikut, e cilësuar, me të drejtë, si një vepër e pikëpamjeve moderne për estetikën, tekst shkencor tejet me vlerë, për të vazhduar me Kutelin, B.Musliun, Ibrahim Kadriun, M. Ramadanin G. Xhafollin, S.Gjergjin e N. Ukajn. Vlerësimet për Kasnecët e shiut (1994), Kështjellën (1970), të Kadaresë, Mekamin e Trebeshinës, të përshpirtmës në veprën letrare të De Radës e interpretimit të gabuar, që i është bërë veprës së Migjenit, dëshmojnë për një trajtim e shqyrtim të lëndës deri në imtësitë më të vogla të mundshme nga ana e studiuesit N. Ismajli.

Vepra, Përsiatje letrare, e Nuhi Ismajlit, në një kohë kur botohet gjithçka tek ne, kur vlera cilësohet antivlerë e antivlera na ofrohet për vlerë, kur qarqe të caktuara tentojnë mohimin e vlerave të mirëfillta të identitetit tonë kombëtar, së këndejmi dhe ndryshimin e identitetit tonë kulturor, është kërkesa më serioze për kritikë të mirëfilltë letrare, kërkesa pa pardon për nevojën dhe domosdoshmërinë e artikulimit të qartë të mendimit shkencor. Është një libër që i duhet medoemos opinionit tonë, një libër model i përkushtimit në punën shkencore.