UBT

Këngë të vjetra me raki të re

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enver Robelli- Në Bruksel Tomislav Nikoliqi sillet si manekin proevropian – në Serbi rreth vetes ka mbledhur figura të errëta të kohës së Slobodan Milosheviqit

Ndoshta disa lexuesve u kujtohet Milorad Vitezoviqi, një autor serb, i cili ka shkruar libra për fëmijë dhe ka formuluar plot aforizma. Më 19 nëntor 1988, kur në Beograd ishte mbajtur “mitingu më i madh i të gjitha kohërave” dhe kur vozhdi serb Slobodan Milosheviqi kishte premtuar arrestimin e atyre që “janë shërbyer me popullin me qëllim të realizimit të qëllimeve politike” (këtu mendohej në Azem Vllasin dhe politikanë të tjerë të Kosovës), shkrimtari Vitezoviq përballë masës së serbëve të dalldisur nga nacionalizmi kishte thënë këtë fjali, e cila do të hynte shpejt në histori: “I nderuar popull, historia jonë do ta kujtojë këtë vit si vit kur ndodhi populli”.

Atëbotë Milosheviqi kishte arritur t’i detyronte udhëheqjet politike në Vojvodinë dhe Mal të Zi të jepnin dorëheqje dhe t’i zëvendësonte me firaunë të tij. Tani kishte mbetur vetëm Kosova. Rrëzimi i udhëheqjes politike, heqja e autonomisë dhe fillimi i fazës së ashpër të represionit ishin synimet kryesore të politikës së atëhershme serbe. “Ndodhja e popullit” (dogadjanje naroda) ishte metoda që duhej praktikuar përmes mitingjeve masive, në të cilat brohoritej “Populli ka folur”, “Populli është gjyqtari më i mirë”, “Populli nuk mund të vuajë më”, “Populli e di të vërtetën”, “Populli e ka kuptuar”.

Idetë e vitit 1937

Derisa atëbotë Milosheviqi ia mori autonominë Kosovës me një puç kushtetues, Tomislav Nikoliqi dhe mentori i tij politik Vojislav Shesheli mendonin më konkretisht për “zgjidhjen e problemit të Kosovës” dhe “dhënien fund të vuajtjeve të serbëve në Kosovë”, vuajtje këto që kryesisht ishin fantome. Në traditën më të egër të Vasa Çubriloviqit, njërit prej racistëve më të mëdhenj serbë të shekullit 20, Nikoliqi, Shesheli dhe bashkëmendimtarët e tyre në fillim të viteve ‘90 propozonin një sërë masash për spastrimin etnik të Kosovës, mes tjerash parashihej konfiskimi i pronave të shqiptarëve, presioni i pushtetit ndaj shqiptarëve për të braktisur vatrat e tyre dhe një fushatë shtetërore për infektimin e tyre me virusin HIV. (Do të jetë shumë atraktive që në pesë vjetët e ardhshëm ndonjë gazetar ta pyeste Nikoliqin se çfarë mendon ai për këtë ide të Partisë Radikale, pjesë e së cilës ka qenë dikur).

Si shumë nacionalistë serbë, edhe Nikoliqi sa i përket Kosovës referencë politike, mes tjerash, e ka pasur edhe Memorandumin e Vasa Çubriloviqit të datës 7 mars 1937, mbi “Shpërnguljen e arnautëve” (shqiptarëve). Si rrugë të vetme për zgjidhjen e problemit të Kosovës, Çubriloviqi propozonte “dëbimin masiv” në Turqi dhe Shqipëri të shqiptarëve. Parakusht për këtë, sipas tij, duhet të ishte krijimi i “një psikoze të përshtatshme”.

Kësaj duhej shtuar edhe “presionin nga aparati shtetëror. Ai duhet t’i zbatojë ligjet deri në fund, në mënyrë që për shqiptarët të bëhet e pamundshme të qëndrojnë këtu te ne: gjoba, burg, përdorim i pamëshirshëm i të gjitha mundësive policore”. Memorandumi përmban edhe koncepte të tjera, ta zëmë thirrjen për armatosjen e kolonistëve serbë dhe djegien e fshatrave dhe lagjeve shqiptare.

