Ker-Lindsay për ngërçin: Kurti më shumë faktor që pengon se forcë që sjell zgjidhje, barra më e madhe bie mbi të

James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, thotë se kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti, perceptohet më shumë si faktor që e pengon dialogun sesa si forcë që sjell zgjidhje.
Për Ker-Lindsayn, barra më e madhe bie mbi Kurtin, i cili, si udhëheqës i partisë më të madhe dhe kryeministër në detyrë, duhet të bëjë hapin e parë drejt kompromisit.
“Kjo lidhet edhe me ato që i kemi parë më herët, kur Vetëvendosje përdorte gaz lotsjellës, bomba tymuese apo sende të ngjashme gjatë seancave në parlament”, kujton eksperti britanik për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, ky imazh i lë edhe vendimmarrësit ndërkombëtarë në një pozicion më të tërhequr.
Për më tepër, thotë se Kurti i ka sfiduar shpesh edhe kërkesat e vetë atyre – qoftë për veprimet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qoftë për qëndrimet e ngurta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – dhe kjo, pastaj, “e ka dëmtuar besimin ndaj tij si lider me vullnet të mirë dhe përgjegjësi politike”.
Ndaj, thotë Ker-Lindsay, shumë prej aktorëve ndërkombëtarë preferojnë të qëndrojnë në hije, duke reaguar vetëm në rast se tensionet përshkallëzohen.
“Ndërkombëtarët nuk ndihen se mund të bashkëpunojnë me të. Nuk ndihen se mund t’i besojnë. Nuk kanë besim se ai është serioz në përpjekjet për t’i zgjidhur problemet e mëdha dhe për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme politike”, thotë Ker-Lindsay.
Ai tha se bllokada nuk do t’i bëjë asnjë nder Kosovës dhe se nuk do t’i ndihmojë në asnjë mënyrë.
“Do të shihet vetëm si një shembull i një problemi politik, që duket se ka ekzistuar për një kohë mjaft të gjatë”, shton Ker-Lindsay.