Kërcënojnë historianët

Ministria e Arsimit nuk do ta ndryshojë historinë, edhe nëse kjo është kërkesa e vetme e Turqisë. Madje këtu nuk do të mund të ndikojë as Qeveria e as ndonjë zyrtar i saj. Ndërhyrje në histori sipas Zëvendësministrit Nehat Mustafa do të ketë vetëm pas debatit me qytetarë dhe autorët e librave. E nëse ndryshimet ndodhin, historianët kërcënojnë me padi.
Historia nuk do të ndryshohet. Ajo vetëm do të ketë disa korrigjime. Madje as që do të pranohet një gjë e tillë, edhe nëse kjo është kërkesa e vetme e Turqisë. Kështu të paktën thonë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, kur u bie ndërmend se Republika e Turqisë ka kërkuar që librave shkollorë të historisë t’u bëhet një rishikim i kujdesshëm dhe që në pjesë të caktuara të tyre edhe të bëhen korrigjime.
Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, ka thënë se ekspertët që do të vinë nga Turqia nuk do të kenë ndikim në ndryshimet e teksteve, por, sipas tij, me ta vetëm do të diskutohet dhe debatohet për kërkesën e tyre.
“Nuk ka qëllim ardhja e tyre që ata të ndikojnë drejtpërdrejt në ndryshimet eventuale, por thjesht do të jetë një vizitë ku ata së bashku me ekspertët tanë do të shkëmbejnë përvojat e tyre që i kanë në këtë fushë”, ka thënë Mustafa.
Kjo pasi sipas zëvendësministrit nuk është as Ministria e Arsimit, as Qeveria e Kosovës e as zyrtarët e ministrisë ata që e ndryshojnë historinë. “Historinë e shkruajnë historianët, ndërsa çdo ndryshim, çdo ndërhyrje në tekstet shkollore do të bëhet vetëm pas një debati të hapur që do të kemi pastaj me gjithë qytetarët e interesuar të Kosovës dhe në veçanti pas debateve që do të kemi me autorët e teksteve shkollore”, ka thënë Mustafa për kosovapress.
Mustafa ka thënë se me ligj ndërhyrjet në tekste shkollore mund t’i bëjnë vetëm autorët e teksteve shkollore, të cilët ende nuk janë informuar rreth vendimit për rishikimin e teksteve shkollore.
E historiani Frashër Demaj, i cili është edhe bashkautor i disa teksteve shkollore të historisë, ka thënë se autorët e teksteve janë marrë vesh që të mos lejojnë që t’u preken tekstet pa lejen e tyre, përndryshe do t’i padisin në gjyq. Ai ka thënë se autorët e teksteve nuk janë njoftuar zyrtarisht për ardhjen e këtij grupi të historianëve nga Turqia.
“Nuk do të lejojmë që puna jonë intelektuale dhe e vërteta jonë historike të cenohet. Nuk mundet askush të ndërrojë tekstet shkollore të historisë aty ku gjendet emri im ose emri i kolegëve të tjerë pa miratimin tonë dhe ne absolutisht nuk jemi të gatshëm të bëjmë asnjë kompromis në favor të cilësisë”, ka thënë Demaj për kosovapress.
Gjithashtu, Demaj ka thënë se MASHT nuk i ka informuar autorët e teksteve shkollore për komisionin që ka formuar ky institucion për rishikimin e teksteve dhe kjo sipas tij është shumë jo logjike.
“Kur shkruajmë tekste historie gjithmonë e kemi parasysh edhe argumentin historik, edhe e kemi parasysh aspektin metodiko- didaktik, përkatësisht moshën e nxënësve të cilët kanë për t’u shërbyer me atë libër të caktuar”, ka theksuar Demaj.
Ai ka bërë të ditur se në qoftë se dalin argumente të reja shkencore, autorët e teksteve janë të gatshëm t’i pranojnë, por jo për hatër të politikës të bëhen kompromise me faktet dhe argumentet shkencore. Demaj ka thënë se Turqia tani është një shtet mik i Kosovës, por sipas tij nuk duhet mohuar se Perandoria Osmane na ka pushtuar dhe sunduar për 5 shekuj.
Për kërkesën e Turqisë, Ministria e Arsimit ka formuar një komision të përbërë nga ekspertë të historisë, gjeografisë dhe albanologjisë të cilët kanë përgatitur një raport se çfarë do të mund të korrigjohet në tekstet shkollore. Në krye të komisionit për rishikimin e teksteve shkollore janë profesori i historisë Shkëlzen Raça, gjeografi Ruzhdi Pllana si dhe albanologu Hysen Matoshi.(express)