Çubriloviqi e trimëronte pushtetin e atëhershëm për të dëbuar shqiptarët, duke nënvizuar se edhe Gjermania po i dëbon hebrenjtë dhe askush nuk po proteston kundër kësaj politike. “Mundësia e vetme dhe mjeti i vetëm është dhuna brutale e pushtetit të organizuar, duke ditur se me këtë kemi qenë përherë superiorë ndaj tyre (shqiptarëve)”, shkruante Çubriloviqi. Një historian, anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave, siç ishte Çubriloviqi, i cili e lavdëron popullin e tij për shkak se është superior në ushtrimin e dhunës ndaj një populli tjetër, shpalos edhe një pjesë të errët të rezonit shtetëror.

Kundër pavarësisë

Në vitet 1998/99, regjimi i Milosheviqit, me mbështetjen e Sheshelit, Nikoliqit dhe firaunëve të tjerë politikë, u përpoq ta realizonte fjalë për fjalë dhe paragraf për paragraf Memorandumin e Vasa Çubriloviqit. U dëbuan nga Kosova gati një milion shqiptarë, ata që mbetën shpesh u pajisën me karta të posaçme – për t’u dalluar si hebrenjtë në kohën e Hitlerit me “Judenstern” (ylli hebraik). Megjithatë, pavarësia e Kosovës nuk ishte fare në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare në fund të viteve ‘90 dhe sot mund të duket vërtet si mrekulli.

Uji Dea

Në fund të vitit 1997, kancelari gjerman Helmut Kohl dhe ministri i tij i jashtëm Klaus Kinkel ia kishin bërë të qartë presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, se ishin kundër shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Gjatë kryengritjes së armatosur shqiptare në vitin 1998, ministrja e Jashtme amerikane, Madeleine Albright, deklaronte: “Ia kemi bërë të qartë Milosheviqit dhe kosovarëve se ne nuk e përkrahim pavarësinë e Kosovës, se e duam Serbinë jashtë Kosovës, por jo Kosovën jashtë Serbisë”.

Shefi i saj, presidenti Bill Clinton, gjatë bombardimeve të NATO-s deklarohej po ashtu kundër pavarësisë. Historiani gjerman Holm Sundhaussen shkruan në librin e tij më të ri mbi Jugosllavinë dhe shtetet e saj pasardhëse se politikani më meritor për intervenimin e NATO-s kundër Serbisë ishte Tony Blair. “Ndër mbështetësit më të vendosur të një intervenimi ushtarak ishte kryeministri britanik Tony Blair, i cili në maj 1997 kishte pasuar paraardhësin e tij konservativ John Major dhe kishte nisur një kthesë në politikën britanike ndaj Ballkanit. Blair ishte i mendimit se politika e nënshtrimit ndaj Miloshevqit kishte dështuar, se nuk duhej lejuar përsëritja e një ‘Bosnje të dytë’ dhe se bashkësia ndërkombëtare ka obligim të mbrojë popullsinë civile në ato shtete, të cilat nuk mund apo nuk duan të garantojnë këtë mbrojtje (‘përgjegjësia ndërkombëtare për mbrojtje’).

Nën presionin e Blair-it NATO-ja vendosi të intervenonte. Madje pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pasi që Kina dhe Rusia, duke pasur parasysh problemet e tyre, nuk mbështetën një vendim të tillë. Intervenimi ishte shkelje e së drejtës ekzistuese ndërkombëtare. Një Komision i Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën në raportin e tij të vitit 2000 arriti në përfundim se ndërhyrja ushtarake e NATO-s ishte “ilegale, por legjitime”. “Ishte ilegale, sepse nuk mori pëlqimin paraprak nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, Komisioni është i mendimit se intervenimi ishte i justifikueshëm pasi që më parë u shterën të gjitha mundësitë diplomatike dhe pasi që intervenimi ndikoi në çlirimin e shumicës së popullsisë së Kosovës nga një periudhë e gjatë e shtypjes nën sundimin serb’”.

