Keqëpërdorimet teknologjike

Vetëm gjashtë institucione kosovare brenda tri vjetëve të fundit kanë shpenzuar afër 30 milionë euro në blerjen e pajisjeve teknologjike. Në këto blerje përfshihen vetëm laptopët, printerët dhe softuerët. Sipas raportit të Auditorit Gjeneral, të gjitha këto blerje shoqërohen më shumë shkelje dhe keqpërdorime.
Institucionet kosovare kanë filluar të rrisin shpenzimet në blerjen e pajisjeve të teknologjisë informative. Vetëm gjashtë prej tyre kanë shpenzuar brenda tri vjetëve të fundit afër 30 milionë euro. Për furnizim me pajisje të teknologjisë informative në tri vitet e fundit nga institucionet publike të Kosovës janë shpenzuar miliona euro.
Këto thuhen në një raport të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, i cili tregon edhe për shumë shkelje e keqpërdorime në këto procese.
“Përmes procesit të prokurimit publik, institucionet publike në tri vitet e fundit kishin
shpenzuar rreth 15 për qind të Bruto Produktit Vendor, përkatësisht rreth 45 për qind të
buxhetit të vendit”, thuhet në një raport të Zyrës së Auditimit të Përgjithshëm të Kosovës.
Ky raport i Zyrës së Auditimit është fokusuar në vlerësimin e nevojave dhe në çmimet me të cilat ishin blerë pajisjet e teknologjisë informative.
Fushëveprimi i studimit, duke u mbështetur në nevojën për blerje të pajisjeve të TI’së, ka përfshirë vitet 2010 dhe 2011. Në këtë studim kemi përfshirë gjashtë institucione kosovare: Ministrinë e Forcës së Sigurisë, Ministrinë e Financave, Administratën Tatimore të Kosovë, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Dhe për këtë periudhë kohore, këto gjashtë institucione kanë shpenzuar mbi 29 milionë euro.
Në blerjen e produkteve të TI’së futen vetëm softuerët, laptopët dhe fotokopjet.
“Blerja e pajisjeve të TI’së bëhet sipas rregullave të prokurimit dhe bën pjesë te kontratat e furnizimeve. Për furnizim me pajisje të TI’së, në vitin 2009 janë shpenzuar më shumë se 8 milionë euro, në 2010 afërsisht 13 milionë euro dhe në 2011 janë shpenzuar rreth 8 mil euro”, thuhet në raportin e auditorit.
Në këtë raport janë gjetur edhe shkelje gjatë tenderëve dhe procedurave tenderuese dhe evidencës. Raporti tregon se institucionet nuk mbajnë shënime adekuate se si e kanë bërë vlerësimin e nevojave për TI.
“Kjo mund të vërehet edhe nga diferenca në mes planifikimit dhe realizimit të kontratave për TI”. Specialistët e TI’së, thuhet në raport, në dy institucione nuk ishin inkuadruar në procesin e vlerësimit të nevojave dhe në përcaktimin e specifikave të pajisjeve. Institucionet në raste të rralla kishin shqyrtuar mundësi tjera për përmbushjen e nevojave me TI, siç është marrja me qira e makinave fotokopjuese.
Gjithashtu thuhet se ekzistojnë dallime të konsiderueshme në çmimet e tre artikujve me karakteristika teknike përafërsisht të ngjashme dhe shumë detaje tjera.
Drejtuesit e Zyrës së Auditimit shprehën edhe shqetësimet e tyre në disa çështje për këtë fenomen të TI’së.
“Shprehim shqetësimin tonë se niveli i tanishëm i vlerësimit të nevojave nga institucionet është i pamjaftueshëm, për shkak se bazohet kryesisht në buxhetin e vitit paraprak dhe në kërkesat individuale të stafit”.
Shqetësim për ta mbetet edhe përfshirja e pakët e specialistëve të TI’së, si në vlerësimin e nevojave, ashtu edhe në përcaktimin e karakteristikave të pajisjeve të TI’së dhe së treti, megjithëse institucionet kanë aplikuar procedurën e hapur të prokurimit, jo në të gjitha rastet kanë rezultuar me çmimet më të ulëta.
“Po ashtu, kemi vërejtur se pajisjet e njëjta ishin blerë me çmime të ndryshme”, konkludon raporti i auditorit.(express)