Këngë kaçakësh

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Këngët e kaçakëve kanë qenë ndër më të mirat që ka pasur epika dhe lirika popullore shqiptare. Janë këngë që me vite janë kënduar nga shahirët, dhe sa herë që dëgjohen, të ngjallin emocion për gjithë atë epokë rebelësh që kundërshtuan pushtuesit me radhë: osmanët, serbët e të gjithë të tjerët që erdhën në tokat shqiptare.

Çdo trim që ka dalë kaçak, i është kënduar kënga, sepse pas vetes ka lënë një histori, shpesh të përgjakshme. Ka vrarë ndonjë xhandar, spahi, ose ndonjë aga turk, sepse ia ka cenuar të drejtën individuale, ose edhe kolektive-kombëtare.

Qorr Ilazi, Sinan Llapi, Çerçiz Topulli, Kamer Loshi, etj, janë vetëm disa nga ata burra që u është kënduar kënga. Pra, kaçakizmi ka pasur një lloj norme, e cila patjetër që është dashtë të përmbushet, sepse dalja kaçak pa bërë asnjë trimëri, ka qenë një tallje për masën. “Filan Fisteku trim azgan, doli kaçak pa e vra kërkon…”.

***
Epiteti “kaçak” ka disa vite që është harruar nga terminologjia dhe sintagma e shkruar e kësaj dekade. Mirëpo, një javë më parë na doli Xhabir Zharku, kryetari i Komunës së Kaçanikut, i cili e riktheu në popull sagën e kaçakut.

Por, Xhabiri duket se ka gabuar në hapa në këtë lojë. Ai e ka përzier kuptimin e të qenit kaçak në mal, në therrë, në tallishtë, në shkurre apo në strehë, dhe ikjes nga drejtësia kosovare.

Ai u arratis, sikur që ishin arratisur maleve shumë trima para disa dekadave, të ndjekur nga serbët (shkijet). Por, prej kujt iku Xhabiri se? Ai iku pa e ndjekur askush. Pavarësisht se ai mund të qëndrojë nëpër qytete, në banesa të nxehta ndoshta edhe me xhakuzi, ai u arratis nga një shtet për të cilin luftoi, nga një gjykatë të cilën dikur e ëndërroi, nga një sistem për të cilin punoi. Iku nga shteti i Kosovës, madje dhe kërcënoi ata që kanë ardhur për ta forcuar rendin dhe ligjin-EULEX-in.

Dikush tha se doli kaçak e dikush tjetër u arratis në kandinavi, mirëpo kjo ka pak rëndësi, sepse fundi i fundit, një Xhabir më pak në Dubravë.

Mobi Casa

Por, e rëndësishme është se për këtë arratisje nuk foli asnjëri nga shokët e tij (ata që kanë ndikim). Jo për t’i urdhëruar Xhabirit që të dorëzohet, sepse për këtë ai s’e pyet askënd, por të paktën me ndjerë keqardhje për këtë ikje nga drejtësia.

Para katër-pesë vjetësh nga Kosova iku Ragip Zekolli, një deputet i LDK-së, i cili kërkoi azil politik në Beneluks. Kur i treguan Eqrem Kryeziut që ka ikur deputeti i tyre, ai duke ndjerë keqardhje tha “Kuku për neve, a Ragipi jonë a”!?. Edhe pse deputeti i LDK-së iku për pikë të qejfit, megjithatë Eqremi ndjeu keqardhje. Ndërsa për Xhabirin as keqardhje nuk kanë ndjerë. Së paku, s’e tha kush!

***

Më në fund, arratisja e Xhabirit nuk është as e para e as e fundit në Kosovë. Sepse njerëz që i ikin drejtësisë ka në gjithë botën. Ndoshta jo kryetarë komunash, por që ikin, ka.

Sa për kurajë, ka qenë edhe ish- komandanti i ushtrisë kroate, Ante Gotovina, që ka ikur nëpër botë, mirëpo te ne është rreziku se “xhabirzimi” mund të bëhet si shkollë. Që çdokush që dënohet nga gjykata, t’ ia mbathë. Prandaj kësaj dukurie duhet t’i vihet pikë. Derisa dorëzimi në Hagë i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit Fatmir Limaj është respektuar nga gjithë opinioni ndërkombëtar, ikja e Xhabirit s’ka si të mos marrë vlerësime shumë negative.

Madje, kjo arratisje do të reflektojë negativisht edhe në procesin integrues të Kosovës, por edhe në rastet tjera të gjykimit. Gjykatësit e EULEX-it, po edhe vendorët, nuk do t’iu besojnë më kosovarëve që të qëndrojnë në arrest shtëpiak, ose edhe të mbrohen në liri. Sepse mund të marrin mësim nga “kaçaku i Kaçanikut”.