Injorancë në Bruksel

Duke pasur parasysh se bashkësia ndërkombëtare më shumë kalëron nëpër paragrafë sesa që angazhohet konkretisht për gjetjen e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave (rasti aktual është Siria), Nikoliqi merr guximin edhe sot të mohojë gjenocidin në Srebrenicë, ta quajë Vukovarin “qytet serb”, të thotë se nuk e ka ndërmend të vizitojë qendrën përkujtimore në Srebrenicë, të akuzojë KFOR-in për dhunë ndaj serbëve në veri, ndonëse në fillim të këtij muaji ishin ekstremistët serbë ata që me të shtëna sistematike plagosën dy ushtarë gjermanë.

Në Bruksel, Nikoliqi propagandon synimin e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por deklaratat e tij provokuese si dhe emërimi i disa këshilltarëve tregojnë qartë se ai nuk është shkëputur nga e kaluara e përgjakshme e Serbisë në vitet ‘90, kur ai nga Shesheli pranoi titullin “vojvodë i çetnikëve” dhe si paramilitar ishte aktiv në rrethinën e Vukovarit. Për këtë arsye ceremoninë e inaugurimit të Nikoliqit në fronin e presidentit para një jave e bojkotuan pothuaj të gjithë kryetarët e shteteve të rajonit. Lideri i socialistëve, Ivica Daçiqi, i cili këto ditë sërish po ekzaltohet me parulla nacionaliste, akuzoi vendet e rajonit për njëfarë komploti kundër Serbisë. Festa e inaugurimit të presidentit ishte tamam tradicionale serbe: me muzikë folklorike dhe me raki të pjekur nga vetë Nikoliqi në një katund në Shumadi.

Në disa qarqe proevropiane në Beograd ka ngjallur debate sidomos ekipi i këshilltarëve të Nikoliqit. Për shembull, këshilltar për çështje juridike presidenti i ri serb e ka caktuar Oliver Antiqin. Në vitet ‘90 Antiqi ishte një argat i ndyrë i sundimtarit dhunënxitës Slobodan Milosheviq. Si dekan i Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Beogradit, Antiqi përzuri nga puna gati 20 profesorë për shkak se ata ishin të njohur si kritikë të regjimit.

Një pozitë të rëndësishme në pallatin presidencial në sheshin e “Ivo Andriqit” në Beograd e ka marrë edhe Nebojsha Rodiqi: ai do t’i shërbejë Nikoliqit si sekretar i përgjithshëm. Në vitin 1997, Rodiqi ka qenë sekretar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe nga pjesëtarët e shoqërisë civile akuzohet për vjedhjen më masive të zgjedhjeve në historinë e re të Serbisë. Zëdhënëse për shtyp e Nikoliqit është Stanislava Pak, e cila në vitet ’90 ka punuar për televizionin shtetëror RTS. Kjo shtëpi mediale atëbotë ka qenë makina më e rëndësishme propagandistike e regjimit.

Gazetarët e pavarur në Beograd e mbajnë mend Stanislava Pakun si megafon të Miloshevqit. Udhëheqja e RTS tek para një viti ka kërkuar falje për propagandën, shpifjet dhe fjalimet urrejtëse gjatë sundimit të Milosheviqit. Duket se për të gjitha këto burokratët në Bruksel nuk kanë ose nuk duan të kenë njohuri. Shefja politikisht e dobët e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, këto ditë para kamerave në panik tregoi se nuk e dinte si dukej Nikoliqi dhe kërkoi ndihmën e vartësve të saj.
Prandaj në këto rrethana duket e tepërt të kërkohet nga Ashton të dijë se ç’është çetniku, vojvoda, se a ka dëgjuar për vrasjen e mbi 250 pacientëve të spitalit të Vukovarit, ekzekutimin e 8 mijë myslimanëve në Srebrenicë, vrasjen e 1600 fëmijëve gjatë rrethimit të Sarajevës, djegien e qindra-mijëra librave në Bibliotekën Kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë, pajisjen e shqiptarëve me kartonë me qëllim seleksionimi gjatë luftës së vitit 1999! Injoranca evropiane është parakusht i mirë për Nikoliqin të vazhdojë të rrethohet me figura të Milosheviqit dhe të merret me revizionizëm historik dhe fyerje të viktimave. Në mesin e politikanëve evropianë do të gjendet ndonjë figurant qesharak si slloveni Jelko Kacin, i cili apelon që Nikoliqi të mos paragjykohet!