UBT

Kërcënimi me UÇK

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Në luftën për të mbrojtur interesat e veta ekonomike e biznesore, të fituara nëpërmjet abuzimit të pushtetit, të frikësuarit se mund t’i humbasin ato kanë kthyer në publik kërcënimet me luftën dhe UÇK’në. Të tillë që e kanë njollosur UÇK’në me veprime të shëmtuara, tash shesin patriotizëm, duke pretenduar se kanë monopol mbi ushtrinë çlirimtare.

Kur ministri Glauk Konjufca mori vendim për shkarkimin e 14 konsujve, për kurreshtje vizitova profilet në Facebook të disave nga ta, por edhe të shumë sekretarëve të parë e të dytë, si dhe stafit tjetër të ambasadave të Kosovës nëpër botë. Njësoj veprova edhe kur qeveria shkarkoi bordin e Telekomit të Kosovës dhe kur u bë publike lista me pagat astronomike të një numri të vogël zyrtarësh të kësaj ndërmarrjeje publike.

Ajo çfarë më la përshtypje ishte se plot nga ta në fotografinë e profilit kishin vendosur ato ditë flamurin kuq e zi ose flamurin me emblemën e UÇK’së. Gjithçka po ndodhte vetëm pak kohë pasi që në seancën konstituive të Kuvendit, deputetë të PAN’it folën me gjuhë kërcënuese teksa përmendën luftën dhe UÇK’në. Gjithçka po ndodhte në ditët kur deputetë të PDK’së u kujtuan të shfaqin në sallën e Kuvendit flamurin me emblemën e UÇK’së. Po ndodhte në ditët kur liderë të opozitës po kritikonin kryeministrin Albi Kurti se po ua hiqte nga pozitat e rëndësishme bashkëluftëtarët, të cilëve ua kishin vazhduar kontratat jashtëligjshëm.

Pra, përnjëherë, të gjithë u kthyen te deklaratat patriotike e folklorike, thua se trashëgimia e luftës ua ka dhënë të drejtën e gjithë botës për të bërë gjithçka, për të grabitur e keqpërdorur, për t’u pasuruar, për t’u punësuar dhe përfituar paga astronomike në ndërmarrje publike, për t’i rehatuar po ashtu nëpër kompani publike familjarë, fis e farë, për të dërguar në shërbimin diplomatikë njerëz jokompetentë, analfabetë funksionalë që një status në rrjetet sociale nuk dinë ta shkruajnë pa gabime, për t’u shfaqur gjithë arrogancë e prepotencë.

Ata që ia tërhiqnin vërejtjen Kurtit në Kuvend se nuk guxon të luajë me fatin e Kosovës, në fakt mendjen e kishin te fati i interesave të veta ekonomike e biznesore, të fituara nëpërmjet abuzimit të pushtetit. E kishin mendjen te pasuria e fituar jashtëligjshëm, te privilegjet për vete e të vetët që mund t’i humbasin pas më shumë se një dekade.

* * *

Më shkaktoi neveri, ndonëse në një situatë normale do të duhej të sillte ndjenjë krenarie, veprimi i dy deputeteve të PDK’së, teksa vendosnin flamurin me emblemën e UÇK’së në Kuvend. Po e bënin këtë veprim në kuadër të luftës politike kundër dy partive shqiptare në pushtet dy deputete të partisë që kishte votuar krijimin e Gjykatës Speciale e cila, sipas tyre, qëllim ka kriminializimin dhe njollosjen e kësaj force çlirimtare.

Mobi Casa

Pra, deputetë të partisë e cila udhëhiqej nga presidenti i tanishëm nuk kishin mundur t’i bëjnë ballë presionit që ua bënte kryetari i tyre dhe kishin votuar krijimin e një gjykate që do të gjykojë pretendime për krime të kryera gjatë dhe pas luftës. Tash, partia e njëjtë po përpiqet ta demonizojë partinë rivale, e cila kishte votuar kundër krijimit të po së njëjtës gjykatë. Fort hipokrite dhe e papërgjegjshme politikisht.

Përgjatë dy dekadave njerëz me trashëgimi luftën çlirimtare e kanë dëmtuar më së shumti vetë UÇK’në dhe luftën. Arogantë e prepotentë, ata janë shfaqur si zot të gjithçkaje, thua se e posedojnë licencën e patriotizmit dhe kanë monopol mbi ushtrinë çlirimtare.

Nuk ka gjë më perfide se të përdorësh luftën dhe UÇK’në në përpjekje për t’i denigruar rivalët politikë, aq më pak kur emrin e luftës dhe të UÇK’së e ke keqpëdorur për të përfituar politikisht e financiarisht.

Nuk ka gjë më të ulët se ta kthesh në skenë, pas dy dekadash, luftën dhe UÇK’në në emër të të cilave ke përfituar rrastë, ndërkohë që mijëra të tjerë, ish-ushtarë të rëndomtë e të ndershëm, përfitojnë 170 euro në muaj.

* * *

Ata që kanë përfituar jashtëligjshëm, para ose pozita, duhet të ndëshkohen. Nuk mjafton vetëm shkarkimi i tyre, por ata duhet edhe të procedohen penalisht. Lufta dhe UÇK’ja e kanë vendin e vet meritor dhe vlerat e tyre nuk duhet t’i njollos askush. Por, lufta dhe UÇK’ja nuk mund dhe nuk duhet të amnistojnë askënd nga bëmat e tyre pas luftës. Dhe bëma të shëmtuara ka sa të duash, aq shumë sa qytetarët kanë të drejtë t’ia shtrojnë vetes pyetjen se për çfarë paskan luftuar këta njerëz?

Gabojnë të gjithë ata që pretendojnë se të kaluarën e lavdishme në luftë e kanë mburojë për veprimet e veta të liga pas saj. Gabojnë ata që pretendojnë se e kanë monopolin mbi luftën dhe UÇK’në. Me të tilla veprime ata fyejnë luftën, fyejnë UÇK’në dhe të gjitha viktimat. Lufta dhe UÇK’ja nuk duhet të shërbejnë si mjete frikësimi në duart e askujt.