RCCOLA

Kënga e Rexhës – Versioni Origjinal

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga folklori ynë : Demir Krasniqi- Sipas burimeve të sigurta historike, kjo ngjarje ka ndodhë disa vite para se të mbahej Lidhja Shqiptare e Prizrenit, më 1878.

Ngjarja tragjike, ka ndodhë në fshatin Stubëll , afër Medvegjës – rrethi i Jabllanicës .
Rexha, kur i kishte vetëm dy vjet jetë, i kishte vdekur babai i tij dhe e kishte lënë jetimë nën përkujdesjen e nënës, e cila si nuse e re, ngeli e vejë pa më të dashurin e saj.

Sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, Nëna e Rexhës me qëllim që ta ruaj djalin që të mos mbetet jetimë pa baba dhe pa nënë, kishte pranua që të martohej për kunatin e saj, përkatësisht mixhën e Rexhës.

Mixha i Rexhës, ishte kujdesur për ta rritur nipin e vet – Rexhën, deri sa u bë për martesë. Pastaj edhe e fejoi dhe vendosi që ta martojë Rexhën me dasmë dhe krushqi , sipas zakoneve dhe traditave tona.

Ditën e Dasmës së martesës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipë në kokë një mërzi e madhe, nga se mendonte se tash po sa të martohet Rexha, do të ndahet prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë së patundshme, e cila edhe me ligj do t’i takonte nga trashëgimia e babait të tij të ndjerë!

Kjo vesvese , e pruri xhaxhain e tij deri në atë gjendje, sa vendosi që ta vriste mu në ditën e Dasmës së tij !

Për këtë qëllim, e mashtroi Rexhën dhe e qoi tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’iu qitur ushqim kuajve dhe atje e vrau tinëzisht mu në grazhd të kalit!

Pas këtij akti barbarë, mixha i Rexhës kthehet vrap tek dasmorët ku ishin duke bërë aheng në odë dhe iu tregoi me habi:
“Kuku bre, çka u ba ! Shkoi Rexha me iu qitë kuajve ushqim dhe njëri prej tyre ka qitë shqelma , ku e ka lënë të vdekur në vend, mu në grazhd të kalit!”

Dasmorëve të pranishëm , asnjërit nuk do t’i kishte shkuar mendja se këtë krim kaq mizor, do ta ketë bërë xhaxhai i Rexhës, por të gjithë e morën si lajm tragjik të vërtetë dhe të rastit, që vërtetë kali do ta ketë mbytë me shqelma !

Për të vërtetën tragjike të këtij rasti, ka treguar nëna e Rexhës shumë vonë, pasi që i kishte vdekur burri i dytë, përkatësisht mixha i Rexhës, se vrasësi i vërtetë i Rexhës kishte qenë mixha i vet, e jo kali, siç është propaganduar dhe kënduar plot një shekull e disa dekada kjo këngë elegjiake !

Këtë këngë , ndër të parët e shpërngulur pikërisht nga fshati Stubëll i Medvegjës, e kishte sjellë në Gjakovë, familja e këngëtarit tonë të madh : Qamili i Vogël – Muhaxhiri , i cili është edhe këngëtari i parë që e këndoi këtë këngë në Radio Prishtinë , që nga pas Lufta e Dytë Botërore dhe më vonë edhe nëpër disqe të gramafonit.

Kjo këngë është përhapur shumë shpejt nëpër të gjitha trevat dhe krahinat shqiptare , ku e kanë këndua dhe e këndojnë me ëndje edhe në ditët e sotme, por që fatkeqësisht , shumica prej tyre edhe sot e kësaj dite ia atribuojnë këtë krim Kalit, madje edhe duke u tallur e banalizuar në mënyrat më të çoroditura !

Uji Dea

Sipas versionit të melodisë së vjetër të kësaj kënge, tekstin e kësaj ngjarje në origjinal , e kam përpunuar dhe përshtatur për këndim, unë – Demir Krasniqi, në Gjilan, më datën 25 Korrik 2012, ku edhe e incizova në audiokasetë për herë të parë.

Oh, para Lidhjes së Prizrenit –
Ngjarje t’ mëdha kanë ndodhë gjithë vendit !
N’ Jabllanicë e në Toplicë ,
Kriminelet e Serbisë –
S’i lanë vend kund shqiptarisë !

Oh, mbi tetëqind katunde t’ shkreta –
I përzunë prej trojeve t’ veta !
N’ rrugë t’ pa kthime i kanë nisë ,
Vuajtjet e muhaxherisë ,
Faqe t’ dhimbshme t’ historisë !

Oh, n’ fshatin Stubëll të Medvegjës –
Herët vdiq ai baba i Rexhës ,
La jetim një djalë në djep ,
Ia kish lanë emrin Rexhep ,
Mbet me nënën për gazep !

Oh, nëna e Rexhës derman s’ pat –
U kthye nuse për kunat !
Kështu zakon atëherë asht kanë –
Mos me e lanë djalin pa nënë ,
Shpi e plang shkret mos me i lënë !

Oh, mixha i Rexhës fort ish gëzua –
Me kunatë që ish martua ,
Pa bë dasmë , pa u harxhua ,
Shumë do pare i ka shpëtua ,
Hisen vëllait me e trashëgua !

Oh, kohë e gjatë kështu ka kalua –
Shumë për Rexhën është kujdesua !
U rritë Rexha me u martua –
Nuse t’ mirë i ka fejua ,
Dasmë të madhe i ka caktua !

Oh, n’ ditë të dasmës së martesës –
Shumë dasmorë ju kanë mbledhë Rexhës !
Mixha i Rexhës ish mbërthye –
I kish hipë dreqi mbi krye ,
Po donë Rexhën me e përmbi !
Oh, me pishman dasmën e nisen –
Se tash Rexha do t’ ma merr hisen !
Sillet mixha si n’ bela –
Po e banë plan Rexhën me e vra ,
Me ia marrë hisen për vëlla !

– O, hajde Rexhë, o nipi im ,
Me ju qitë kuajve ushqim !
Krushqit n’ odë këndojnë këngë t’ mallit –
Mixha i Rexhës bishë e malit ,
E vrau nipin n’ grazhd të kalit !

O, shpejt u kthye te krushqit brenda –
Ma vranë Rexhën , kuajt me shkelma !
Ja la krushqit me bajrak ,
Ja la nusen nën duvak ,
Ja la shkret shpi e konak !

Oh, ja la nënën me duar n’ gji –
E vrau nipin me tradhti !
Vajtojnë zogjtë mbi varr të djalit –
Mixha i Rexhës – arushë e malit ,
Ja la krimin shkelmave t’ kalit !

Oh, kaluan vjet , kaloi një shekull –
E vërteta mbeti pezull !
Për këtë ngjarje të vërtetë –
Ka tregua nëna e vet
Ma vrau Rexhën – mixha i vet !