Kelmendi: Për lirimin e Haradinajt i dhashë 400 mijë euro
Biznesmeni Ramiz Kelmendi ,njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka folur për vështirësitë e të bërit biznes në Kosovë. Kelmendi tha se, marrja e kredisë në bankat në Kosovë është e limituar sipas ligjit që ekziston dhe kjo, sipas tij, ka bërë që qe një vit t’i ndalin investimet në vend pasi që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare.
“Nëse vazhdon kështu ne edhe në vitin 2014 nuk do të mund të investojmë në Kosovë. Për atë po detyrohemi të investojmë jashtë Kosovës si në Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi”, ka thënë Kelmendi.
Sa i përket financimit të AAK-së, Kelmendi ka thënë se më shumë ka dhënë për lirimin e Haradinajt nga Haga sesa drejtpërdrejt për partinë.
“Financimin më të madh e kam bërë për Haradinajn, nuk kemi kursyer aspak për lirimin e tij, 400 mijë euro i kemi dhënë për lirimin e tij. Krejt çfarë kemi dhënë për partinë janë në baza ligjore dhe të regjistruara”, ka thënë Kelmendi, citon Zëri.
Ndërsa sa i përket donacioneve për lirimin e Fatmir Limajt, Kelmendi ka thënë se një gjë e tillë nuk iu është kërkuar. /Telegrafi/